5.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

“Turqia asnjëherë nuk do ta lë vetëm Palestinën”

Më të lexuarat

ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se Turqia deri më sot nuk i ka lënë vetëm asnjëherë vëllezërit palestinezë.

“Ne Palestinën nuk do ta lëmë vetëm asnjëherë në çështjen e ndihmave humanitare, projekteve të zhvillimit, gjithashtu as edhe në çështjen e politikës”, tha Çavuşoğlu, i cili ishte ftuar në panelin editorial të Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me kërcënimet e SHBA-ve për ndërprerjen e ndihmave ndaj Palestinës, ministri Çavuşoğlu tha: “Le të themi që SHBA i ndërpreu ndihmat për Palestinën. Por, ne për çfarë jemi duke qëndruar? Shpresoj që edhe vendet e tjera muslimane të tregojnë të njëjtën ndjeshmëri. Ambasadorët e vendeve që shkuan për pushime për t’i shpëtuar presionit në votimin e Kudsit prej tani e tutje shpresoj se do të jenë më të ndjeshëm për ndihmën ndaj Kudsit, Palestinës dhe Gazës”.

Shefi i diplomacisë turke është pyetur për qëndrimin e Turqisë e cila ka kundërshtuar ndërhyrjet e jashtme në protestat e nisura më 28 dhjetor 2017 dhe të cilat vazhduan për rreth një javë në Iran, ndikimin në afrimin midis Ankarasë dhe Teheranit si dhe fakti nëse do të ketë apo jo një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Në lidhje me këtë Çavuşoğlu ka thënë se mes Turqisë dhe Iranit herë pas here ka patur ndarje pikëpamjesh në disa çështje por në çështjen e Sirisë me proceset në Astana dhe Moskë është formuar një bashkëpunim mes dy vendeve.

“Ndonjëherë zgjidhja është më e lehtë kur i jepni përgjegjësi përgjegjësit të problemit dhe në këtë proces kemi hedhur hapa të rëndësishëm”, shtoi Çavuşoğlu duke bërë të ditur se hedhja e hapava të bazuar në besim ka reflektuar edhe në marrëdhëniet dypalëshe.

Ai thotë se stabiliteti në Iran është i rëndësishëm dhe qeveria në këtë vend ka ardhur në pushtet me zgjedhje. Çavuşoğlu thekson se “Nëse ka një problem, pra nëse do të ketë një ndryshim të regjimit ose të qeverisë ne dëshirojmë që kjo të realizohet me zgjedhje. Kjo është e vlefshme edhe për Turqinë edhe për vendet tjera. Ky është një parim. Nuk është një qëndrim vetëm kundrejt Iranit”.

“Për mendimin tim ishte një hap kritik që presidenti iranian Hassan Ruhani i vërejti pozitivisht demonstratat paqësore, që thoshte se po dhe nëse kishte probleme ato të zgjidheshin nëpërmjet dialogut. Sipas meje ishte gjithashtu jashtëzakonisht pozitive dhe një pjekuri demokratike që më pas ai mblodhi kabinetin duke thënë që të mos mbeteshin indeferentë jo vetëm ndaj kërkesave ekonomike të popullit por edhe të kërkesave të tjera të tij”, tha Çavuşoğlu.

Sipas tij, ndërhyrja e jashtme dhe dhënia e mbështetjes në situata të tilla nuk është e drejtë dhe se Turqia nuk ka ndonjë deklaratë se këto ngjarje u nisën nga SHBA-ja apo ndonjë vend tjetër.

– “Turqia asnjëherë nuk do ta lë vetëm Palestinën”

Lidhur me çështjen e Palestinës në pyetjet se “Çfarë hapash do të ndërmerren në drejtimin e Kudsit? A do të ketë iniciativa të reja të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI). A do të tregohet përpjekje për njohjen e shtetit të Palestinës edhe nga vende të tjera? A do të punojnë së bashku në çështjen palestineze dhe izraelite OBI dhe BE? Çfarë masash do të ndërmerren nëse SHBA-ja do ti ndërpresë ndihmat Palestinës?”, Çavuşoğlu u përgjigj: “Sikur të kishin funksionuar kërcënimet e tilla të SHBA-ve nuk do të kishte këtë humbje dërmuese në votimin e zhvilluar në OKB”.

Ai tha se Turqia deri më sot nuk i ka lënë vetëm asnjëherë vëllezërit pelsetinezë. “Ne Palestinën nuk do ta lëmë vetëm asnjëherë në çështjen e ndihmave humanitare, projekteve të zhvillimit, gjithashtu as edhe në çështjen e politikës”, tha ministri turk.

Çavuşoğlu ka bërë të ditur se do të vazhdojnë të sjellin në rend dite të drejtat e palestinezëve si dhe do të rritin përpjekjet që njohja e Palestinës të bëhet edhe nga vendet që nuk e njohin ende.

– “Suakin do të jetë një ishull atraktiv dhe turistik”

Në një vlerësim në lidhje me marrëdhëniet mes Turqisë dhe Sudanit për ishullin Sevakin (Suakin) si dhe për dezinformatat në rritje për këtë temë në shtypin arab, Çavuşoğlu ka vënë theksin se vendet që janë shqetësuar për punimet e Turqisë kanë ofruar mbështetje për bazat që disa vende perëndimore kanë ngritur në rajon.

“(Vendet e pakënaqura me punimet e Turqisë në ishullin Suakin). Shqetësohen kur Turqia bëhet pak aktive në këtë rajon. Cila është arsyeja? A jeni armik me Turqinë, jeni xhelozë ndaj Turqisë? Më tregoni arsyen e pakënaqësisë? Po kështu edhe në Katar, ku SHBA-ja ka më shumë se 11 mijë ushtarë. Në një kohë ne Arabisë Saudite i kemi propozuar, ejani ta formojmë këtë së bashku. Por, ju e dini që kur ndodhi kriza e Katarit, një nga kushtet e paraqitura për paqe me Katarin ishte mbyllja e kësaj baze. Përse nuk flisni për mbylljen e bazës amerikane?”, ka thënë Çavuşoğlu.

“Sudanezët e kanë mirëpritur propozimin e presidentit Erdoğan që ishulli t’i jepet përkohësisht Turqisë si dhe për restaurimin dhe ndërtimin e plotë të saj”, tha Çavuşoğlu.

Në vazhdim ai shtoi se “Nuk ka ndonjë bazë. Sudanezët gjithashtu para dy presidentëve kanë nënshkruar marrëveshje me kompanitë tona private, të tilla si ndërtimi i një kantieri detar. Për të vendosur sigurinë e Detit të Kuq. Kjo është e drejta më e natyrshme e Sudanit. Ne me Sudanin jemi duke punuar së bashku edhe në fushën ushtarake. Ne gjithashtu mbështesim trajnimin policor dhe ushtarak. Kjo nuk është gjithsesi një bazë ushtarake. Ky ishull do të jetë një tërheqje për turizmin dhe tregtinë”.

– Marrëdhëniet Turqi-Egjipt

Në pyetjen nëse ka inicitativa të drejtpërdrejta ose në formën e iniciativave indirekte për normalizimin e marrëdhënieve Turqi-Egjipt, Çavuşoğlu ka bërë të ditur se janë takuar me ministrin e Jashtëm egjiptian, Samih Shukri në takimet ndërkombëtare dhe ka rikujtuar vlerësimet e presidentit Erdoğan se me Egjiptin mund të zhvillohen bisedime në nivel ministror.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se ka patur edhe disa takime mes ministrave të Ekonomisë, Çavuşoğlu tha se “Ne gjithmonë kemi shprehur këtë: Ne nuk kemi problem me popullin egjiptian. Këtu ka patur një grusht shteti dhe ne jemi kundër grusht shtetit”.

Ai tha se Egjipti duhet të jetë i fortë dhe i qëndrueshëm si një nga vendet më të rëndësishme të botës islame. Çavuşoğlu theksoi rëndësinë e sigurimit të paqes dhe qetësisë në Egjipt.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit