RAMALLAH (AA) – Automekaniku palestinez, i apasionuar pas automjeteve nostalgjike, Omer el-Halili (46), i rikthen në jetë automjetet e prishura të cilat mbajnë gjurmët e periudhës para-izraelite në Palestinë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në dyqanin e tij përgjatë rrugës Ramallah-Birzeit, Halili ka 25 automjete klasike. Më i vjetri i këtyre automjeteve, shumica e të cilëve janë prodhim anglez dhe gjerman, është prodhuar në vitin 1946.
Ai thekson se ka pasur interesim të madh për automjetet klasike që kur ishte i vogël.
“Kjo punë është përtej përfitimit të parave. Unë kam dëshirë të madhe brenda meje për të blerë, rregulluar dhe restauruar automjetet klasike të prishura dhe frikohem se këto automjete do të zhduken. Kur e blej një automjet të tillë, ndihem se ai është në një vend të sigurt”, thotë Halili.
Duke bërë të ditur se për 20 vite ai ka blerë, riparuar, restauruar dhe pastaj ka shitur dhjetra automjete, Halili tha se përkundër asaj që posedon një automjet luksoz, ai preferon që në jetën e përditshme të përdorë automjetin Mercedes-Benz klasik, model i vitit 1956.
“Ajo është gjëja më e vlefshme që kam. Unë ia kam shtuar atij cilësitë të cilat nuk gjenden as në automjetet e modeleve të fundit. Ka një vlerë të një thesari të paçmuar. Në të gjej erën e ditëve të vjetra, të begatshme dhe të ndershme”, thotë Halili, duke e përshkruar automjetin e tij klasik.
Ëndërron që në tokat prej ku janë dëbuar paraardhësit e tij, të kthehet me automjetin klasik
Halili thotë se ëndërron që në qytetin Lod, prej ku janë dëbuar palestinezët në vitin 1948 dhe i cili tani ndodhet në Izrael, të kthehet me automjetin e tij klasik.
Një autobus i restauruar tregon periudhën e para vitit 1948
Ai bën të ditur se ai do të bëjë restaurimin edhe të një autobusi i cili para vitit 1967, kur Izraeli pushtoi tokat e Palestinës, realizonte udhëtime në Jerusalem, Nablus, Amman dhe Damask. Halili shtoi se një automjet tjetër i kompanisë FORD i përket një mjeku i cili udhëtonte në mes të Ramallahut dhe Kuvajtit.
“Unë e kam dizajnuar autobusin të cilën e quaj ‘Autobusi 47’, dhe i cili mban cilësitë e autobusëve të vitit 1948, si një simbol të dhimbjeve të popullit palestinez”, thotë Halili.
Ai thotë se në autobus ka vendosur drita dhe ora të cilat përdoreshin para vitit 1948 dhe se ky autobus përdoret në ditët kombëtare, siç është përvjetori i Nakbas (katastrofa e madhe).
http://aa.com.tr/sq/pg/galeria-e-fotografive/udh%C3%ABtim-nostalgjik-n%C3%AB-palestin%C3%ABn-e-para-pushtimit-me-automjetet-klasike-t%C3%AB-riparuara