Ndërkohë që në media u shpërnda lajmi se ishte arrestuar personi që kreu sulmin terrorit duke hyrë mes turmës së njerëzve në një treg Krishtlindjesh në Berlin, që la pas 12 të vdekur dhe 48 të plagosur, policia thotë se pakistanezi 23 vjeçar nuk është autori i vërtetë.
Burime të policisë gjermane kanë pohuar për “Die Welt” se kanë arrestuar njeriun e gabuar, duke kthyer sërish panikun dhe pasigurinë në kryeqytetin gjerman.
Sipas gjermanes, Die Welt ai që qëndron në pranga nuk është autori i masakrës. “Autori i vërtetë është i armatosur dhe ende i lirë, mund të shkaktojë dëme të tjera” shkruan Die Welt duke iu referuar burimeve të sigurisë gjermane.
Edhe shefi i policisë së Berlinit, Klaus Kandt deklaroi se nuk është i sigurt që pakistanezi që mbajnë aktualisht në pranga është personi që shkaktoi vdekjen e 12 personave. “Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar”,- deklaroi ai. Ndërsa duke folur për rrezikun e sulmeve terroriste, ai shtoi: “Më e keqja ka ndodhur.”
Më herët Ministri i Brendshëm gjeran, Thomas de Maizière deklaroi se i arrestuari nuk pranon autorësinë. Ai kishte hyrë në Gjermani që më 31 dhjetor të 2015-ës, për të kërkuar azil, ndërsa deklaron se nuk kishte të bënte fare me masakrën e mbrëmshme.