2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Tregtia dhe Xhihadi i harruar – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat

Allahu i krahason veprat e mira me shembuj të ndryshëm në Kuran, për t’ua bërë ato të dashura, por edhe për t’ua qartësuar atyre vlerën përmes shëmbëlltyrave që jep.

Fjalën “tregti” e gjejmë të përmendet në Kuran dy herë, me tjetër kuptim nga ai i njohuri, duke e krahasuar atë me aktivitetin e veprave të mira, ku si shkëmbim, njeriu fiton shpërblimin nga Allahu, me shumë më tepër sesa ai ka dhënë.

Në suren es-Saf: 10-11, Allahu përfshin tek këto vepra të mira edhe përpjekjen, duke thënë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا هَلْ أَدُلُّكُمْ عَلَى تِجَارَةٍ تُنْجِيكُمْ مِنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ (10) تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَتُجَاهِدُونَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ بِأَمْوَالِكُمْ وَأَنْفُسِكُمْ ذَلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ
“O ju që keni besuar! A t’ju tregoj për një tregti, që ju shpëton prej dënimit të dhembshëm? Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe luftoni (tuxhahidune) në rrugën e Allahut me pasurinë dhe veten tuaj! Kjo është shumë herë më e dobishme për ju, sikur ta dinit.”

Në këtë ajet, Zoti e thotë qartë se ajo tregti apo marrëdhënie shkëmbimi me Të, që e shpëton njeriun nga ndëshkimi, është besimi dhe lufta apo përpjekja në lartësimin e këtij besimi, me pasurinë dhe veten e tij. Xhihadi, ose ndryshe përpjekja në rrugë të Allahut, nuk është gjë tjetër vetëm se një akt shkëmbimi mes robit dhe Zotit, ku Zoti është Ai që blen dhe robi ai që shet. Njeriu shkëmben me Krijuesin e tij pasurinë, veten dhe jetën e tij, të cilat po Ai ia ka dhuruar dhe merr prej Tij shpëtimin, faljen e gjynaheve, shpërblimin me Xhenet dhe ngadhënjimin në këtë botë, siç qartësohet kjo në ajetet në vazhdim.

Xhihadi pra, është një tregti vërtet fitimprurëse me Allahun, është tregtia më fitimprurëse që mund të bëjë njeriu në këtë botë, sepse nuk ka fitim më të madh sesa të të falen gjynahet, të shpëtosh nga ndëshkimi, të shpërblehesh me Xhenet dhe të ngadhënjesh në këtë botë.

Shumë njerëz e kufizojnë kuptimin e xhihadit vetëm tek lufta me armë, ndërkohë që vetë fjala xhihad do të thotë ‘përpjekje’, ‘sfilitje’ dhe ofrim i mundit maksimal, përmes pasurisë dhe trupit për përmbushjen e synimit. Xhihad do të thotë përballje me të gjitha vështirësitë, qofshin ato vetjake qofshin ato të jashtme, materiale ose njerëzore.

Çdo vend, kohë dhe rast ka xhihadin e vet. Xhihadi i fjalës së drejtë dhe të vërtetë mbetet gjithmonë aktual, në çdo kohë dhe vend, në dallim nga ai me armë, që është shumë më i kufizuar. Allahu thotë në Kuran në suren el-Furkan 52:
فَلَا تُطِعِ الْكَافِرِينَ وَجَاهِدْهُمْ بِهِ جِهَادًا كَبِيرًا
“Prandaj, ti mos i dëgjo jobesimtarët e lufto kundër tyre me përpjekjet më të mëdha me të (me Kuran).”

Po ashtu, i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë:
جاهِدوا المشرِكينَ بأموالِكُم، وأنفسِكم، وألسنتِكُم
“Përballuni me idhujtarët me pasurinë, veten dhe gjuhën tuaj.” (Ebu Daudi 2504, Nesai 3096)

Dhe ky lloj xhihadi nuk është i kufizuar vetëm me jobesimtarët, por me të gjithë ata që bëjnë padrejtësi, ndaj dhe i Dërguari i Zotit ka thënë:
أفضلُ الجهادِ كلمةُ عدلٍ عند سُلطانٍ جائرٍ – أو أميرٍ جائرٍ –
“Xhihadi më i mirë është fjala e drejtë tek sulltani i padrejtë -apo prijësi i padrejtë-.” (Ebu Daud 4344, Tirmidhi 2174)

Xhihadi në thelb është veç të tjerash “urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga e keqja”, një nga parimet madhore të Islamit, me të cilin Krijuesi i ka dalluar dhe ngarkuar muslimanët.

Të gjitha këto argumente fetare dhe të tjera, konfirmojnë faktin dhe realitetin e pashmangshëm njerëzor, të përbotshëm dhe të përjetshëm, se e mira dhe e drejta kurrë nuk triumfon pa përpjekje, përballje dhe konflikt me të padrejtët. E keqja, e padrejta dhe e pavërteta bën vaki të mbizotërojë edhe pa përpjekje dhe konflikte, sepse ajo e josh njeriun gradualisht dhe shfrytëzon dobësinë e epshit të tij, ndërsa në asnjë rast kthimi tek e mira, e drejta dhe e vërteta nuk ndodh pa përballje dhe konflikt, sepse ajo bie ndesh me epshin dhe tekat njerëzore, të cilat reagojnë dhe rezistojnë gjithmonë ashpër, për të mos prishur rehatinë dhe sundimin e tyre. Prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme për këtë, është historia e të gjithë profetëve, që na ka treguar Allahu në Kuran.

Ndaj kush mendon se predikimi i së vërtetës dhe së drejtës, përpjekja për ndryshim brenda dhe jashtë bashkësisë së besimtarëve bëhet pa përballje dhe konflikt, pa sakrifica dhe mundime në këtë drejtim dhe vetëm përmes rehatisë dhe komoditetit, apo dashurisë false hipokrite, ai ose nuk ka kuptuar Islamin siç duhet, ose kërkon të justifikojë fetarisht apatinë e tij në këtë drejtim.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit