-0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

U mbajt program kushtuar festës së 28 Nëntorit

Më të lexuarat

Prishtinë, më 26 nëntor 2024

Për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Suharekës organizoi manifestim kushtuar kësaj dite. Në këtë manifestim morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, kryetari i Suharekës, z. Bali Muharremaj, përfaqësues politikë dhe fetarë, si dhe qindra qytetarë nga Suhareka dhe rrethina.

Programi filloi me leximin e pjesëve nga Kurani fisnik, si dhe me intonimin e himneve kombëtar dhe shtetëror.

Kryetari i Këshillit të BI-së së Suharekës, Haki ef. Hoxha, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, ndërkaq, kryetari i Suharekës, z. Bali Muharremaj, falënderoi Bashkësinë Islame për këtë organizim, duke çmuar kështu rolin dhe kontributin që ky institucion ka dhënë gjatë viteve për shtetin e Kosovës. Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka dhënë kontribut vetëm në luftën e fundit, por atë e gjejmë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.

Ligjëratën kryesore kushtuar kësaj dite, pra 28 Nëntorit, e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili tha se kjo ditë na shtynë të mendojmë edhe më shumë për fatet historike të kombit shqiptar, pasi që kjo ditë simbolizon lirinë e identitetin kombëtar, si dhe sakrificat për fitimin e pavarësisë.

Gjatë ligjëratës së tij Myftiu Tërnava përmendi me krenari sakrificën e heronjve dhe familjeve shqiptare, të cilët sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë për lirinë e Kosovës. “Komandanti Adem Jashari, bashkë me Hamzën dhe Shabanin, mbesin në kujtesën dhe memorien e çdo shqiptari deri në amshim për heroizmin e tyre të treguar dhe dashurinë për atdheun ku lindën dhe jetuan.”

Duke folur për dashurinë ndaj atdheut, Myftiu Tërnava potencoi se dashuria për atdheun është një natyrë e lindur brenda njeriut, dhe se Islami e ka bërë pjesë të përgjegjësisë së besimit dashurinë për atdheun. “Është detyrë jona që atdheut t’i falim siguri, ta rindërtojmë e ta mbrojmë atë. Islami e ka lartësuar rëndësinë e atdheut si një vlerë të rëndësishme në vetvete. Dashuria, përkatësia dhe besnikëria ndaj atdheut janë detyra dhe kushdo që manipulon me këto koncepte konsiderohet tradhtarë” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Në fund të ligjëratës së tij, Myftiu Tërnava, përmendi edhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë për çlirimin e vendit tonë, duke thënë se ne si Bashkësi Islame, ndonëse po sulmohemi e po fyhemi me fjalët më poshtëruese, ne qëndrojmë dhe vazhdojmë të ecim hapave të Abdyl Frashërit e Ymer Prizrenit, Ismail Qemajlit e Haxhi Zekës, Adem Demaçit e Zahir Pajaztit, Bacë Shabanit e Adem e Hamëz Jasharit, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, si dhe hapave të 37 imamëve dëshmorë – shehidë që ranë në luftën e fundit për të mos vdekur kurrë.

Ligjëratën e përfundoi me një lutje drejtuar Zotit për ruajtjen e vendit, familjes dhe fëmijëve tanë.

Programi vazhdoi me disa recitale nga Basri Lushtaku dhe me këndimin e ilahive nga Adem Ramadani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit