Turqia kërkoi vendosjen në territorin e saj të sistemit “Patriot” – të mbrojtjes antiraketore të NATO-s – për shkak të shqetësimeve në lidhje me luftën civile në Siri.
Zyrtarët turq janë gjithnjë e më të shqetësuar për përhapjen e luftës civile në territorin e saj. Në një deklaratë, qeveria në Ankara deklaroi se kërkesa është dërguar për “shkak të rreziqeve që sjell kriza e vazhdueshme në Siri”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, ka shkruar sot në rrjetin social Twitter se “aleatët do ta marrin pa vonesë në konsideratë këtë kërkesë”.
Kreu i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, tha se i ka thënë ambasadorit gjerman në Turqi që “ta pranojë pozitivisht një kërkese të tillë”.
“Do të ishte një gabim serioz në qoftë se ne nuk i ofrojmë mbështetjen mbrojtëse një vendi anëtar të NATO-s, në një kohë kur ajo ndjen ekspozimin ndaj sulmeve nga jashtë”, tha Westerwelle.
Në Siri, që nga marsi i kaluar, vazhdon kryengritja kundër regjimit të Presidentit Bashar al-Assad, i cili në ndërkohë ka eskaluar në luftë civile me mbi 39 mijë të vdekur, shumica civilë.kohaislame