0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Tubimi dhe shumëzimi i Kur’anit

Më të lexuarat

Muzemil Osmani

Kur’ani, që është fjalë e Allahut (xh. sh.),  zbriti në intervale të caktuara kohore, sukcesivisht brenda periudhës 23 vjeçare, duke filluar në Mekë (610-622 ) dhe në Medinë ( 622-632 ), qytete këto të cilat falë punës së madhe dhe reformave të Muhamedit (a. s.) u bënë të njohura jo vetëm në Arabi,  por edhe në mbarë rruzullin tokësor.

Kur’ani si libër i fundit që zbriti në rruzullin tokësor u shkrua në momentin e shpalljes, gjë e cila nuk ka ndodhur me librat tjerë të mëparshëm, Kur’ani ishte i tubuar edhe në kohën e Muhamedit (a. s.), por nuk ishte i tubuar siç e kemi ne sot.  Në këtë formë të cilën e kemi ne sot është tubuar për herë të parë në kohën e Ebu Bekrit (r. a.) dhe duke vazhduar më vonë,  me disa kopje të tjera,  në kohën e Othmanit (r. a.).

Për ruajtjen e Kur’anit ka garantuar vetë Allahu (xh. sh.),  i cili thotë: “Vërtet, ne e zbritëm Kur’anin dhe ne do ta ruajme atë.” (surja Hixhër: 9)

E lus Allahun (xh. sh.) që ky punim të jetë në dobi të të gjithë atyre që do ta lexojnë.

 Tubimi i Kur’anit në kohën e Muhamedit (a. s.)

Kur’ani si libër i fundit i është zbritur Muhamedit (a. s.) në mënyrë graduale, kohë pas kohe. Zbriste ajeti për të cilin Muhamedi (a. s.) kishte nevojë.  Kështu,  zbriti në një periudhë prej 23 vjetësh, pjesë-pjesë dhe jo i tërë,  përnjëherë, ndërsa tubimi i Kur’anit u bë sa ishte gjallë Muhamedi (a. s.). Tubimi dhe ruajtja e Kur’anit gjatë jetës së Muhamedit (a. s.) bëhej në dy mënyra:

  Nxënia e Kur’anit dhe ruajtja e tij përmendsh

Siç e dimë,  Kur’ani i zbriti Muhamedit (a. s.) që ishte analfabet dhe në gjuhën e një populli që ishte i pashkolluar, prandaj kujdesi më i madh i Muhamedit (a. s.) ishte që myslimanët ta mësojnë Kur’anin përmendsh.  Njëkohësisht,  ai  ua mësonte dhe i nxiste sahabët që ta nxinin Kur’anin përmendsh.

Këtë më së miri na e tregon vetë Kur’ani famëlartë:    “Ai (Allahu) është Ai që e ka dërguar tek analfabetët Pejgamberin nga mesi i tyre, i cili u citon ajetet e tij, i pastron ata dhe ua mëson librin (Kur’anin ) dhe urtësitë, edhe pse më parë, ata qartazi ishin në humbje.”

Nga ky ajet shihet qartë se Muhamedi (a. s.) dhe sahabët e tij ekskluzivisht i kushtohen nxënies së Kur’anit përmendsh, ngase kjo ishte e vetmja mënyrë për të ruajtur Kur’anin, sepse shumica e njerëzve ishin analfabetë.

Karakteristë e hershme e arabëve ishte nxënia përmendsh.  Edhe para Islamit ata njiheshin për aftësitë e tyre që të mësonin përmendsh: dihet se para Islamit arabët mësonin përmendsh mijëra vargje të poezisë dhe poezitë më të mira i varnin në muret e Qabesë.

Këtë aftësi mendore arabët do ta shfrytëzojnë për nxënien e Kur’anit përmendsh, për shkak se Kur’ani është libër hynor, i përkryer,  si nga përmbajtja, ashtu edhe nga ndërtimi artistik, stilistik dhe është i paaritshëm në çdo aspekt.  Arabët do ta shfrytëzojnë tërë potencialin e tyre për ta nxënë përmendsh Kur’anin.

Sujutiu në El-Itkan përmend se në fillim zbritën suret e shkurtra dhe,  fëmijët myslimanë i kishin mësuar të gjitha  suret e shkurtra të Kur’anit.

Angazhimi i sahabëve në nxënien e Kur’anit përmendsh ishte bërë pjesë e jetës së tyre, kudo që të ishin.  Transmetohet se Muhamedi (a. s.) i dallonte shtëpitë e sahabëve natën, në bazë të zërave që dëgjonte kur ata lexonin Kur’an në familjet e tyre,  edhe pse më parë nuk i kishte ditur shtëpitë e tyre.

Në Xhaminë e Muhamedit (a. s.) dëgjohej zhurmë e madhe nga leximi i Kur’anit, saqë Pejgamberi (a. s.) kërkonte nga sahabët që të ulnin zërin e tyre,  që mos të pengonin njëri-tjetrin derisa e mësonin Kur’anin.

Kështu vilej dhe ruhej Kur’ani në shpirtin e pastër të sahabëve,  në mënyrë shumë të sigurt.  Edhe sot e kësaj ditë kjo traditë e nxënies së Kur’anit vazhdon, kështu që në botë kemi me mijëra hafëza të Kur’anit. Historia nuk shënon të jetë mësuar ndonjë libër tjetër përmendsh sikurse që është mësuar Kur’ani. Një ruajtje të tillë të Kur’anit ua mundësoi besimtarëve Allahu (xh. sh.), i cili thotë: “Ne vetë e kemi bërë të lehtë Kur’anin për nxënie (dhe kuptim),  prandaj, a ka kush që do ta mësojë.”

 Kur’ani vilej dhe ruhej edhe duke e shkruar

Edhe pse Kur’ani i zbriti Pejgamberit analfabet dhe te një popull i cili me shumicë ishte analfabet, por Muhamedi (a. s.) nuk e la pa e shkruar Kur’anin –  i obligoi shokët e vet që dinin shkrimin (e numri i atyre ishte shumë i vogël), caktoi disa njerëz të cilët do të merreshin vetëm me shkrimin e Kur’anit dhe këta do të quhen “Shkrues të Kur’anit”.

Ndër shkruesit më të njohur të Kur’anit janë  Katër Hulefai-Rashidinët:  Ebu Sufjani, Talha bin Abdil-lahi, Abdullah bin Revaha, Ubejd bin Ka’bi, Aisha (r. a.), Zejd bin Thabit dhe Alij bin Ebi Talibi.  Këta janë disa prej sahabëve më të dalluar.

Kur’ani gjatë kohës së Muhamedit (a. s.). u shkrua nëpër mjete të ndryshme,  siç janë: lëkurë, eshtër, pllakë druri, fletë papirusi etj. Gjatë kohës së Muhamedit (a. s.) thuajse i tërë Kur’ani ishte i shkruar,  por nuk ishte i tubuar në një vend, MUS’HAF.

Ndokush ka të drejtë të pyesë se pse nuk është tubuar Kur’ani në kohën e Muhamedit (a. s.),   sikurse e tuboi Ebu Bekri apo Othmani – Allahu qoftë i kënaqur me ta. Dijetarët kanë përmendur shumë shkaqe, por ne do t’i përmendim vetëm disa prej tyre:
• Nuk u paraqit nevoja e tubimit të Kur’anit aq shumë,  siç u paraqit në kohën e Ebu Bekrit e të Othmanit – Allahu qoftë i kënaqur me ta.
• Në kohën e Muhamedi (a. s.) Kur’ani ishte në zbritje e sipër,  dhe mundësia ishte që disa ajete që zbritnin t’i anulonin disa të tjera.
• Kur’ani nuk kishte zbritur përnjëherë në tërësi, por ishte në zbritje pjesë-pjesë,  kohë pas kohe. Po të ishte përmbledhur në tërësi në një vend, atëherë do të ishin të detyruar që t’i ndryshojnë të gjitha shkrimet e Kur’anit sa herë që zbrisnin ajete apo sure të tjera.

Kështu është ruajtur dhe është mësuar Kur’ani gjatë kohës së Muhamedit (a. s.),  duke u zbatua fjala e Allahu (xh. sh.) që thotë:  “Vërtet, ne e kemi zbritur përkujtuesin    (Kur’anin) dhe ne do ta ruajmë atë.”

Tubimi i Kur’anit në kohën e Ebu Bekrit (r. a.)

Pasi që Muhamedi (a. s.) kaloi në botën tjetër,  udhëheqja e  Kalifatit iu besua njërit ndër shokët më të afërt të Muhamedit (a. s.). Ebu Bekrit (r. a.), i cili qëndroi në Kalifat prej vitit  11-13 h/ 632-634 m.

Menjëherë,  në fillim të udhëheqjes së tij,  filluan të paraqiten problemet e para:  qysh në vitin e parë të Kalifatit,  më saktësisht në vitin 12 h. Muselem el Kedhabi paraqitet si Pejgamber dhe kjo e detyroi Ebu Bekrin që t’i shpallë luftë atij dhe ithtarëve të tij.

Në Betejën e Jemames,  ku u zhvillua një luftë e rreptë mes myslimanve dhe renegatëve,   ranë shehid shumë luftëtarë, në mesin e të cilëve ishin edhe 70 hafëz të Kur’anit.

Edhe pse lufta mbaroi me fitoren e myslimanëve, humbja e hafëzave të Kur’anit i ka brengosur shumë myslimanët, e sidomos Omer bin Hatabin, i cili nga frika se mos bie numri i atyre që e  dinë Kur’anin përmendsh,  i propozoi kalifit Ebu Bekër (r. a.) që të tubohet Kur’ani në një vend.

Omeri (r. a.) e bindi Kalifin se kjo punë që e propozon është në dobi të të gjithë myslimanëve; pas pajtimit të Ebu Bekrit,  shtrohet pyetja se kujt duhej t’i besohej kjo punë kaq e rëndësishme, punë kjo mjaft e vështirë,  e cila kërkon një angazhim shumë të madh, ngase Kur’ani duhej të tubohej nga shumë dorëshkrime të ndryshme,  të cilat nuk ishin të shkruar në letër,  por në materiale shumë më të thjeshta (si lëkurë, eshtra etj.).

Ebu Bekri këtë punë kaq madhështore do t’ia besojë shkruesit më të njohur të Kur’anit gjatë jetës se Muhamedit (a. s.), më të njohurit në këtë fushë, më të afirmuarit dhe më të angazhuarit ndër sahabët në shkrimin e Kur’anit, Zejd bin Thabitit.  Edhe ky në fillim, njësoj si Ebu Bekri,  nuk e pranonte një gjë të tillë,  duke deklaruar:  ‘si mund ta bëjmë një punë të cilën nuk e ka bërë Muhamedi (a. s.)’.   Zejd bin Thabiti ka thënë:  “…Si të bëj diç që nuk e ka bërë Pejgamberi (a. s.).? Omeri tha: Pasha Zotin, është më mirë që të bëhet kjo.  Omeri nuk pushoi duke e kërkuar prej meje këtë, derisa Allahu ma zgjeroi kraharorin për këtë dhe derisa për këtë e mora qëndrimin e Omerit.”  Zejdi thotë: Ebu Bekri më tha: “Ti je i ri dhe njeri i mençur dhe nuk dyshojmë në ty. Ia ke shkruar shpalljen Muhamedit (a. s.).  Pra,  radhite Kur’anin dhe tuboje.” Pasha Zotin,  thotë Zejdi,  sikur të më kishte obliguar që ta mbaja ndonjërën prej kodrave, nuk do ta kisha më vështirë se tubimin e Kur’anit, me të cilën më ngarkoi… Me rend e kam radhitur dhe e kam tubuar Kur’anin nga degët e palmave,  nga pllakat e gurit dhe nga njerëzit që e dinin përmendsh,  derisa fundin e sures Tevbe e gjeta te Huzejme Ensariu.”

Për ta tubuar Kur’anin në këtë periudhë nuk mjaftonte që vetëm  për argument të merret ajo çka është mësuar përmendsh, apo ajo në të cilën ishte shkruar Kur’ani, por patjetër duhej që për një ajet të dëshmojnë dy persona – se ajo pjesë e ajetit është lexuar para Muhamedit (a. s.).  Sipas Ibni Haxher el Askalanit,  qëllimi me dy dëshmitarë është:  “të mësuarit përmendsh dhe të shkruarit”.

I tërë Kur’ani u tubua në këtë mënyrë,  me nga dy dëshmitarë.  Vetëm ajeti: “ Vërtet, ju ka ardhur Pejgamber nga mesi juaj” është gjetur vetëm te Huzejme Ensariu, por këtë ajet e dinin të gjithë hafëzat e Kur’anit, por mungonte edhe një dëshmitar që të dëshmonte për këtë ajet.  Muhamedi (a. s.) në lidhje me dëshminë e Huzejmës ka thënë: “Se dëshmia e Huzejmes vlen sa dy dëshmi.”

 Veçoritë e këtij tubimi:

Se i tërë Kur’ani u tubua në mënyrë më të besueshme, dhe me metodën më të mirë,  të cilën e vërtetojnë hulumtimet shkencore sot.

U shkruan vetëm ajetet të cilat nuk janë të deroguara, dhe nuk është shkruar asnjë ajet që është deroguar.

Të gjithë dijetarët pranojnë se i gjithë Kur’ani që u shkrua është Tevatur dhe

i përfshin që të shtatë shkronjat në të cilat ka zbritur Kur’ani.

Ebu Bekri ishte njeriu i parë prej atyre që Allahu e zgjodhi për këtë punë të shenjtë, të cilën ua bëri Islamit dhe myslimanëve.

Tubimi i Kur’anit në kohën e Othmanit (r. a.)

Në periudhen e Kalifit të dytë,  Omerit (r. a.),  Islami si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi depërtoi thellë në truallin e persëve dhe të romakëve. Në këtë periudhë do të kuptohet se do të këtë besimtar të Islamit edhe nga joarabët, për të cilët ishte vështirë të lexonin Kur’anin drejt,  për shkak se nuk e dinin gjuhën arabe dhe mungonin mus’hafet e shkruara.

Ka ardhur në disa raste deri te situata kur njerëzit pyesnin se si duhet të lexohet diçka dhe se a mundet që Kur’ani t’i përshtatet çdo dialekti arab.

Gjatë kohës se Othmanit (r. a.) është pushtuar Armenia dhe Azerbajxhani (në vitin 25  h.).  Në këtë betejë kishtë marrë pjesë edhe Hudhejfe bin Jeman (shok i Muhamedit a. s.),  i cili ka vërejtur se shumë njerëz konfrontoheshin në mënyrën e leximit të Kur’anit, gjë e cila shpiente deri në konflikt dhe parregullsi. Ky fenomen i keq e preku shumë Hudhejfen, dhe kur erdhi në Medinë i tha Othmanit:  “Ndihmoje këtë popull para se të vijë ndarja mes tyre për librin e tyre fetar,  siç ka ndodhur mes hebrenjve dhe të krishterëve.”

Othmani i tuboi sahabët më të njohur, njerëzit më eminentë dhe u konsultua për pengimin dhe shërimin e kësaj plage, e cila kishte dhënë shenjat e para të një sëmundjeje të rëndë. Othamani urdhëroi të shkruhen disa kopje të Kur’anit dhe ato të shpërndahen nëpër qendra të ndryshme, urdhëroi të digjej çdo shkrim tjetër (jashtë atij zyrtar) dhe njerëzit të orientoheshin vetëm prej atyre kopjeve që do të shkruheshin dhe do të shpërndaheshin.

Othmani ia filloi punës dhe këtë detyrë kaq të rëndësishme do t’ua besojë katër sahabëve më eminentë:

Zejd bin Thabitit (medinas )

Abdullah bin Zubejrit

Abdurahman bin Hishamit

Seid bin Assit (tre të fundit ishin mekas, kurejshit).

Në tubimin e Kur’anit kanë marrë pjesë edhe shumë njohës të tjerë të mirë të Kur’anit. Othamani kërkoi prej Hafsës (r. a.) që prej Kur’anit të tubuar në kohën e Ebu Bekrit të shkruhen disa kopje dhe,  pasi të mbaronin punë,  përsëri t’ia kthejnë Hafsës.

Gjatë tubimit të Kur’anit Othmani i dha urdhër Komisionit: “nëse ju përçaheni (ju kurejshët ) me Zejd bin Thabitin rreth ndonjë çështjeje në Kur’an, shkruani sipas gjuhës së kurejshitëve.”

Këto fjalë të Othmanit disa orientalistë i kuptojnë se Othmani ka dashur të tregojë aristokracinë e tij, ka dashur që edhe në tubimin e Kur’anit ta kenë fjalën kryesore, por realiteti qëndron larg kësaj që mendojnë orientalistët – se Othmani ka dashur që me besnikëri të shkruhet Kur’ani në formën më orgjinale.

Se sa ekzemplarë janë bërë gjatë kohës së Othmanit,  nuk dihet saktësisht, kështu që  transmetime të ndryshme flasin rreth kësaj çështje.  Ebu Amir ed-Dani (në veprën e tij                El-Mukni) pohon se shumica e dijetarëve flasin mbi katër kopje të Kur’anit, të cilat u dërguan në qendrat më kryesore të Shtetit Islam: në Kufë, Basra, në Siri dhe një kopje mbetet te Kalifi në Medinë.

Transmetimet tjera flasin se numri i kopjeve gjatë kohës së Othmanit ishte shtatë, të cilat janë dërguar në: Mekë, Kufë, Basra, Siri, Jemen, Bahrein dhe nje kopje mbetet në Medinë.

Pasi u dërguan kopjet në qendrat më kryesore të Shtetit Islam, Othmani (r. a.) kërkoi nga të gjithë ata ashabë që kanë të shkruar Kur’anat e tyre privat që t’i djegin.  Othmani e ka ditur se këta ekzemplarë të as’habëve mund të shpiejnë në ndarje të myslimanëve.

Disa as’habë në fillim ngurruan që t’i djegin ekzemplarët e tyre.  Një ndër to ishte edhe Abdullah bin Mes’udi, i cili një kohë ngurroi që t’i zhdukte ekzemplarët e vet, por më vonë veproi sipas urdhrit të Kalifit. Ata nuk donin që t’i digjnin menjëherë ekzemplarët e tyre,  ngase ato i kishin dëgjuar drejtpërdrejt nga goja e Muhamedit (a. s.) dhe ishin të shkruara në prezencën e Muhamedit (a. s.), e jo siç mendojnë disa orientalistë,  se kemi të bëjmë me më shumë versione të Kur’anit.

Në kohën e Othmanit tubimi kishte të bënte me shumëzimin e Kur’anit të tubuar në kohën e Ebu Bekrit dhe me shpërndarjen e disa kopjeve të shkruara nëpër disa territore nga frika e kundërshtimit në shqiptimin e tij të drejtë.

Në vend të përfundimit

 Në këtë punim seminarik u mundova të paraqes në pika të shkurtra historinë e tubimit të Librit të Fundit, librit që i zbriti Muhamedit (a. s.) në një periudhë prej 23 vjetësh.

Në pjesën e parë paraqita tubimin e Kur’anit në kohën e Muhamedit (a. s.),  që ishtë bërë në dy mënyra – nëpërmjet nxënies përmendsh dhe shkrimit të Kur’anit. Mënyra e parë ishtë një ndër mënyrat më kryesore për ruajtjen e Kur’anit dhe arabët e kishin shumë të zhvilluar të mbajturit mend,  kështu që çdo ajet që zbriste,  menjëherë e mësonin përmendsh.  Mënyra e dytë ka të bëjë me shkrimin e Kur’anit gjatë kohës së Muhamedit (a. s.). Kur’ani gjatë kësaj periudhe u shkrua në lëkurë, eshtra, gjethe dhe në gjësende të tjera. Por,  gjatë kësaj periudhe,  sa ishte gjallë Muhamedi (a. s.),  nuk u tubua i gjithë Kur’ani në një vend.

Në pjesën e dytë shkrova rreth tubimit të Kur’anit në kohën e Ebu Bekrit (r. a.), duke cekur shkaqet pse erdhi deri te tubimi i Kur’anit në një vend, dhe ceka mënyrën sesi është tubuar Kur’ani në këtë periudhë,  dhe në fund të kësaj pjese tregova edhe disa prej veçorive të këtij tubimi. Ky është tubimi i Kur’anit në mënyrë zyrtare.

Pjesa e fundit ka të bëjë me shumëzimin e Kur’anit në kohën e Othmanit (r. a.).  Është kjo periudha kur u paraqit nevoja për Kur’anin,  për shkak se Islamin e kishin pranuar shumë prej njerëzve të cilët nuk ishin arabë dhe e lexonin Kur’anin sipas dialekteve të tyre. Paraqita se si ka ardhur deri te shumëzimi i Kur’anit, sa kopje u bënë dhe vendet ku ishin dërguar këto kopje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit