Pas kthimit nga Finlanda ku kishte marrë pjesë në samitin e Helsinikit ku është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se është shprehur keq kur ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye që Rusia të ketë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016.
Pas kritikave të shumta për shkak të paraqitjes së tij në samitin e Helsinkit me homologun rus, Vladimir Putin, Trump i është drejtuar gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ku pranoi se ka menduar ta thotë të kundërtën – se nuk sheh arsye se pse Rusia nuk do të mund të ishte përgjegjëse.
Trump shtoi se ka besim të plotë tek agjencitë inteligjente të SHBA-ve, dhe se i përkrah dhe pranon konstatimin e tyre se Rusia është përfshirë në zgjedhjet në SHBA.
I pari i Shtëpisë së Bardhë kishte deklaruar se aksionet ruse nuk kanë pasur ndikim në zgjedhje, dhe ka porositur që administrata “do të punojë” të mbrojë zgjedhjet për Kongres që do të mbahen në nëntor të këtij viti.
Disa figura emblematike të Demokratëve dhe Republikanëve në Kongresin amerikan kanë kritikuar ashpër mbrëmë Trumpin, pasi sipas tyre ai nuk ka dërguar porosi të qarta presidentit rus lidhur me ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA.
Gjatë konferencës së përbashkët të dy presidentëve në Helsinki, Trump ka deklaruar se nuk arsye të besoj që Rusia kishte hakuar zgjedhjet presidenciale në vitin 2016 në SHBA, për ta ndihmuar atë të fitojë.