Presidenti amerikan, Donald Trump, theksoi të martën në një mesazh nga rrjeti social “Twitter” se autorizonte Japoninë dhe Korenë e Jugut për të blerë armë amerikane shumë të sofistikuara në kuadër të tensioneve të rritura me Korenë e Veriut, vend që kreu provën e gjashtë bërthamore.
Donald Trump nuk saktësoi se çfarë lloj armësh mund të jenë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e përmendi këtë çështje gjatë një bisede telefonike me homologun koreanojugor, Moon Jae-In.
“Presidenti Trump dha miratimin e tij në parim për blerjen nga Koreja e Jugut në SHBA të pajisjeve ushtarake dhe armëve me një vlerë prej disa miliardë dollarë”, theksoi Shtëpia e Bardhë.
Në vitet 2010 dhe 2016, Seuli bleu rreth 5 miliardë dollarë materiale ushtarake në SHBA, sipas llogaritjeve të “Stokholm International Peace Research Institute”.
Japonia është gjithashtu një prej klienteve më të mëdha të industrisë amerikane të armatimeve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre evropianë dhe japonezë, njoftuan të hënën negocimin e sanksioneve të reja të ashpra të OKB-së kundër Koresë së Veriut, por mbetet i pasigurt qëndrimi i Kinës dhe Rusisë, vende me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit.