Organi më i lartë i industrisë së mbrojtjes turke njoftoi të mërkurën se do të zhvillojë një tender për prodhimin e tre fregatave të reja si pjesë e projektit “MILGEM” që tashmë ka pajisur Forcat Detare Turke me anije luftarake të prodhuara në vend.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Presidenca e Industrive të Mbrojtjes (SSB) tha se shkalla e prodhimit të pjesëve të prodhuara në vend në anijet e reja do të jetë më e lartë se më parë.
Ismail Demir, kreu i SSB-së, tha se ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur nevojat e forcave të sigurisë me teknologjitë më të avancuara, me synimin për një “Turqi plotësisht të pavarur në industrinë e mbrojtjes”.
“Atdheu Blu”, të cilin Turqia quan detet që rrethojnë vendin, zë një vend të rëndësishëm në këto përpjekje, tha Demir, ndërsa ushtria lëviz drejt rritjes së fuqisë së saj detare.
Projekti përfshin ndërtimin e anijeve që do të kryejnë zbulimin dhe mbikëqyrjen, identifikimin dhe njohjen e objektivave, misionet e paralajmërimit të hershëm, mbrojtjen e bazës dhe portit, luftën kundër nëndetëseve (ASW), luftën në sipërfaqe, luftën e mbrojtjes ajrore, dhe jo vetëm. /Telegrafi/