2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

“U dhezën kandilat”!

Më të lexuarat

Sot në vigjilje të ditës së parë të Ramazanit u bënë shumë urime nga politikanë, hoxhallarë, artistë, kryetarë komunash e institucionesh me plot mesazhe shprese, sakrifice,dashurie e faljeje! Në vetvete diqysh nuk më preku asnjëri prej tyre, përkundrazi brenda në thellësi u ndjeva zbrazët! As nuk më bënë përshtypje emisionet glamuroze për hir të Ramazanit që ia nisëm që me sot, as reklamat kësisoji, as ftesat për rezervime iftaresh në restorante ekstravagante qysh sot! Hiç dhe hiç!
Ende e kam të freskët si më ka fillu Ramazani dikur! Hala më tingëllon nëpër labirintet e kokës refreni “U dhezën kandilat” i cili ma ka nisë edhe bitisë Ramazanin e parë dhe shumë të tjerë më pas! Atë vit dhe ato vite, Ramazani për vërteti ka fillu nja dy orë përpara iftarit të parë! Në këndin e rrugicave me kalldrëm që e prejnë rrugën që vjen nga Pazari i Vjetër me rrugën e Kovaçëve dhe aty ku këto kryqëzohen me rrugën e Medresesë qysh disa orë përpara iftarit të parë dalëngadalë fillojnë të grumbullohen fëmijët e mëhallës për me e pritë ndezjen e kandilave të Xhamisë së Kovaçëve! Në atë copë udhe fillon dhe nisë të zhvillohet një muaj i tërë. Muaji i Kur’anit! Fëmijët prej katër, pesë e deri shtatë, dhjetë, bile edhe tre-katërmbëdhjetë vjetë e presin ndezjen e kandilave, i presin si dritën prej qiellit, e presin lindjen e dritës në muzg, lindjen e diellit në perëndim ani pse atëherë ai veçse është në zhdukje e sipër. Fëmijët luajnë por herë pas here e ngrehin kokën kah qielli, kah minarja!

 

Në teravitë e një nate më parë na është thënë se ky është muaji i mëshirës, përpjekjes për rahmet ndaj njëri tjetrit, muaji kur paqja zbret nga qielli! Kurse ne teksa i presim kandilat nuk dimë gjë prej asaj mëshire tekstuale, nuk dimë gjë nga sakrifica, as edhe më të voglën ide të lëmoshës a zekatit nuk e kemi! Fëmijët dinë vetëm të luajnë bashkë, ta ndajnë me njëri tjetrin topin, të grinden aty këtu por ta falin njëri tjetrin dhe mbi të gjitha janë në pritje të një Drite nga minarja! Edhe në kulmin e lojës, gati si me radhë sytë ngriten kah qielli!.
Dikur krejt papritmas fillon numërimi mbrapsht. Dhjetë, nëntë, tetë…tre, dy, një dhe prapë dhe prapë. Krejt befasishëm bie ajo dritë prej qiellit dhe fillon ai refren të kalojë gojë më gojë “U dhezën kandilat”, “U dheezën kandiiilat”! Në mënyrë të njëjtë dikur kishte parë drejt qiellit edhe profeti Ibrahim për këtë Dritë! Me zemër të po një fëmiu të paprishur e kishte kërkuar dritën midis idhujve, tek dielli e hëna, por ata thjeshtë perëndonin (Kur’ani, 6:76). Shpirti i tij sikur edhe i fëmijëve në pritje të kandilave synonte Atë që është i Gjallë përjetë dhe i gatshëm me mbështetjen e Tij në çdo çast, ai e donte dritën në Tokë. Njëjtë si ai edhe fëmijët që e prisnin Ramazanin në qoshet e rrugicave sikur e kërkonin një Dritë që është më afër se damari i qafës (50:16) duke i parë të kota perandoritë e qiejve dhe të tokës (5:75). Një lojë dhe ajo Dritë në të, ishte më domethënëse se tërë ato. Ashtu të paprishur dhe të çiltër e kthenin kokën kah Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën për atë Dritë kandilash! Dhe gati në unison fillon të kumbojë qyteti nga të dymbëdhjetë minaret: Allahu është më i madhi. Ajo lojë e fëmijëve dhe ai vrap drejt iftarit sikur janë ajo dëshmia e rënies së Paqes në Tokë, e zbritjes së Tij midis tyre. Drita bie prej kandilave, përzihet me ta, futet nëpër shtëpi dhe fillon të veprojë.

 

“U dhezën kandilat” është bashkimi më domethënës i fjalëve që i ka përshkrua ato rrugica të ngushta me kalldrëm. Teravitë e falura çdo ditë në një xhami tjetër sikur janë tavafi përreth shtëpisë së Ibrahimit. Nuk i zëvendëson kurrgjë. Drita është ulë në Tokë dhe ka ikë dëshpërueshëm drejt qiellit në vitet në vijim, ka ra e është ngritë e prapë ka ra, por “U dhezën kandilat” ka ngelë përherë një shpresë për Të. Një nisje e re. Një ndriçim pas territ. Një vit në mes e ka endë Dritën gjithandej dhe kërkimin për të e ka molisë, por “U dhezën kandilat” ka ngelë diku thellë nëpër labirinte si një fund i një pritjeje të gjatë! Prandaj Për Hajër Ramazani. U dhezën e u dhezshin kandilat pafundësisht! Pa telefona të mençur, pa iftare farisenjsh, pa studio të shpifura dhe pa gjithçka tjetër. Kështu që si fëmi i rrugicave me kalldrëm deshta dëshpërueshëm edhe këtë Ramazan ta filloj në këndin e tri rrugëve, ta ndjej atë copë Drite duke ra prej qiellit! U dhezën kandilat!

Halil Ibrahimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit