Presidenti amerikan Donald Trump vazhdon me emërimet në stafin e tij. Ai ka emëruar Carl Icahn, një investitor miliarder, duke e vënë atë në postin e Këshilltarit Special për Reformën Rregullatore, shkruan CNBC.
Icahn ka qenë ndër njerëzit më kritikë ndaj qeverisjes së Barak Obamës, duke e konsideruar sidomos 4-vjeçarin e fundit të Obamës si dështim në politikë. Ndër propozimet më interesante te Icahn ka qenë që të mos ketë kufij të SHBA-ve, të cilët mund të kalohen kollaj nga të gjithë. Ai ka një plan, me anë të së cilit të krijohen kufij më të sigurt për shtetin amerikan. “Është koha për të thyer lirinë e tepërt që iu është dhënë njerëzve. Nga ana tjetër, sipërmarrësit tanë duhet të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë. Ata duhet që të krijojnë vende të reja të punës, për persona që e duan punën dhe janë të gatshëm të punojnë”, është shprehur ai teksa ka shtuar se presidenti i zgjedhur Trump ka aftësinë për të ndihmuar ekonomikisht familjet amerikane, përmes reformave rregullatore ekonomike. Icahn ka një përvojë të pasur në fushën e biznesit. Ai disponon një kompani të sigurimit të makinave, me qendër në Nju-Jork.
Carl Icahn ka aksione edhe në kompani të mëdha të tilla si “Blockbuster”, “Time Warner”, “Apple”, “Netflix” dhe “Motorola”. Biznesmeni miliarder do të jetë në gjendje të mbajë aksionet e tij të biznesit, për shkak se ai do të jetë një këshillues i mirë i Trump, pasi nuk do të jetë një punonjës i qeverisë, në “formatin” standard. Icahn ka filluar ta këshillojë z.Trump në lidhje me zgjedhjen e Scot Pruit si kreu i ardhshëm i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit. Ai gjithashtu do ta këshillojë Trump-in në lidhje me kryetarin e ardhshëm të Komisionit të letrave me vlerë. Icahn beson se një nga gjërat më të rëndësishme që z.Trump mund të bëjë është të ndryshojë Agjencinë Rregullatore të Mjedisit. Zoti Icahn ka thënë ekzaktësisht se: “Ajo që ka ndodhur gjatë tetë viteve të fundit është se kompanitë janë frikësuar për të investuar, për shkak se ata (kompanitë) janë të frikësuara nga ajo që do të ndodhë, në qoftë se ata investojnë. Kështu për tetë vite janë shkatërruar bizneset”.
Megjithatë, Icahn u shpreh se nuk është për të ndryshuar në mënyrë radikale legjislacionin e miratuar nga ana e ish-presidentit Barak Obama për rregullimin e industrisë financiare, pas krizës së vitit 2008. Icahn nuk dëshiron që të rrokullisen rregullat në mënyrë drastike. Ai beson se biznesi mund të marrë aktive, nëse disa biznesmenë dhurojnë para duke krijuar një fond pranë Partisë Republikane. Trump e ka përmendur Icahn shumë herë gjatë fushatës së tij elektorale, si një nga mbështetësit e tij më të ngushtë. Donald Trump në kabinetin e tij ka njerëz që kanë pasur sukses në jetë, që janë marrë me biznes dhe që janë të pasur. Shumë demokratë kanë ngritur kritika lidhur me faktin se Trump zgjedh njerëz të pasur në kabinet. Por a vlen kjo kritikë? Jo, do thoshin njerëzit e suksesshëm. Ajo që ka rëndësi është se këta njerëz që janë zgjedhur nga ana e Trump dinë sesi mund të përparojë ekonomia e një vendi. Ajo që ka nevojë SHBA-ja janë burrat që dinë sesi shkon përpara ekonomia dhe për gra, të cilat i japin përparësi zhvillimet edhe më tej të klasës së mesme, pasurimit të kësaj shtrese shoqërore. Obama, në këtë drejtim ka bërë shumë dëme dhe duhet shumë punë për të pastruar rrëmujën e tij.