U përurua xhamia “Mahmut Pasha” në Gjakovë
Me këndim të Kuranit fisnik, filloi ceremonia e përurimit të xhamisë “Mahmut Pasha” në Gjakovë. Në këtë ceremoni, përveç një numri të besimtarëve, morën pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, z. Mehmet Nuri Ersoy, kryetari i DIJANET-it të Turqisë, dr. Ali Erbash, kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjinit, drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, z. Sinan Aksu, si dhe ambasadori i Turqisë në Kosovës, z. Tunç Angili.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, vlerësoi lart bashkëpunimin e Bashkësisë Islame të Kosovës me DIJANET-in e Turqisë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë. Ai tha se vendi ynë fatkeqësisht mbeti nën mëshirën e atyre që nuk kishin mëshirë dhe këtu pësuan edhe xhamitë. Por, i Madhi Zot, ka bërë nasib që këto xhami të jenë këtu dhe falë ndihmës së miqve tanë t’i rregullojmë dhe t’i forcojmë ndoshta edhe më shumë seç kanë qenë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Mehmet Nuri Ersoy, tha se po ndjehet tejet krenar me punën që është bërë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ai tha se Kosova është vend i rëndësishëm dhe historia e saj është shumë e lashtë. “Kosova për ne është një vend shumë i rëndësishëm. Çdo punë që bëhet së bashku është një hap drejt unitetit dhe prosperitetit, andaj edhe ne jemi krenarë me çdo sukses të vëllezërve tanë kosovarë, – potencoi ndër të tjera ministri Ersoy.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, falënderoi për këtë mbështetje të pastër, me të cilën sipas tij, përfiton Gjakova dhe trashëgimia e saj.
Gjatë vizitës në Gjakovë, delegacioni turk vizitoi edhe Medresenë e Gjakovës.