2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Tregimi për Salihun (alejhisselam)

Më të lexuarat

Tregimi për Salihun, alejhisselam,

në suren El-Araf

 

73: Ndërsa fisit Themud (fis i lashtë, pasardhës i fisit Ad) Ne i dërguam vëllanë e tyre, Salihun. Ai tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Në të vërtetë, juve ju është dhënë një shenjë e qartë nga Zoti juaj: kjo deve e Allahut për ju është një mrekulli. Lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju pret ndëshkimi i ashpër!

74: Dhe sillni në mend, kur Ai ju bëri zëvendës pas fisit Ad dhe ju dhuroi vendbanime në Tokë; në rrafshinat e saj po ngrini pallate e në kodrina po gdhendni shtëpi. Kujtoni të mirat e Allahut dhe mos bëni çrregullime në tokë!”

75: Por paria arrogante e popullit të tij u tha të shtypurve në radhët atyre që kishin besuar: “A e pranoni që Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?” Ata thanë: “Sigurisht që ne besojmë në gjithçka që i është shpallur atij”.

76: Ata që ishin kryelartë, thanë: “Ne nuk besojmë në atë që besoni ju”.

77: Kështu, ata e therën devenë pa e përfillur urdhrin e Zotit të tyre dhe thanë: “O Salih, sillna atë që na ke premtuar, nëse je vërtet i dërguar!”

78: Për këtë arsye ata i goditi një tërmet i rëndë në mëngjes dhe mbetën të vdekur në shtëpitë e tyre.

79: Ai u largua prej tyre dhe tha: “O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë”.

Edhe një faqe nga faqet e rrëfimit të njerëzimit, brenda historisë, e cila shpalos edhe një dështim të xhahilijetit dhe një sekuencë nga takimi mes të vërtetës dhe të kotës dhe një fund të ri nga përfundimi i përgënjeshtruesve.

73: Ndërsa fisit Themud (fis i lashtë, pasardhës i fisit Ad) Ne i dërguam vëllanë e tyre, Salihun. Ai tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.

E njejta fjali me të cilën filloi krijimi dhe tek ajo kthehet.

E njejta metodë në besim, në orientim, në ballafaqim dhe në kumtim.

Shtoja këtu edhe mrekullinë, e cila e shoqëroi thirrjen e Salihut, pasi e kërkoi populli i tij, për ti besuar atij:

“Në të vërtetë, juve ju është dhënë një shenjë e qartë nga Zoti juaj: kjo deve e Allahut për ju është një mrekulli”.

Konteksti në këtë rast, pasi që synon një paraqitje të shpejtë të një thirrjeje, fundin e besimit dhe fundin e përgënjeshtrimit, nuk i përmend imtësirat e kërkesës së tyre për një mrekulli, por e paraqet menjëherë pas fillimit të thirrjes.

Gjithashtu nuk ndalet në imtësirat rreth devesë, përveç se është një argument i qartë nga Zoti i tyre, se është Deve e Allahut dhe se është mrekulli. Nga ky inspirim e kuptojmë se ka qenë deve e veçantë apo u është nxjerrë përpara në mënyrë të pazakontë, andaj edhe e bën atë argument nga Zoti i tyre dhe i jep kuptim faktit se ia atribuon Allahut dhe e bën argument për vërtetësinë e profetësisë së tij.

Në këtë rast nuk shtojmë asgjë veç asaj që është përmendur në këtë burim bindës (Kuranin Fisnik) dhe në këtë aludim ka mjaftë argument dhe ska nevojë për imtësira tjera. Ashtu që vazhdojmë ne me ajetet Kuranore dhe jetesën nën hijën e tyre.

“Lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju pret ndëshkimi i ashpër!”

Ajo është deve e Allahut! lëreni të kullosë në tokën e Allahut! përndryshe është edhe paralajmërues i fundit të keq.

Pas shfaqjes së mrekullisë dhe paralajmërimit për fundin e keqe, fillon Salihu të këshillon popullin e vet që të mendon dhe kujton, të sheh fundin e popujve para tyre, të falënderon për dhuntinë e pushtetit pas popujve që ishin para tyre:

74: Dhe sillni në mend, kur Ai ju bëri zëvendës pas fisit Ad dhe ju dhuroi vendbanime në Tokë; në rrafshinat e saj po ngrini pallate e në kodrina po gdhendni shtëpi. Kujtoni të mirat e Allahut dhe mos bëni çrregullime në tokë!”

Konteksti Kuranor në këto ajete nuk tregon ku ishte vendbanimi i popullit Themud, por në një kapitull (sure) tjetër tregon se ata banonin në Hixhër, vend mes Hixhazit dhe Shamit.

Nga përkujtimin që u bën Salihu vështrojmë gjurmët e dhuntisë së pushtetit që kishte Themudi në tokë dhe gjithashtu vështrojmë natyrën e vendit në të cilin kanë jetuar: lugina dhe kodrina.

Ata pallatet i kishin në lugina, kurse shtëpitë i gdhendnin në kodrina. Pra, nga ky tekst i shkurtë e kuptuam se qenka një civilizim dhe qytetërim me shenja të qartë.

Salihu ua kujton pushtetin që kishin marrë pas shkatërrimit të popullit Ad edhe pse nuk ishin në të njejtën tokë, por kjo na jep të kuptojmë se ishin civilizimi dhe qytetërimi vijues pas civilizimit të popullit Ad dhe se pushteti i tyre kalonte edhe jashtë Hixhrit.

Kjo i bëri pushtetarë me fuqi të madhe në tokë, andaj edhe kërkonte prej tyre që të mos bëjnë çrregullime në tokë të mashtruar nga forca dhe pushteti që kanë, pasi që para vetes kanë shembullin e popullit Ad, i cili u shkatërrua.

Këtu vërejmë edhe një boshllëk në kontekst për shkak se përshkrimi është konciz edhe i shkurtë.

Një grup nga populli i Salihut kishte besuar e pjesa tjetër ishte treguar mendjemadh dhe arrogant.

Paria është pjesa e fundit që i beson një thirrjeje e cila i ç’vesh ata nga pushteti që kanë në tokë dhe ia kthen atë Zotit që është Një, Zoti i të gjithë botëve!

Kjo pari domosdo do sprovon ata besimtarë të cilët hoqën nga qafa e tyre zgjedhën e diktatorëve duke e adhuruar Allahun Një dhe kështu u çliruan nga robërimi i robërve!

Kjo pari arrogante dhe mendjemadhe është ajo që besimtarët e shtypur dhe të dobët i kërcënon dhe i sprovon në forma të ndryshme.

75: Por paria arrogante e popullit të tij u tha të shtypurve në radhët atyre që kishin besuar: “A e pranoni që Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?”

Shifet qartë se është pyetje kërcënimi dhe frikësimi, për të mohuar besimin e tyre dhe për tu tallur me besimin që kishin ndaj tij në pretendimin e tij se i vjen mesazhi nga Zoti i vet.

Mirëpo të dobëtit, tanimë nuk ishin të dobët!

Besimi në Allahun ua mbushi zemrën me forcë, egon e tyre me vetbesim dhe logjikln e tyre me qetësi. Ishin të bindur në pozicionimin e tyre. Ç’farë u bën atyre kërcënimi dhe frikësimi? Ç’farë u bën atyre tallja dhe mohimi i parisë arrogante:

Ata thanë: “Sigurisht që ne besojmë në gjithçka që i është shpallur atij”.

Më pas paria e publikon qëndrimin e tyre qartazi dhe kjo në vete ngërthen natyrën e kërcënimit:

76: Ata që ishin kryelartë, thanë: “Ne nuk besojmë në atë që besoni ju”.

Edhe pse Salihu u solli argumentin e qartë, i cili nuk i le hapësirë asnjë dyshimi, mirëpo duhet kuptuar se nuk ishte argumenti i mangur ai i cili pengonte parinë ti besojnë, por ajo që u rrezikohej pushteti atyre nëse i nënshtrohen një Zoti. Është kompleksi i pushtetit dhe qeverisjes! Është pasioni i thellë që ka njeriu brenda vetes për pushtet! Është ajo me të cilën shejtani i udhëheq të lajthiturit duke i kapur për feçkën e tyre!

Ata nga fjala kaluan në vepër.

E sulmuan devenë e Allahut e cila ishte argumenti i ardhur nga Allahu te robi i Tij Salihu për të pohuar vërtetësin e profetësisë së tij, edhe pse ky Pejgamber ua kishte tërhjekur vëretjen që të mos e dëmtojnë në asnjë formë sepse po i ndodhi devesë ndonjë gjë do i kaplon ata një ndëshkim i dhembshëm.

77: Kështu, ata e therën devenë pa e përfillur urdhrin e Zotit të tyre dhe thanë: “O Salih, sillna atë që na ke premtuar, nëse je vërtet i dërguar!”

Mburrësia e cila e shoqëron mëkatarin, kriminelin.

Rebelimin e tyre e përshkruan: “pa e përfillur” për të dal në shesh mburrësia e tyre dhe për të përshkruar ndjenjat e tyre psikike gjatë këtij veprimi. Këtë e shpreh edhe sfidimi duke kërkuar përshpejtimin e ndëshkimit dhe talljen nga paralajmërimi.

Konteksti i këtyre ajeteve nuk pret shumë edhe e shpall përfundimin dhe gjithashtu edhe në këtë përfundim nuk sjell shumë imtësira:

78: Për këtë arsye ata i goditi një tërmet i rëndë në mëngjes dhe mbetën të vdekur në shtëpitë e tyre.

Dridhje (tërmet) dhe gjunjëzim (i palëvizshëm) si shpërblim përballë mburrësisë dhe arrogancës. Dridhja sjell trishtimin, kurse gjunjëzimi paraqet paaftësinë për lëvizje. Sa e meriton mburraveci të dridhet dhe sa e meriton agresori të bëhet i palëvizshëm! Shpërblim i përshtatshëm për fundin e tyre dhe përshkrim artistik i këtij përfundimi.

Konteksti i ajeteve i la ata në këtë pamje, “të gjunjëzuar” (kohë e tashme e vazhdueshme), për të vazhduar përshkrimin e Salihut, të cilin e kishin përgënjeshtruar edhe sfiduar:

79: Ai u largua prej tyre dhe tha: “O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë”.

Fjalimi i tij ishte dëshmia se ai me besnikërinë më të madhe kishte kumtuar Fenë, i kishte këshilluar dhe se ishte distancuar nga fundi të cilin ia sollën ata vetes me rrebelim, arrogancë edhe përgënjeshtrim.

Kështu mbyllet edhe kjo faqe prej faqeve të përgënjeshtruesve, pasiqë tallësit dhe përbuzësit e meritojnë paralajmërimin e kobshëm pas përkujtimit.

Fi Dhilalil-Kuran, 3/197-200

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit