0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

“Turqia e fuqishme është garanci për ne”

Më të lexuarat

Haluk Yıldız, kryetari i Partisë për Reforma dhe Drejtësi (BIG), e themeluar nga pjesëtarë të komunitetit turk në Gjermani, thotë se Turqia është kështjella e fundit e rajoneve muslimane

CİHAD ALİU

Haluk Yıldız, kryetari i Partisë për Reforma dhe Drejtësi (BIG), e themeluar nga pjesëtarë të komunitetit turk në Gjermani, thotë se Turqia është kështjella e fundit e rajoneve muslimane dhe se Turqia është vendi i vetëm ku mund të drejtohet Ballkani në rast nevoje.

Yıldız, i cili ndodhet në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, në kuadër të një turneu ballkanik në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, i shoqëruar nga një delegacion, për Anadolu Agency (AA) tha se në kuadër të partisë së tij ka shqiptarë, boshnjakë dhe turq të Bullgarisë. Ai thotë se synimi i partisë së tyre është që në vitin 2019 të hyjnë në Parlamentin Evropian (PE).

“Nuk ka barazh në zgjedhjet për PE. Pra, ne kemi mundësi të çojmë një deputet në Bruksel me 180 mijë vota. Gjithsesi, arsyeja pse ndodhemi në Maqedoni është që shtrirjet farefisnore dhe ato institucionale të muslimanëve të Ballkanit në Gjermani t’i përfshijmë në partinë tonë në aspektin pozitiv. Aktualisht, në partinë tonë ka numër të konsiderueshëm të boshnjakëve, shqiptarëve dhe turqve nga Bullgaria”, tha Yıldız.

“Këtë gjë duhet ta sjellim në një gjendje më cilësore dhe më institucionale”, shtoi Yıldız, duke potencuar se për këtë arsye janë duke zhvilluar turne në këto vende edhe përkundër zgjedhjeve që do të mbahen në Gjermani më 24 shtator.

Yıldız u shpreh se në këto shtete dëshirojnë të krijojnë një rrjet të fuqishëm.

“Turqia e fortë është garanci për ne”

Yıldız thotë se Turqia ka kaluar në një periudhë të rëndë dhe se aktualisht është kështjella e fundit e rajoneve muslimane, duke shtuar se është e nevojshme radhitja në anën e duhur kundër lojërave të botës perëndimore.

“Ashtu sikundërse ata bëjnë aleancë kundër nesh dhe na sulmojnë, edhe ne duhet t’i lëmë anash armiqësitë, të shohim synime të mëdha dhe ta mbështesim Turqinë që të bëhet më e fortë. Ku do të shkonin sot sirianët po të mos ekzistonte një Turqi e fortë. Mos dhashtë Zoti, por sikur në Ballkan të ndodh ndonjë gjë, Turqia do të jetë shteti i vetëm ku mund të shkojnë, por Turqia nuk do të ketë ndonjë shtet ku mund të shkojë. Turqia e fortë është garanci për ne”, tha Yıldız.

Ai ka folur edhe për fushatën zgjedhore në Gjermani dhe debatet mbi Turqinë dhe turqit në këtë vend. Ai thotë se këto debate tregojnë se turqit janë të rëndësishëm, duke shtuar se ka vërejtur që luhet një lojë duke përdorur Turqinë.

Yıldız thekson se prej vitesh emri i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan është përdorur si mjet në mënyrë sistematike. Për këtë arsye, siç thotë ai, shpresojnë që në zgjedhjet e 24 shtatorit në Gjermani komuniteti turk të sillet me ndjeshmëri më të madhe dhe të shënojë pjesëmarrje më të madhe në to.

“Shkalla e pjesëmarrjes së turqve në zgjedhje në Gjermani nuk kalon mbi 30 për qind. Kjo është përqindje e vogël. Ka afër një milion e 400 mijë votues turq, por shifra e pjesëmarrjes nuk kalon mbi 400-500 mijë. Shpresoj që në këto zgjedhje të arrihet shifra 500-600 mijë”, shprehet Yıldız.

Ai është i mendimit se qeveria e ardhshme në Gjermani sërish do të përbëhet nga një koalicion i kryesuar nga Demokristianët e udhëhehqur nga kancelarja Angela Merkel.

Duke folur për thirrjen e presidentit Erdoğan që “të mos votohen Demokristianët, Socialdemokratët dhe të Gjelbërtit”, Yıldız tha se kjo thirrje nuk nënkupton se vota duhet t’u jepet partive të tjera, pasi që, sipas tij, edhe partitë e tjera kanë zhvilluar fushatë antiturke në masë të njëjtë.

“Cila është alternativa? Alternativë janë partitë që nuk mund të hyjnë në kuvend. Ne jemi një opsion serioz, pra, ne jemi partia më e madhe e migrantëve. Në zgjedhjet e fundit morëm më së shumti vota”, tha Yıldız. Ai shtoi se janë duke i sqaruar elektoratit se si reflektohet vota e tyre për ta në sistem.

Yıldız rikujtoi se votat e të gjitha partive që ngelin nën 5 për qind sipas sistemit elektoral në Gjermani u shpërndahen partive të sistemit. Andaj, siç thotë ai, kanë vendosur që të mos lejojnë që elektorati turk të instrumentalizohet në këtë lojë politike.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit