1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Tregimi i Thumame ibën Ethalit dhe dobitë e tij

Më të lexuarat

QabjaAllahu e dërgoi të Dërguarin e Tij tek njerëzit, disa e besuan e shumica në fillim e mohuan dhe mbajtën ndaj tij dhe thirrjes së tij qëndrim armiqësor. Me kalimin e kohës shumë prej këtyre jobesimtarëve hynë në fe grupe-grupe, u qartësohej e vërteta dhe u largohej ngurtësia. Ndonjëri prej tyre ishte armik i përbetuar i fesë së Allahut, por Zoti dëshironte që ai të nesërmen të ishte person tjetër, të bëhej musliman dhe besimi të përshkonte zemrën e tij duke u bërë prej ndihmuesve të fesë së Tij. Ndër këta persona është edhe sahabi i njohur Thumame ibën Ethali radijallahu anhu. Ai ishte zotëria i fisit Beni Hanife dhe mbret nga mbretërit e Jemames, në popullin e tij urdhri i tij zbatohej.

I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i dërgoi një letër dhe e ftoi të bëhej musliman, mirëpo Thumame e priti me kryelartësi dhe kundërshtim letrën e të Dërguarit. E kapi krenaria e mëkatit, i mbylli veshët nga dëgjimi i mesazhit të vërtetë, madje e keqja e tij u shtua edhe më shumë saqë edhe vrau disa muslimanë, prandaj i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e kishte bërë hallall gjakun e tij.

Pas një kohe Thumame niset për të bërë umre, pasi mushrikët para Islamit bënin haxh e umre dhe e vizitonin Qaben, por në mënyrën e tyre politeiste. Gjatë rrugës Thumame bie në pritën e një grupi muslimanësh, të cilët nuk e dinin se ai ishte Thumame. E zunë rob, e sollën në Medinë dhe e lidhën te një shtyllë e xhamisë, duke pritur qëndrimin e të Dërguarit ndaj këtij robi të ri. Me të hyrë në xhami, i Dërguari u befasua kur pa Thumamen të lidhur dhe pyeti shokët e tij a e dinin kë kishin zënë rob. Ata i thanë se jo, prandaj ai u tha se ishte Thumame dhe të silleshin mirë me të. Më pas i Dërguari u kthye në shtëpi dhe i tha të mblidhnin ushqim dhe t’ia dërgonin Thumames, pastaj urdhëroi t’i jepnin qumësht çdo mëngjes. Kjo u bë para se i Dërguari ta takonte dhe t’i fliste atij.

Më pas i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem shkoi dhe deshi ta ftonte në Islam. Ai i tha: “Ç’kemi nga ti, o Thumame?” Tha: “Kam gjë të mirë, nëse vret, vret njeri të cilit i nxirret gjaku, e nëse dhuron (liri), i dhuron dikujt që është falënderues. E, nëse do pasuri, vetëm kërko sa të duash.” I Dërguari u largua dhe e la ashtu; i sillnin ushqimin, ia milnin devenë dhe i jepnin qumësht. Ditën tjetër iu afrua dhe e pyeti prapë: “Ç’të reja kemi, o Thumame?” Ai ia ktheu prapë me të njëjtat fjalë. Kështu veproi edhe në ditën e tretë. Në fund i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u tha shokëve të vet ta lironin. Ata e liruan dhe Thumame u largua nga xhamia e të Dërguarit derisa arriti te një hurmë aty afër varreve të Medinës, ku kishte ujë. E la devenë e tij dhe u pastrua, mori gusul, pastaj u kthye prapë në xhami. Posa erdhi te xhamia iu drejtua muslimanëve: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me meritë pos Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij”. Pastaj u kthye nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe tha: “O Muhamed! Pasha Allahun, nuk kam urryer dikë më shumë në këtë tokë sesa ty, por tani fytyra jote është më e dashura për mua! Pasha Allahun, feja jote ka qenë feja më e urryer për mua, por tani ajo është feja më e dashur për mua! Pasha Allahun, vendi yt ka qenë vendi më i urryer, por tani është vendi më i dashur për mua!” Pastaj tha: “Kam vrarë disa nga shokët e tu. Çfarë më obligon të veproj?” I Dërguari e përgëzoi që Allahu ia kishte caktuar atij të bëhej musliman dhe Thumame u gëzua edhe më shumë dhe tha: “Pasha Allahun, do t’i godas mushrikët shumë më shumë se ç’u kam bërë shokëve të tu dhe që nga sot shpirtin tim, shpatën time dhe kush është me mua do t’i vë në shërbim tëndin dhe të fesë tënde!”

Thumame shtoi: “O i Dërguar i Allahut, unë jam nisur për umre, ç’thua të bëj?” I Dërguari i tha: “Vazhdo ta kryesh umren, mirëpo ashtu siç ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij”. Pastaj ia mësoi rregullat e umres.

Kur Thumame arriti në Mekë, u ndal në një vend dhe me tërë zërin e tij shqiptoi telbijen: -Le bejk allahumme leb-bejke le bejke la sherike leke leb-bejke…” (Të përgjigjem Ty o Allahu im, të përgjigjem, të përgjigjem Ty që s’ke shok, të përgjigjem, falënderimi, dhuntitë dhe mbretëria të takojnë Ty, Ti nuk ke shok)

Thumame ishte muslimani i parë mbi tokë që hyri në Mekë me telbije. Posa dëgjuan telbijen, kurejshët u ngritën të hidhëruar dhe nxorën shpatat që të qërojnë hesapet me këtë njeri që shfaqte fenë e tij haptazi dhe kundërshtonte fenë e tyre. Kur iu afruan, Thumame e ngriti zërin duke shqiptuar telbijen, ndërkohë që njëri nga të rinjtë e kurejshëve deshi t’i gjuante me shigjetë, por të moshuarit e kurejshëve e ndaluan dhe i thanë: “Mjerë për ty, a e di kush është ky? Ky është Thumame ibën Ethali, mbreti i Jemames. Nëse ju i gjuani, do të na ndalë ushqimin.” Pasi i kthyen shpatat në vendin e vet, iu afruan dhe i thanë: “Ç’ka ndodhur me ty, o Thumame? A je bërë musliman dhe e ke lënë fenë tënde dhe të të parëve të tu?” Thumame ua priti: “Kam pasuar fenë më të mirë, fenë e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel. Pasha Zotin e kësaj shtëpie (Qabja), pas kthimit tim në Jemame nuk do t’u vijë asgjë prej drithërave dhe prej të mirave të Jemames deri atëherë kur të gjithë ta pasoni fenë e Muhamedit!” Pasi Thumame kreu umren ashtu siç e kishte mësuar i Dërguari, u kthye në Jemame dhe urdhëroi popullin e tij që t’ua ndalnin drithërat dhe çdo të mirë kurejshëve. Ata e zbatuan urdhrin e tij dhe kjo gjë shkaktoi ngritjen e çmimeve në Mekë, përhapjen e urisë dhe rritjen e problemeve mes tyre, derisa iu frikësuan shkatërrimit. Më pas i dërguan letër të Dërguarit duke i thënë se “mes nesh kemi lidhje farefisnore dhe se ti nxit në këtë, ndërsa Thumame ka ndërprerë çdo të mirë për ne dhe na ka dëmtuar. Nëse e sheh t’i shkruash që të na dërgojë atë që kemi nevojë, atëherë veproje”. I Dërguari i shkroi Thumames që t’ua lejonte drithërat dhe të mirat e Jemames dhe ai veproi ashtu.

Ky ishte një tregim i shkurtër për njërin nga shokët e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, një tregim që nis i errët, por mbyllet i ndritur. Ishte i errët kur ishte jobesimtar që luftonte Islamin dhe pasuesit e tij, kur u mundua të vriste të Dërguarin e Zotit, por i ndritur kur Allahu e udhëzoi dhe ai pranoi Islamin, duke u bërë nga pasuesit e tij dhe nga ata që i luftojnë armiqtë e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Kjo është dhunti e Allahut, që ia jep kujt të dojë.

Çfarë përfitojmë nga ky tregim

Gjëja e parë që përfitojmë është se zemrat janë mes dy gishtave prej gishtave të Allahut dhe Ai i rrotullon si të dojë. Ne shohim se Thumame ishte nga armiqtë më të përbetuar të kësaj feje dhe të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, por menjëherë bëhet pasues i tij. Urrejtja për Islamin, të Dërguarin dhe vendin e tij kthehet në dashuri të fortë. Mësimi që marrim është se nuk duhet të lodhemi e të bëhemi pesimistë ndaj udhëzimit të kujtdo qoftë, pa marrë parasysh sa i devijuar dhe i dëmshëm është ai njeri, pasi udhëzimi i zemrave është në dorën e Atij që e di të fshehtën. Allahu thotë: “Vërtet ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.” (El-Kasas 56)

O musliman, e ke obligim të kujdesesh për thirrjen dhe sqarimin e së vërtetës e jo që t’i udhëzosh njerëzit, sepse udhëzimi është në dorën e Allahut. Nëse sheh se një njeri ka bërë një mëkat prej mëkateve të rënda, mos mendo se ai nuk mund të udhëzohet, pasi udhëzimi i tij është i mundshëm nëse do Allahu. Ti duhet ta këshillosh dhe ta thërrasësh në rrugën e Allahut, nëse të përgjigjet, ke arritur qëllimin, e nëse jo, shpërblimi yt është i plotë pa i mbetur mangët asgjë. Obligimi ynë është këshillimi i njerëzve dhe udhëzimi i tyre duke u treguar të vërtetën e assesi të gjykojmë mbi njerëzit se ky është i lumtur e ai i humbur. Kjo ishte dobia e parë që përfituam nga tregimi i Thumames, i cili vraponte ta shuante dritën e Islamit, por brenda një nate udhëzohet me udhëzimin e Allahut dhe hyn në këtë fe, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Gjëja e dytë që mësojmë është se i Dërguari sal-Allahu alejhi ve sel-lem u soll me Thumamen me edukatë të lartë, edhe pse ai kishte bërë krime dhe kishte vrarë disa nga sahabët e ndershëm. Allahu e ka dërguar Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem mëshirë për të gjitha krijesat, nuk e ka bërë mendjemadh, mizor e ziliqar. Zilia të nxit për hakmarrje, por i Dërguari ishte i pajisur me cilësitë më të ndershme dhe moralin më të mirë. Edhe sikur ta vriste Thumamen, i Dërguari nuk do të kishte në këtë faj, mirëpo ai dëshironte nga njerëzit që ata të besojnë dhe të pasojnë të vërtetën, prandaj u soll me Thumamen mirë e butë; të gjithë ushqimin që kishte në shtëpi e mblodhi dhe e dërgoi tek Thumame, urdhëroi që të milet deveja e tij dhe qumështi t’i dërgohet mëngjes e mbrëmje dhe në fund e liroi duke mos kërkuar nga ai asgjë. Kjo sjellje e mirë ndikoi tek Thumame dhe ishte shkak që ai të bëhej musliman. Pas tërë kësaj, a nuk duhet ta bëjmë slogan tonin sjelljen e butë me njerëzit dhe me moral të mirë? Ndoshta jomuslimani bëhet musliman apo mëkatari ndalet nga mëkati i tij. Në ngjarjen e këtij sahabi kemi dobi të shumta, mirëpo ne u përqendruam tek ajo që kemi nevojë gjatë thirrjes sonë në Islam.

Lusim Allahun që të na bëjë të mëshirshëm ndaj të gjitha krijesave, të sillemi butë, me edukatë e moral të lartë, në mënyrë që të jemi shkak për udhëzimin e të gjithë atyre që na rrethojnë! Amin!

Shiko ngjarjen e këtij sahabi në:

1) Sahihul-Buhari , shiko:”Et-tevdih lisherh el-xhami es-sahih” të ibën Mulekinit (15/503), nr i hadithit në Buhari (642, 2423).

2) Sahih Muslim, nr hadithit (1764) boton Bejtul efkar ed-devlije, viti botimit 1998.

3) “El-Isabeh fi temjiz es-sahabeh” të hafidh ibën Haxher el-Askalanit, (2/84). Boton -Merkez el buhuth ve ed-dirasat el arabijeh vel islamijeh-, botim i parë, 2008, me verifikim të Abdullah ibën Abdul-Muhsin Et-Turkij.

4) “El-Istij’ab fi ma’rifet el-as’hab”, të hafidh ibën Abdul Berr, (fq 106, nr 282). Boton: Darul E’lam, botim i parë 2002, me verifikim të Adil Murshid.

5) “Eth-Thikatë” të ibën Hibanit, (1/281), Boton Darul fikr, botim i parë 1975, me verifikim të Es-Sejid Sherefudin Ahmed. Etj.

Përgatiti: Mr. Fidan XHELILI

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit