2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Udhëzimi është në Dorën e Allahut

Më të lexuarat

Allahu e ka krijuar njeriun dhe i ka dhënë arsyen, i ka dërguar Shpallje dhe pejgamberë, për ta thirrur atë për te e vërteta dhe për ta paralajmëruar kundra pavërtetësisë, pastaj e ka lënë të zgjedhë.

» Dhe thuaj: E vërteta është nga Zoti yt. Atëherë, kush të dojë, le të besojë; kush të dojë, le të mohojë « [el-Kehf, 29]

Allahu e ka urdhëruar të dërguarin e tij Muhamed [salallahu alejhi ue selam] për ta përcjellë të vërtetën tek i gjithë njerëzimi. Pastaj ata mund të veprojnë si të duan. Nëse personi bindet, i bën dobi vetes; nëse kundërshton, i bën dëm vetes, siç ka thënë Allahu:

» Thuaj: o njerëz, tash ju ka ardhur e vërteta nga Zoti juaj. Kushdo që e pranon udhëzimin, e pranon për të mirën e vet; kushdo që merr drejtim të keq, e bën këtë në dëm të vetvetes. Dhe unë nuk jam dërguar tek ju si Uekiil [rregullues i çështjeve] « [Junus, 108]

Islami është feja e natyrshmërisë së pastër të njeriut [fitreh], feja e arsyes dhe e logjikës. Allahu ka bërë dallim mes së vërtetës dhe pavërtetësisë. Ai ka urdhëruar për tërë atë që është e mirë dhe ka ndaluar tërë atë që është e keqe. Ai ka lejuar gjërat e mira, ka ndaluar gjërat e këqija. S’ka shtrëngim në fe, sepse dobitë dhe dëmet u kthehen qenieve të krijuara e jo Krijuesit. Allahu thotë:

» S’ka shtrëngim në fe. Vërtet, rruga e drejtë është e qartë ndaj rrugës së gabuar. Kushdo që mohon tagutët [zotat e rremë] dhe beson në Allahun, ka kapur dorezën që kurrë nuk thyhet «; [el-Bekare, 256] » Kushdo që bën punë të mira, e ka për vete; kushdo që bën punë të këqija, e ka për vete. Dhe Zoti yt s’është i padrejtë ndaj robërve të vet « [Fusilet, 46]

Udhëzimi është në Dorën e Allahut. Sikur të dëshironte Allahu, do t’i udhëzonte të gjithë njerëzit, sepse s’ka gjë që Ai s’mund të bëjë në tokë apo në qiej. Asgjë nuk ndodh në sundimin e Tij, përveç asaj çfarë do Ai.

» Thuaj: Allahu ka dëshminë e plotë [dmth njësia e Allahut, dërgimi i pejgamberëve dhe i Librave të shenjta, etj.]. Po të donte Ai, do t’ju udhëzonte të gjithëve « [el-Enam, 149]

Mirëpo, me urtësinë e Tij, Allahu na ka krijuar me mundësinë për të zgjedhur dhe na e ka ofruar udhëzimin dhe Kriterin. Kështu, kushdo që i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, do të hyjë në xhenet; kushdo që e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, do të hyjë në xhehenem, siç ka thënë Allahu:

» Vërtet ju kanë ardhur dëshmitë nga Zoti juaj, kështu që, kushdo që sheh, e ka për të mirën e vet; kushdo që e verbon vetveten, do ta dëmtojë vetveten, dhe unë [Muhamedi] s’jam vëzhgues mbi ju « [el-Enam, 104]

I dërguari [salallahu alejhi ue selam] s’ka hise në udhëzimin e dikujt. E gjithë çfarë ai dhe muslimanët duhet të bëjnë është të shpjegojnë dhe të përcjellin porosinë, dhe të tregojnë për udhëzimin. Ata s’mund t’i shtrëngojnë njerëzit për ta pasuar atë, siç i ka thënë Allahu të dërguarit të Tij:

» Po të donte Zoti yt, të gjithë ata në tokë do të besonin. Atëherë, a do t’i shtrëngosh njerëzit [o Muhamed] për t’u bërë besimtarë «; [Junus, 99]

» Detyra e të dërguarit është vetëm të përcjellë [Porosinë] qartë « [Ankebut, 18]

Udhëzimi për tek e vërteta është vetëm në Dorën e Allahut, dhe asnjeri s’ka hise në këtë, siç i ka thënë Allahu të dërguarit [salallahu alejhi ue selam]:

» Vërtet ti [o Muhamed] nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu e udhëzon kë të dojë. Dhe Ai e di më së miri kush janë të udhëzuarit « [el-Kasas, 56]

Allahu e udhëzon kë të dojë, e humb kë të dojë. Ai na ka treguar se i udhëzon ata që i binden Atij dhe që i kthehen Atij, siç ka thënë Ai:

» Kurse, për sa i përket atyre që pranojnë udhëzimin, Ai e shton udhëzimin e tyre dhe u jep devotshmëri « [Muhamed, 17]

Por, kushdo që kundërshton Allahun dhe kthen shpinën, Allahu s’do ta udhëzojë, siç ka thënë Ai:

» Vërtet, Allahu nuk e udhëzon gënjeshtarin dhe mosbesimtarin « [el-Zumer, 3]

Allahu është i gjithëdijshëm dhe di çfarë ka ndodhur, çfarë është duke ndodhur dhe çfarë do të vjen. Allahu i njeh besimtarët dhe mosbesimtarët, dhe e di çfarë do të bëjnë ata dhe cili do të jetë fati i tyre në jetën e përtejme. Ai e ka shkruar të gjithë këtë në elLeuh el-Mahfudh [Pllakën e Ruajtur], siç ka thënë Ai:

» Të gjitha gjërat i kemi shënuar në një Libër « [el-Nebe, 29] Allahu e ka krijuar njeriun me mundësinë për të zgjedhur, e ka bërë të aftë për të dyja: ose besimtar, ose mosbesimtar, siç ka thënë Ai: » Vërtet, Ne ia kemi treguar rrugën, qoftë ai mirënjohës apo mosmirënjohës « [elInsan, 3]

Njeriu ka liri zgjedhjeje vetëm në kuptimin e gjykimit të tij. Nëse ai e humb arsyen, me të cilën dallon të mirën nga e keqja, të vërtetën nga pavërtetësia, ai nuk merret në përgjegjësi. Prej këtu, sipas sheriatit islamik, penda nuk shënon veprimet e personit të çmendur [dmth ai nuk merret në përgjegjësi], derisa t’i kthehet arsyeja. Po ashtu edhe me fëmijën, derisa të arrijë moshën madhore, si dhe me atë që fle, derisa të zgjohet. Asnjë nga këta nuk janë të përgjegjshëm, derisa t’u kthehet arsyeja, me anë të së cilës mund të dallojnë besimin nga mosbesimi, të vërtetën nga e pavërteta, dhe kështu me radhë. Cilindo drejtim që merr një person, do të ketë shpërblim dhe dënim. Nëse bindet, do të ketë xhenet për të

» Vërtet, ka arritur sukses ai që e pastron veten [dmth bindet dhe zbaton urdhrat e Allahut] « [esh-Shems, 9]

Nëse kundërshton, do të ketë xhehenem për të: » Vërtet, ka dështuar ai që e prish vetveten [dmth kundërshton urdhrat e Allahut] « [el-Shems, 10] Zgjidhja për njërën nga këto dy rrugë është diçka për të cilën personi do të merret në përgjegjësi nga Zoti i botëve. Kështu, është e qartë që feja apo mosbesimi, bindja apo kundërshtimi, janë çështje të zgjedhjes personale. Allahu e ka vendosur shpërblimin apo dënimin në këtë zgjedhje:

» Kushdo që bën punë të mira, e ka për vete; kushdo që bën punë të këqija, e ka për vete. Dhe Zoti yt s’është i padrejtë ndaj robërve të vet « [Fusilet, 46]

Kushdo që e do Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe dëshiron të mira në këtë botë dhe në jetën e përtejme, le të hyjë në Islam; kushdo që ia kthen shpinën kësaj dhe është i kënaqur me këtë botë dhe s’ka interesim për jetën e përtejme dhe nuk nënshtrohet, vendbanimi i tij do të jetë xhehenemi. Individi është ai që do t’i bëjë dobi apo dëm vetes. S’ka shtrëngim për të zgjedhur ndonjërën nga këto. Allahu ka thënë:

» Vërtet, kjo [ajetet e Kura’nit] është një këshillë, kështu që, kush të dojë, le të përshkojë rrugën për tek Zoti i tij « [el-Insan, 29]/Marrë nga Usul el-Din el-Islami i shejh Muhamed ibn Ibrahim el-Tuwejxhiri

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit