Pas Ted Cruz edhe John Kasich dorëzohet përballë uraganit Donald Trump. Rivali i vetëm i mbetur në garë pas rezultatit të paraprakeve në Indiana, njoftoi pezullimin e garës, njofton TCH.

Mediat amerikane shkruajnë se guvernatori i Ohajos ka pezulluar kalendarin e takimeve në Uashington dhe tashmë shpreson që Donald Trump të mos arrijë pragun e mbështetjes që e bën atë automatikisht kandidat të republikanëve në zgjedhjet e vjeshtës.

I vetëm në garë, me gjasa Trump do të arrijë të kapë numrin e delegatëve që i nevojiten për objektivin e vet, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kasich do të lobojë për mbështetje në Konventën Republikane.

Konventa do të vendosë për kandidatin presidencial dhe emri i Donald Trump nuk bën pjesë në listën e të preferuarve të drejtuesve republikanë.

Me fitoren në Indiana, Donald Trump ka siguruar ka 1041 delegatë, ndërsa për të fituar nominimin zyrtar një kandidati i duhen 1237 delegatë.

Kjo fitore ka shuar të gjitha shpresat e kandidatit tjetër republikan, Senatorit të Teksasit, Ted Cruz, që ka njoftuar menjëherë tërheqjen nga gara.

“Bëmë gjithçka mundëm në Indiana, por votuesit zgjodhën një tjetër rrugë. Me zemër të thyer, por optimistë për të ardhmen e kombit, ne po pezullojmë fushatën tonë”, tha Cruz përpara mbështetësve të tij.

Në kampin demokrat, Bernie Sanders ka arritur një fitore surprizë përballë ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. Pavarësisht fitores së Senatorit të Vermontit, Clinton ka shumë më tepër delegatë dhe është e pamundur përmbysja e rezultatit.