TIKA në Shkollën Fillore “Andon Zako Çajupi” ka rinovuar dy klasat ku mësojnë nxënësit turq dhe shqiptarë, kabinetin me pajisje shkollore dhe teknologjike si dhe infrastrukturën në përgjithësi
MITROVICË (AA) – Sot në qytetin e Mitrovicës u organizuan ceremonitë e hapjes së projekteve të realizuara nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Shkollën Fillore “Andon Zako Çajupi” dhe në Shkollën e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina”, raporton Anadolu Agency (AA).
TIKA në Shkollën Fillore “Andon Zako Çajupi” ka rinovuar dy klasat ku mësojnë nxënësit turq dhe shqiptarë, kabinetin me pajisje shkollore dhe teknologjike si dhe infrastrukturën në përgjithësi.
Në ceremoninë e organizuar në këtë shkollë morën pjesë ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, koordinatori i TIKA-s për Kosovën, Hasan Burak Ceran, drejtoresha e shkollës Melihate Meha, mësimdhënës, prindër si dhe nxënësit e kësaj shkolle.
Ambasadorja Kılıç gjatë fjalimit të mbajtur para nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle falënderoi TIKA-n për investimet e bëra në këtë shkolle duke theksuar se Turqia i ka bërë këto ndihma për shkak të lidhjeve vëllazërore me Kosovën.
Ajo nënvizoi se Turqia do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën veçanërisht në fushën e arsimit, por edhe në fusha të tjera si në atë të shëndetësisë, bujqësisë dhe në sferën e punësimit duke shtuar se është krenare për punët e TIKA-s në Kosovë. “Ne do të vazhdojmë që të japim mbështetjet tona të mëtutjeshme veçanërisht në fushën e arsimit për arsimimin dhe edukimin sa më të mirë të këtyre nxënësve të cilët janë e ardhmja e këtij vendi sepse ne e dëshirojmë vetëm një gjë që një shtet i bukur dhe mik i yni siç është Kosova, ta ketë një të ardhme të ndritshme me anë të të rinjve të arsimuar mirë të cilët do të jenë krijuesit e të ardhmes”, tha Ambasadorja Kılıç.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në fjalën e tij duke falënderuar TIKA-n dhe ambasadoren e Turqisë, tha se Turqia çdo herë ka ndihmuar Kosovën qoftë para, gjatë edhe pas luftës për arsye se ekziston një marrëdhënie e veçantë në mes dy vendeve. “Ai që ndihmon shkollimin ka ndihmuar edhe ardhmërinë e këtij vendi. Për arsye se këtu fillon dituria, zhvillimi dhe gjithçka e mirë”, tha Bahtiri.
Edhe drejtoresha e shkollës, Melihate Meha falënderoi TIKA-n për të gjitha investimet e bëra në këtë shkollë duke theksuar: “Bashkëpunimi jonë me Turqinë është në shumë fusha. Ne do të bashkëpunojmë edhe më tej me Ambasadën e Turqisë për të përkrahur dhe integruar komunitetin turk dhe promovuar bashkëjetesë, tolerancë e paqe.”
Në fund të ceremonisë të pranishmit kishin rastin të përcjellin edhe programin me këngë dhe valle popullore në gjuhën shqipe dhe turke të përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.
Pas kësaj ceremonie delegacioni në krye me ambasadoren e Turqisë, Kıvılcım Kılıç kaluan në Shkollën e Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” e cila ka 876 nxënës, për të prerë shiritin në dy kabinetet e kompjuterave të rinovuar nga TIKA.
Drejtori i kësaj shkolle Avdullah Bejtullahu falënderoi ambasadoren Kılıç dhe koordinatorin e TIKA-s Ceran për investimet e bëra në kabinetet e kompjuterave dhe për 34 kompjuterë të dhuruar. Ai tha se nxënësit përveç lëndëve teorike tani do të kenë mundësinë që të mësojnë edhe praktikë.