Pas takimit të djeshëm midis Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe Presidentit të Ukrainës Vladimir Zelenskiy, u publikua një deklaratë e përbashkët.
Në deklaratën e publikuar pas takimit midis delegacioneve në Pallatin Huber në Stamboll, u ra dakord për të riafirmuar mbështetjen e pakushtëzuar për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe për të vazhduar koordinimin në hapat që synojnë rikthimin e integritetit territorial brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, përfshirë çlirimin e Republikës Autonome të Krimesë, qytetit të Sevastopolit dhe rajoneve Donetsk dhe Luhansk nga pushtimi.
Gjithashtu bëhet e ditur se është rënë dakord për të krijuar ‘Platformën e Krimesë’ si një format të ri për të adresuar aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Federata Ruse.
Në mes tjerash në deklaratë thuhet se është rënë dakord për përpjekjet e bashkërenduara sipas ligjit ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Republikën Autonome të Krimesë të pushtuar përkohësisht dhe qytetin e Sevastopolit si dhe për të liruar të gjithë qytetarët ukrainas, përfshirë tatarët e Krimesë të ndaluar në mënyrë të paligjshme.
Në deklaratën e përbashkët, e cila theksoi perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, thuhet: “Është rënë dakord të rritet bashkëpunimi për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Detit të Zi përmes mekanizmave dypalësh dhe shumëpalësh, duke përfshirë NATO.”