Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, ka theksuar nevojën për të promovuar trafikun turistik brenda Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) prej 57 anëtarësh, që përbën një popullsi kolektive prej mbi 1.8 miliardë banorë.
Duke iu referuar vlerës së trafikut turistik midis këtyre vendeve në rritje prej 243 miliardë dollarë deri në vitin 2021, me një rritje vjetore prej 8,3 për qind, Hasina u kërkoi qeverive të lehtësojnë kufizimet e vizave dhe të ndërtojnë infrastrukturë në mënyrë që të përfitojnë nga ekonomia turistike.
“Turizmi islamik (udhëtimi brenda vendeve anëtare të OBI-t) është një sektor i mundshëm, ku të gjithë kemi një mundësi për të punuar së bashku në arritjen e objektivave tona”, tha Hasina, duke përuruar një konferencë dy ditore për të promovuar kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka si qytetin i OBI-t të turizmit.
Deri në 10 vende anëtare të OBI-t, përfshirë Arabinë Saudite, Indonezinë dhe Turqinë, përbëjnë 36 për qind të trafikut turistik nga vendet muslimane, njoftoi së fundmi një agjenci vlerësimi me bazë në Singapor.
Duke theksuar nevojën për të promovuar turizmin islamik si një markë globale biznesi, Hasina i kërkoi OBI-t që të inkurajojë sektorin privat që të investojë në turizëm dhe të zhvillojë infrastrukturën dhe projektet, individualisht ose në sipërmarrje të përbashkët, me qeveritë përkatëse.
“Popullsia muslimane në nivel global ka shpenzuar një shumë totale prej 151 miliardë dollarësh për udhëtimet në vitin 2015. Nga shuma, vendet anëtare të OBI-t kontribuan 109 miliardë dollarë”, citohet të ketë thënë Hasina në agjencinë e lajmeve shtetërore Bangladesh Sangbad Sangstha.
Përveç thirrjes për lehtësimin e kufizimeve të vizave për të promovuar trafikun turistik, ajo po ashtu theksoi nevojën për etiketimin dhe standardizimin e destinacioneve turistike. Ajo u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të OBI-t që të zgjidhin çështjet mes tyre.
Hasina tha se muslimanët deri në vitin 2020 do të bëjnë 26 për qind të popullsisë së përgjithshme botërore, duke shtuar se gjatë vitit të ardhshëm numri i turistëve muslimanë mund të rritet nga 156 milionë në 180 milionë./AA