As gjysma e veteranëve që marrin pensione në Kosovë nuk kanë qenë Ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një dokument i ish-Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilin e posedon Gazeta Fjala, dëshmon se vetëm 13 mijë e 458 ushtarë e mbrojtën Kosovën gjatë luftës.
Kaq ishte numri i njerëzve të rreshtuar përkrahë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ndarë në 11 zona.
Por, deri më tani, që nga përfundimi i luftës kësaj liste i janë shtuar edhe mbi 20 mijë “ushtarë” të tjerë. Aktualisht mbi 36 mijë persona në Kosovë, marrin pensione të veteranëve, shkruan Gazeta Fjala.
Zona që kishte më së shumti pjesëtarë ishte ajo e Llapit, me 4 mijë e 523 ushtarë, pasuar nga Zona e Drenicës dhe ajo e Pashtrikut.
Ky dokument i hedhë poshtë edhe deklarimet e para disa dite të Kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Nëse m’pyet mu sinqerisht, edhe sinqerisht po ta them, nifar mesatarje ku çdo vendbanim në zonën ku kam luftu është mobilizu e kanë marrë armë. Lirisht shifra del mbi 30 mijë veç në Dukagjin nën armë. Nën armë, tu bo roje, tu bo aktivitet, tu punu”, kishte deklaruar Haradinaj.
Por, sipas kësaj liste 30 mijë ushtarë nuk kanë qenë në tërë Kosovën, ndërsa ushtarë që kanë vepruar në këtë zonë janë vetëm 1 mijë e 537.
“Shtabi i përgjithshëm kishte 39 pjesëtarë, Zona e Drenicës 2 mijë e 611, Zona e Pashtrikut 1 mijë e 715, Zona e Dukagjinit 1 mijë e 537 dhe Zona e Shalës me 1 mijë e 253 ushtarë”, thuhet në listën e pjesëtarëve të UÇK-së, një kopje të së cilës e ka siguruar Gazeta Fjala.
Ndër zonat që kishin më së paku pjesëtar renditen “Qendra Shkollore”, “Brigada 200 e Logjistikës” dhe “Batalioni 1/60.”
Kreu i veteranëve: Në luftë ishin 20 mijë ushtarë
Se UÇK nuk kishte numër kaq të madh të ushtarëve, e ka pranuar për Gazetën Fjala, edhe kreu i Shoqatës së Veteranëve të Kosovës, Hysni Gucati.
Gucati ka thënë së gjatë kohës së luftës kanë qenë afro 20 mijë ushtarë. Por, kur është pyetur se pse kjo listë nuk po merret parasysh në verifikimin e veteranëve, ai ka thënë se për këtë duhet t’i pyesni komandantët.
“Unë nuk jam përgjegjës, pyetni Komandantët e komisionet”, ka deklaruar Gucati për Gazetën Fjala.
Gazeta Fjala ka provuar të kontaktojë edhe me ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekun që ta pyesë për këto lista që janë të nënshkruara nga vetë ai, por ai ka qenë i pa qasshëm.
Por, ndonëse Zona e Llapit kishte më së shumti ushtarë, për nga armatimi i rëndë gjendet në fund të listës. Për armatim të rëndë prin Zona e Dukagjinit.
E tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte 383 armë, të cilësuara si armatim i rëndë, prej të cilave 253 gjendeshin vetëm në Zonën e Dukagjinit. Në këto armë përfshiheshin: lloje të mitralezëve, topave, minahedhësve dhe laserëve.
Aktualisht, 36 mijë veteranë çdo muaj marrin 6.1 milionë euro nga buxheti i shtetit, apo 73.5 milion euro në vit./Gazeta Fjala/.