2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Udhëtimi pa viza nga 1 janari – sa para duhet të keni me vete, cilat dokumente dhe sa afat duhet të ketë pasaporta?

Më të lexuarat

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen pa pasur nevojë të presin më para ambasadave të huaja për t’u pajisur me vizë.

Megjithëse, ishin të vetmit në Evropë që duhej të pajiseshin me vizë, izolimi i qytetarëve të Kosovës merr fund nga 1 janari 2024.

E lidhur me liberalizimin e vizave faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës javët e fundit ka dhënë informata lidhur me atë se sa para duhet të kenë me vete qytetarët kur udhëtojnë në zonën Shengen, çfarë dokumentesh nevojiten, sa afat duhet të ketë pasaporta etj.

Sa para duhet të kenë qytetarët e Kosovës kur udhëtojnë në zonën Shengen?

Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës ka njoftuar se si udhëtar me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund t’ju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj.

Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartament apo tek të afërmit tuaj.

“Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartament apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person”, thuhet në njoftimin e faqes Integrimi Evropian i Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë.

Derisa, verifikimi i mjeteve të mjaftueshme financiare mund të bëhet në disa forma duke ju kërkuar të tregoni para të gatshme (cash), kartelë bankare, kartë krediti, letër konfirmimi nga një konferencë apo seminar që mbulon shpenzimet tuaja për akomodim e ushqim, dëshmi për pagesën e hotelit apo çfarëdo konfirmimi a dëshmie tjetër për kostot tuaja gjatë udhëtimit.

“Çdo shtet i Shengenit përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të shteteve anëtare të zonës Shengen të cilat planifikoni ti vizitoni. Pra, shuma ditore dallon nëse vizitoni Greqinë, Kroacinë apo nëse vizitoni Zvicrën apo Norvegjinë.

https://home-affairs.ec.europa.eu/system/files/2023-09/reference_amounts_table.pdf?fbclid=IwAR2k_mZXKS11-h05lGYvk8ZCUYGMQ4awm6azjVL_YtRkjbEUhHt0-KINjqI

Për fund, ju nuk keni nevojë të keni të deponuara sasi të caktuar të mjeteve në bankë, por ju duhet të dëshmoni që keni mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin tuaj atje, duke përfshirë kostot për kthimin në Kosovë. /Telegrafi/

Këto janë dokumentet që ju nevojiten për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen

Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës po ashtu ka njoftuar qytetarët për dokumentet që  nevojiten për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen, pas 1 janarit 2024.

Sipas njoftimit, nevojitet pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen).

Po ashtu, informata të sakta mbi vendin dhe qëllimin e udhëtimit, dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit/apartamentit apo kontaktet e të afërmve ku do të qëndroni.

Për të udhëtuar në zonën Shengen pa viza ju nevojiten edhe detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese.

Ndërkaq, nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës, përfshirë kartonin e gjelbër si dhe dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare.

“Për më shumë informata, vizitoni faqen zyrtare: https://integrimievropian.rks-gov.net/…/pyetje-te…/”, thuhet në njoftimin për media.

Udhëtimi pa viza nga 1 janari – sa muaj afat në pasaportë duhet të keni që të udhëtoni në Shengen?

Sipas faqes qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës për të hyrë në zonën Shengen është e rëndësishme që qytetarët të kenë pasaportë me afat të mjaftueshëm.

Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga zona Shengen.

“Për shembull, nëse planifikoni të hyni në zonën Shengen më 1 mars, 2024 dhe deklaroni tek policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars, 2024 atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor, 2024 pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në muajin e fundit është rritur numri i qytetarëve të cilët kanë shprehur interesim për t’u pajisur me pasaporta. Kjo për shkak se nga 1 janari i vitit të ardhëm, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Kërkesat për pasaporta janë rritur edhe nga qytetarët e pjesës veriore të vendit.

Numri i përgjithshëm i pasaportave të lëshuara në katër komunat veriore është 5 mijë 800. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit