1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Turqia do të formojë komision kundër varësisë nga droga, alkooli dhe duhani

Më të lexuarat

STAMBOLL (AA) – Turqia do të formojë një komision i cili do të ketë për detyrë të ndihmojë njerëzit në luftën e tyre kundër varësive me të cilat përballen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajmi është konfirmuar të dielën nga zëvendëskryeministri turk, Recep Akdağ, i cili njoftoi se komisioni i lartë për luftën kundër varësive, do të përbëhet nga katër nëngrupe që do të trajtojnë varësitë nga droga, alkooli, duhani dhe teknologjitë.

Në një program televiziv në “CNNTurk”, Akdağ, tha se një nismë e tillë është ndërmarrë me propozim të kryeministrit të Turqisë, Binali Yıldırım, për të shtuar se “pas obezitetit dhe pasivitetit, duhanpirja është vesi më i përhapur në Turqi që shkakton probleme shëndetësore”.

Sipas tij, shkalla e duhanpirjes në Turqi (mosha mbi 15 vjeç) është 31 për qind, që është për 5 për qind më lart nga viti paraprak. “Do të duhet ta vëmë nën kontroll”, tha Akdağ, sipas të cilit gati secili i varur nga droga, fillimisht ka nisur me duhanin.

Zëvendëskryeministri i Turqisë bëri të ditur se lufta kundër varësive do të zbatohet nga Gjysmëhëna e Gjelbër dhe Ministria e Familjes dhe Politikave Sociale, ku qytetarët do të kenë në dispozicion një numër telefoni i cili do të jetë funksional në çdo kohë.

Për sa i përket varësive nga teknologjitë, Akdağ tha se kjo dukuri është e përhapur në Turqi, ndonëse jo në përmasat e Evropës dhe SHBA-ve. Varësia nga interneti, tha ai, shkatërron aftësitë shoqërore të individit, që shkakton probleme të natyrave të ndryshme, nga shkaku i të cilës, kjo çështje është vendosur edhe në axhendën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit