Lila njoftoi se vlera e investimeve të TIKA-s për konviktin e nxënësve dhe studentëve “Sadik Stavileci” dhe objektin historik të shkollës “Mejtepe Ruzhdije” kap shifrën prej rreth gjysmë milion euro
PRISHTINË (AA) – Politikanja kosovare Mimoza Kusari-Lila, e cila ka ushtruar detyrën kryetares së Komunës së Gjakovës nga viti 2013 deri në vitin 2017, shpalosi bashkëpunimin me Agjencinë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA), duke theksuar se ky bashkëpunim ka rezultuar me sukses në zhvillimin e infrastrukturës arsimore në Gjakovë.
Ndërkohë, 41 vjeçarja Mimoza Kusari-Lila po ashtu ka ushtruar funksionin zëvendëskryeministres së Republikës së Kosovës dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë nga viti 2011 deri në vitin 2013. Lila në një prononcim për Anadolu Agency (AA) flet për projektet e nisura nga TIKA në Gjakovë, duke theksuar se që nga fillimi i udhëheqjes së saj me komunën ka kontaktuar me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Kosovë për të shqyrtuar mundësitë dhe prioritetet e komunës në atë se në çfarë mënyre TIKA mund ta ndihmojë Gjakovën.
Më tej, ajo theksoi se në atë kohë ishin identifikuar dy raste mjaft specifike të cilat janë prezantuar si nevojë për rindërtim, konvikti i nxënësve dhe studentëve “Sadik Stavileci” dhe objekti historik i shkollës “Mejtepe Ruzhdije”. Mirëpo, procesi i fillimit të punës që duhej të fillonte në vitin 2015 është shtyrë për shkak të, siç thotë ajo, zgjedhjeve dhe proceseve politike që kanë ndodhur në Kosovë dhe Turqi.
“Me investimet të cilat TIKA është duke i bërë në Gjakovë vendoset baza për zhvillim të mëtejshëm qoftë të institucioneve, qoftë të jetës kulturore, shoqërore apo arsimore në Komunën e Gjakovës”, shprehet Lila.
“TIKA, kontribut shumë të madh për arsimin në Gjakovë”
Lila njoftoi se vlera e investimeve të TIKA-s për këto dy projekte në Gjakovë kap shifrën prej rreth gjysmë milion euro. “Jemi në fazën e finalizimit të punimeve me ndërtimin e plotë të konviktit të nxënësve dhe studentëve. Një vlerë shumë e shtuar dhe një ndihmesë shumë e madhe për arsimin në Komunën e Gjakovës, pra për arsimin e mesëm dhe arsimin e lartë”, thotë Lila, duke njoftuar se kanë filluar përgatitjet edhe për shkollën ‘Mejtepe Ruzhdije’, punimet e së cilës planifikohen të fillojnë në vitin 2018.
Gruaja që ka udhëhequr Komunën e Gjakovës gjatë katër viteve të fundit foli edhe për aktivitetet kulturore dhe artistike të mbështetura nga TIKA për të cilat, sipas saj, kanë pasur interesim të madh dhe janë mirëpritur mjaft mirë nga publiku gjakovar.
Ajo veçoi festivalin e muzikës xhaz “Turkish Jazz Week”, i cili është sjellë në Gjakovë dy herë, si dhe paralajmëroi intensifikimin e aktiviteteve të tjera kulturore dhe mundësive të reja për bashkëpunim.
“Maratona krijon lidhjen e natyrshme midis qytetit të Gjakovës dhe Tropojës”
Përveç karrierës së saj në politikë, Lila është edhe një adhuruese e sportit. Ajo është edhe anëtare e klubit të vrapimit nga Gjakova “Gërmia 555”, e cila organizon edicionin e dytë të “Maratonës Kombëtare të Malësisë së Gjakovës”, që do të mbahet gjatë ditës së nesërme.
Pikënisja e pjesëmarrësve në maratonë është qendra e qytetit të Gjakovës, ndërsa pas një vrapimi të plotë prej 42 kilometra e 195 metra, maratona do të përfundojë në qytetin verior të Shqipërisë, Bajram Curri, i cili është pranë kufirit me Kosovën.
Këtë maratonë kombëtare e cila për herë të parë u mbajt vitin e kaluar, Lila e vlerëson si një aktivitet sportiv pak më ekstrem, që promovon Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe krijon lidhjen e natyrshme midis qytetit të Gjakovës dhe Tropojës. Sipas saj, Gjakova ka një peizazh piktoresk dhe ofron mundësi dhe potencial të madh për zhvillimin e turizmit malor.
Vitin e kaluar në maratonë morën pjesë 135 vrapues nga Gjakova dhe qytete tjera të Kosovës, mirëpo Lila shpreh bindje se këtë vit numri i vrapuesve do të arrijë në 200, ndërsa njëkohësisht do të shtohet edhe numri i të huajve nga SHBA-të, Gjermania, si dhe nga diaspora kosovare.
“Nuk është e lehtë për një nënë të ketë sukses në jetën publike”
Duke qenë aktive në politikë 13 vite me radhë, Lila thekson se nuk është e lehtë për një nënë me dy fëmijë të organizojë kohën dhe të ketë sukses në jetën publike.
Ajo thotë se për secilën grua të suksesshme duhet një familje e fortë si mbështetje qoftë në rrafshin personal, qoftë në atë publik, ndërsa sugjeron vajzat që të fillojnë me punë dhe të jenë aktive në moshën rinore për të patur sukses në të ardhmen e tyre.
“Tashmë kam arritur në pikën ku nuk e luftojë më këtë ndjenjë të angazhimit të vazhdueshëm. E kam pranuar se është pjesë e jetës time dhe e shoh se kam energji të tepërt dhe mund të angazhohem në aktivitete të ndryshme”, thotë Mimoza Kusari-Lila.