1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“Turqia kontribut të drejtpërdrejtë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë”

Më të lexuarat

Presidenti i Shqipërisë, ka dekretuar shpalljen e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare mes dy vendeve

Tiranë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar shpalljen e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare ndërmjet dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se “Kjo marrëveshje reflekton vullnetin e Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes një kontributi të drejtpërdrejtë për Forcat e Armatosura të vendit tonë”.

Marrëveshja “Për bashkëpunimin financiar ushtarak ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe protokolli zbatues në lidhje me asistencën financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”, u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 prill të këtij viti, ndërsa ligji për ratifikimin hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Sipas dokumenteve zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë, marrëveshja dhe protokolli janë nënshkruar në kuadër të bashkëpunimit e të miqësisë me Republikën e Turqisë, si dhe me synim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme miqësore dhe për të kontribuar në ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Marrëveshja në fjalë ka për qëllim përcaktimin e parimeve në lidhje me dhënien e ndihmës financiare që duhet të alokohet në disa vite, me qëllim blerjen e mallrave dhe shërbimeve për qëllime ushtarake, mundësisht nga firmat dhe shoqëritë vendase që janë pjesë 100 për qind e prodhimit të brendshëm, kryesisht në Turqi.

Ndërsa protokolli i implementimit ka për qëllim vendosjen e parimeve të zbatimit të asistencës financiare që do t’i alokohen Shqipërisë nga Republika e Turqisë, brenda kuadrit të ligjeve të brendshme dhe pjesëve të buxhetit vjetor të Turqisë të shtrirë në vite.

Marrëveshja dhe protokolli janë nënshkruar nga ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, më 6 shtator 2019 në Tiranë dhe nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, më 11 nëntor 2019 në Ankara.

Në shkurt të këtij viti mes Shqipërisë dhe Turqisë është nënshkruar edhe plani i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes për vitin 2020, me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Institucionet turke çdo vit ofrojnë ndihmë të vazhdueshme për Shqipërinë në fusha të ndryshme, duke kontribuar edhe në logjistikën ushtarake.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit