Rezultatet e para të një vizite të Erdoganit te fqinji delikat
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, pas takimit me kryeministrin irakian Mohammed Al Sudani në Bagdad, tha se Marrëveshja Kornizë Strategjike e nënshkruar midis Turqisë dhe Irakut përfaqëson një “hartë të fortë rrugore”.
“Unë besoj se vizita ime dhe marrëveshjet e sapo nënshkruara do të përfaqësojnë një pikë kthese të re në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Irakut”, tha Erdogan në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin irakian.
Në kryeqytetin irakian, pas takimit mes Erdoganit dhe Al Sudanit, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në Projektin e Rrugës së Zhvillimit ndërmjet Irakut, Turqisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolia.
“Marrëveshja kornizë strategjike për bashkëpunim të përbashkët që ne nënshkruam me kryeministrin (Al Sudanin) përfaqëson një udhërrëfyes të fortë,” tha Erdogan.
Duke iu referuar takimeve të zhvilluara me kryeministrin AL Sudani dhe presidentin e Irakut Abdul Latif Rashid, Erdogan tha se bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit ishte një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës.
Për situatën në Lindjen e Mesme
Ai shtoi se Turqia e mirëpriti shpalljen e PKK-së si një organizatë të ndaluar në Irak.
“Ne diskutuam hapat e mundshëm të përbashkët kundër organizatës terroriste PKK dhe degëve të saj, të cilat synojnë Turqinë nga territori i Irakut,” tha Erdogan.
Të dy liderët folën edhe për sulmet izraelite në Gaza.
“Kam diskutuar me kolegët e mi irakenë për pasojat e dhunës izraelite në Palestinë në rajonin tonë dhe u konsultuam për hapat e përbashkët që mund të ndërmarrim”, tha Erdogan.
Në kuadër të rritjes së tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, Erdogan u ka kujtuar të gjitha palëve relevante që të shmangin hapat që çojnë në përshkallëzim të tensioneve.
Vizita e Erdoganit në Irak vazhdon në Erbil. /tesheshi.com/