Prishtinë, më 15 nëntor 2024
Është përuruar sot xhamia e re në fshatin Nikadin të Ferizajt, një projekt i përbashkët i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe “Qatar Charity”.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe qytetarë të shumtë nga zona.
Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, sekretari i përgjithshëm i Kryesisë, Ahmet ef. Sadriu, falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti, duke theksuar se xhamia është një dhuratë e çmuar për këtë komunitet. Ai vlerësoi edhe mbështetjen e vazhdueshme të “Qatar Charity” në projekte të tilla që fuqizojnë Bashkësitë Islame në Kosovë.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt, Nexhmedin ef. Bajrami, theksoi rëndësinë e këtij projekti për komunitetin lokal, duke falënderuar “Qatar Charity” për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar.
“Xhamia është një vend i shenjtë dhe një qendër që forcon lidhjet tona me Zotin, por edhe me njëri-tjetrin. Kjo ndërtesë e re do të shërbejë jo vetëm për adhurim, por edhe si një vend i bashkimit dhe edukimit për të gjithë banorët” – tha Bajrami.
Në ceremoninë e përurimit të xhamisë së re në fshatin Nikadin, mori pjesë edhe Abdulaziz Xhasim Haxhi, drejtor i Departamentit të Operacioneve Zhvillimore në “Qatar Charity”.
Ai falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës për bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta për realizimin e këtij projekti, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur iniciativa të ngjashme në të ardhmen.
“Është nder për ne që të kontribuojmë në ndërtimin e një hapësire që do të shërbejë si qendër për përforcimin e vlerave shpirtërore dhe unitetit brenda komunitetit. Ne besojmë se projektet e tilla ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies shoqërore dhe fuqizimin e lidhjeve mes njerëzve” – tha ai.
Xhamia e re pritet të luajë një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe sociale të banorëve të Nikadinit dhe zonave përreth.