Një kryefamiljar me një mijë e një halle, që kishte për tu kujdesur për nënën e tij të moshuar, gruan dhe fëmijët, punonte si shërbëtor tek një zotëri i pasur.
Një ditë, ai nuk vajti në punë siç bënte çdo ditë. I gjendur përballë kësaj ndodhie, padroni tha me vete:”Ndoshta duhet ti jap një dinar floriri më shumë që ta motivoj dhe të mos bëjë mungesa të tjera. Besoj se ajo që e ka shtyrë që të mungojë, përveç ndonjë arsyeje të papërfillshme, duhet të jetë dhe dëshira e tij për ti shtuar rrogën, aq më tepër që është i ndërgjegjshëm sa shumë më nevojitet në punët e mia.”
Ditën e nesërme, me tu paraqitur në punë si gjithmonë, zotëria i dha detyrimet dhe një dinar floriri shtesë.
Shërbëtori e mori dinarin dhe u largua pa folur dhe pa e pyetur mbi arsyen e asaj shtese, aq më tepër që një ditë më parë kishte munguar.
Pas disa kohësh shërbëtori mungoi sërish gjithë ditën. Kjo e zemëroi shumë zotërinë e tij, i cili duke turfulluar tha me vete:”Këtë herë ia rregulloj unë atij. Jo vetëm që shtesë nuk do të ketë, por do i jap një dinar floriri mangut.” dhe ashtu veproi.
Shërbëtori mori rrogën dhe sigurisht, një dinar floriri mungonte.
Megjithatë, ai nuk foli dhe as e pyeti mbi shkakun e dinarit që mungonte nga rroga e tij.
Kjo e zhyti pronarin e tij në një pështjellim dhe huti akoma më të madhe, prandaj dhe nuk e përmbajti veten por i tha:”Të dhashë një dinar floriri shtesë para disa kohësh dhe nuk pyete mbi shkakun. Sot të dhashë një dinar floriri mangut dhe sërish nuk pyete. Çfarë ke zotrote? A s’më thua?”
Shërbëtori i tha:”Kur mungova herën e parë, mungova sepse më lindi një fëmijë dhe dinarin shtesë e interpretova si një shpërblim për foshnjën e sapoardhur. Sakaq, kur mungova herën e dytë, mungova për shkak se më vdiq nëna dhe një dinar më pak e interpretova se pjesa e rizkut të nënës u largua bashkë me të!”