2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Turqia dhe struktura paralele

Më të lexuarat

Dr Xhasim Sultan
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik u përhap kaosi nga Çeçenia në Afrikën Veriore, duke mbërritur gjer në Irak. Vala e trazirave përfshiu Egjiptin, për të kaluar në vendet evropiane në formën e fluksit të emigrantëve, por edhe me tendencat seperatiste gjatë krizës ekonomike. Ngjarja më e fundit ishte grushti i shtetit në Turqi.
Në të gjithë këtë dinamikë, bota është në kërkim të një ekuilibri të ri, ndërkohë që ngjarjet në Turqi, pavarësisht se u zhvilluan në një kuadër rajonal dhe botëror të trazuar, kishin diçka ndryshe. Në Turqi kemi një shtet që ka korrur arritje të mëdha krahasuar me qeveritë e mëparshme, efektet e të cilave janë pasqyruar në shoqëri; një shtet demokratik i ardhur nga zgjedhjet e lira dhe të pakontestuara nga askush. Por si mund të ndodhë një grusht shteti në një vend të tillë?
Grushti i shtetit, sipas deklaratave të zyrtarëve turq, u organizua nga një strukturë paralele e udhëhequr nga Pensilvania në Amerikë, nga vetë dora e Fetullah Gylen.
Natyrshëm vërshuan sharjet ndaj kësaj strukture dhe liderit të saj në Pensilvani, nga të gjithë dashamirët e Turqisë, të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe të presidentit Erdogan. Nëse vërtetohet organizimi i këtij komploti prej tyre, apo dhe pjesëmarrja, ky është një akt që meriton të dënohet sepse do e kthente Turqinë dhjetëra vite pas, madje mund ta çonte drejt shpërbërjes, ndarjes dhe kaosit.
Këtu, ne nuk po shpallim pafajësinë e strukturës paralele apo fajësimin e saj, por duam të qartësojmë idenë e strukturës paralele kundër të cilës brofën në këmbë dhe e dënuan qytetarët turq, duke iu qasur nga pranë dimensioneve të kësaj ideje dhe nëse ka të bëjë vetëm më Fetullah Gylen, apo është prezente edhe në mesin dhe idetë e kritikëve të tij.
Na lipset të kuptojmë idenë e saj, kushtet e lindjes, modelet dhe objektivat e saj, me qëllim që e tashmja të mos na humbasë në shfyrjen e inatit por në rritjen e vetëdijes.
Kur vijmë të përkufizojmë strukturën paralele, mund të themi se ajo është një organizëm sekret që vepron duke u përqendruar dhe kapur postet kyçe të shtetit, operon falë udhëzimeve jozyrtare në interes të ideologjisë të cilës i beson, me një lidership i cili nuk ka cilësi zyrtare në shtet.
Kështu, ajo lind dhe zhvillohet në dy boshte paralele:
E para: Ideologji e fortë e cila kërkon përfaqësim politik.
E dyta: Sistem i mbyllur i cili nuk lejon rotacionin paqësor të pushtetit.
Shembujt nga historia janë të shumtë, që nga themelimi i lëvizjeve sekrete opozitare të së majtës gjatë viteve pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, partive e të cilave organizuan grushte shteti të shumtë, e që u bënë shkak i disa revolucioneve në zona të ndryshme të botës, por edhe të botës arabe si në Irak, Egjipt, Siri dhe Jemen, për të kaluar tek xhematet (organizmat) islamike të cilat luftonin për ngritjen e shtetit islamik, apo kalifatit, por që nuk patën sukses në terren, përveç rastit të Sudanit falë organizmit të dr Turabit i cili përfundoi me rënien e shtetit.
Në rastin e lëvizjeve islamike, kjo përfundoi me ndërhyrjen e dorës së hekur të shtetit, në një hsitori të gjatë sulmesh e kundërsulmesh, ekzekutimesh, arrestimesh e burgosjesh. Prandaj dhe ideja e strukturës paralele është e njëjta ide e organizmit absolut i cili synon ta gllabërojë shtetin nga brenda, nëpërmjet kapjes së pikave kyçe të tij, si fillim i zbatimit të ideologjisë politike.
Në Turqi lindi dhe u zhvillua e njëjta gjendje si ajo e Botës Arabe; një dëshirë e flaktë për kthimin e lavdisë islame, ideologji me përmasa politike dhe sistem shekullarist represiv, të cilat prodhuan dy modele të aktivitetit islam. Modeli i parë është ai i nursive, ndjekësit e Seid Nursi, një dijetar kurd i cili e nisi jetën duke u përplasur me partinë shekullariste të xhonturqve, me të cilët pati përplasje të mëdha politike, për ta mbyllur jetën me idenë e tij të famshme ku shprehet:”Zoti më ruajt nga politika!” Në këtë fazë të jetës ai e shihte me prioritet shpëtimin e besimit të mbetur, në një kohë ku problemi më i madh ishte uniteti dhe jo sistemi politik. Të gjithë potencialin e tij ai e vuri në shërbim të këtij misioni, me shkrimet dhe ligjëratat e tij. Kjo linjë u ndërthur me karakteristikat e përgjithshme të turqve, tipike e mistikut Xhelaludin Rumi, një dijetar nga Afganistani, jurist hanefi dhe mistik sufist i famshëm, i cili bënte thirrje për tolerancë me tjetrin, gjë të cilën e pikas kollaj në frymën turke, e cila i pranon të gjitha fetë. Këto rryma mistike u fokusuan në hapjen e shkollave dhe orientimit drejt islamit social, në vend të atij politik.
Nga brendësia e idesë nursiste lindi dhe ideja e profesorit Fetullah Gylen, i cili mësoi përmendësh Kuranin në vitet e para të jetës, që kur ishte katër vjeç, studioi shkencat islame tradicionale me profesorët e kohës dhe më vonë iu përkushtua studimit të shkencave moderne dhe filozofike, për të përfunduar si imam dhe vaiz në të gjitha rajonet e Turqisë.
Mendimet e tij pësuan një zhvillim krahasuar me ato të profesorit të tij Seid Nursi, për tu transformuar në një mendim të ndryshëm i cili la gjurmë në mjedisin islam. Ideja e tij është ajo e islamit social, duke ngritur me mijëra institucione arsimore cilësore, në Turqi dhe jashtë saj. Ai doli kundër orientimit të Erbakanit për armiqësi me Perëndimin dhe deklaroi se Turqisë nuk i lipset zbatimi i sheriatit sipas perceptimit tradicional, por i lipsen liritë, drejtësia dhe demokracia. Që këtu, disa e shohin atë si profesorin e Erdoganit, madje e shohin dhe si shkak të themelimit të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim me formën e saj përkuese me politikat e Bashkimit Evropian dhe standartet e tij. Me përhapjen e ideve dhe nxënësve të tij në çdo shtet, si brenda dhe jashtë Turqisë, shoqëria u nda në dy pjesë: Njëra që e shihte si reformator që bashkon mes modernizmit dhe islamit, kurse tjetra ajo e shtetit turk, i cili e shihte si një person të rrezikshëm që kërkon të zhdukë shekullarizmin falë islamizimit të shoqërisë.
Që këtu, viti 1999 përbën vitin vendimtar, pasi Gylen bën disa deklarata të cilat shteti turk i konsideroi si sulm ndaj institucioneve të veta, gjë e cila e detyroi të lërë Turqinë. Ndaj tij u hapën një sërë hetimesh rreth shkollave dhe lidhjeve të tyre me arsimin dhe propogandën fetare. Asokohe, nuk iu vu asnjë akuzë rreth qëndrimit të tij armiqësor karshi shtetit turk. Kriza e dytë me shtetin turk lindi kur iu publikua një regjistrim audio në të cilin u kërkonte ndjekësve të tij të depërtojnë në postet kyçe të administratës. Kriza e tretë u pasa nga rrjedhja e një regjistrimi audio ku u deklaronte ndjekësve të tij se po punon shtruar për ndryshimin e sistemit laik në Turqi në sistem qeverisës islamik dhe se kulturën turke do e përhapë në Uzbekistan. Kjo çoi në tensionim të marrëdhënieve mes Uzbekistanit dhe Turqisë, në mbylljen e shkollave të hizmetit në Uzbekistan dhe rritjen e presionit ndaj institucioneve të hizmetit brenda Turqisë.
Fetullah Gylen ia arriti të infiltrojë elementët e vet në të gjithë postet kyçe të administratës që para ardhjes së islamikëve (partikës për Drejtësi dhe Zhvillim) në pushtet, duke dashur ta mbërthejë shtetin nga brenda, duke i zhveshur institucionet nga pesha e tyre e vërtetë. Në fund të fundit, struktura paralele në thelb është zhvendosje e pushtetit të institucioneve zyrtare.
Me ardhjen e Erdoganit nisi një periudhë miqësie e shkurtër, ku partia për Drejtësi dhe Zhvillim pranon të fusë një sërë deputetësh të Hizmetit në listat e veta partiake. Gyleni pati edhe kërkesa të tjera, por Erdogani i refuzoi. Atëherë Gylen vendosi të përshkallëzojë tensionin me Erdoganin nëpërmjet luftës së rrjedhjes së informacioneve duke pëdorur njerëzit e tij në Shërbimin Informativ, ku u publikuan regjistrime që preknin njerëzit më të afërt të Erdoganit. Publikimet e këtyre informacioneve arritën deri në takimet për sigurinë kombëtare dhe ushtarake të shtetit, gjë e cila e shtyri Erdoganin të ndërrmarrë një luftë frontale me organizatën e fshehtë dhe institucionet e saj. Shteti modern nuk mund të drejtohet veçse nga institucionet dhe organet e veta zyrtare. E këtu lufta arriti në një pikë pa kthim.
Nuk ishte e papritur të ndodhë grusht shteti, ashtu siç nuk ishte e papritur të marrë pjesë në të hizmeti dhe ta planifikojë, me apo pa dijen e Gylen, gjë të cilën do e vërtetojnë hetimet ose do e hedhin poshtë. Deri këtu rrodhën ngjarjet deri sot, por, çfarë përfitojmë nga e gjitha kjo për rajonin tonë?
Së pari: Ideja e strukturës paralele dhe strukturës absolute është një nga idetë bazë të aktivistëve dhe lëvizjeve islamike. Gylen nuk është i pari që e mendon dhe zbaton atë. Ai dhe doktor Turabi në Sudan mbërritën majat. Turabi dështoi pas grushtit të shtetit, ndërkohë që Gylen dështoi që në përpjekjen për grusht shteti.
Së dyti: Krijimi dhe funksionimi nëpërmjet strukturës paralele, në thelb është si të vësh makinën të ecë mbi shinat e trenit, ku vjen një ditë, e largët apo e afërt, dhe treni i shtetit e merr para makinën e strukturës paralele. Në Sudan, shteti i përfaqësuar nga Bashir e vuri para strukturën paralele të Turabit dhe e çrrënjosi nga institucionet e veta, duke mbajtur aq sa i shërbenin shtetit. Në përvojën e Gylen, shteti me lidershipin e tij islamik, u përplas me strukturën paralele, në një luftë për thyerje kockash.
Së treti: Logjika e shtetit si institucion i vërtetë dhe publik dhe logjika e strukturës paralele që kontrollon fshehurazi shtetin, janë dy logjika të kundërta që nuk e pranojnë bashkëjetesën.
Ndoshta, Gylen dhe ndjekësit e tij as që u ka vajtur ndërmend kjo e vërtetë sado e rëndomtë, për rrjedhojë Turqia humbi jetë të vyera dhe energji strategjike të edukuara në shkolla aristokrate dhe institucione premtuese të përhapura në mbarë botën.
Ajo që ndodhi nuk ka përse të shërbejë për sharje, por për tu nxjerrë mësim nga ato mjedise që mbartin të njëjtën logjikë dhe që nuk e ndjejnë rrezikun e saj.
Perktheu: E. F

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit