1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Tre te izoluarit ne shpelle

Më të lexuarat

By: Elton Harxhi

Transmetohet nga Abdullah ibn Umer ibn el-Hattab r.a. se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë për të fjetur. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe e mbylli plotësisht hyrjen e shpellës. Ata thanë: “Shpëtimi nga ky shk­ëmb është vetëm që ta lusim Allahun e madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira”. Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë nuk ju kam dhënë të hanë e as të pinë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve) para tyre. Një ditë më argëtoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time e nuk ju erdha me kohë, prandaj ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t’i trazoj, por nuk doja që t’i ushqej familjen dhe shërbëtorët para tyre, prandaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia klithnin të uritur, por unë u dhashë qumësht vetëm pasi janë zgjuar prindërit dhe e kanë pirë qumështin të cilin ua kisha sjellë. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty e për askënd tjetër, atëherë na e largo neve këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpe­lle në të cilën gjendemi!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo edhe aq sa të mund të dalin!
Njeriu i dytë tha: “O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme, të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën, – sipas një transmetimi tjetër – e kam dashur aq fort siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj (siç kërkojnë burrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit mbre­tëronte uria e kushërira e dashur më erdhi dhe unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari) që të vetmohet vetëm ajo me mua dhe kur ajo ashtu veproi dhe unë u bëra pronar i saj, – sipas një transmetimi tjetër – kur e përqafova ashtu siç e përqafon burri gruan e tij, ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju Allahut dhe mos ma merr virgjinitetin pa të drejtë”. Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokend tjetër, e lëshova në liri duke ia dhuruar të hollat e dhëna. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë në të cilën jemi!” Shkëmbi lëvizi edhe pak nga hyrja e shpellës, por jo edhe aq sa të mund të dilet prej saj.
Njeriu i tretë tha: “O Zoti im, unë kam pasur rrogtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar përveç një njeriu, i cili u largua para se ta marrë hakun. Unë hakun e tij e përdora si du­het dhe pasuria e tij u rrit. Pas një kohe rrogtari im më erdhi e më tha: “O robi i Zotit, m’i jep të hollat për hakun time të papaguar!” Unë i thashë: “Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devet dhe robërit janë prej hakut tënd që është shtuar”. Ai tha: “O robi i Zotit, mos u tall me mua!” Unë atëherë i thashë: “Unë nuk po tallem me ty. Pastaj e mori tërë mallin dhe e çoi, duke mos më lënë asgjë. O Zoti im, nëse unë e kam bërë këtë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës!” Shkëmbi u rrokullis, kurse udhëtarët dolën dhe e vazhduan rrugën!”[1]
Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:
 
Ai është Abdulla ibnu Umer ibnul Hatab ibnu Nufejl El Kureshi El Adeuij El Meki. Ai rrjedh nga një prej fiseve më fisnike të Kurejshëve. Ai njihet me epitetin Abdurrahman.
Ka pranuar Islamin qysh në fëmijëri bashkë me të jatin. Ka emigruar nga Meka për në Medine përpara të jatit. Nuk ka marrë pjesë në betejën e Bedrit dhe as të Uhudit. Beteja e parë në të cilën ka marrë pjesë është beteja e Hendekut. Ka marrë pjesë në paktin e Hudejbijes, madje i ka dhënë edhe besën profetit (a.s) Morri pjesë në betejën e Mu’tes, komandat i të cilës ishte Xhafer ibnu ebu Talib. Kur u çlirua Meka ai ishte 20 vjeç. Po ashtu ka marrë pjesë në betejën e Jermukut, çlirimin e Egjyptit dhe ka marrë pjesë dy herë në betejat, që janë zhvilluar në Afrikë; njëherë me Abdullah ibnu Sa’ad ibnu ebu Serh dhe herën tjetër me Muauije ibnu Hudejxh në vitn e 34 të hixhretit. Gjithashtu ka marrë pjesë edhe në betejat, që janë zhvilluar në Sham, Irak, Basra dhe kundra persëve.
Ai është prej atyre pak sahanëve, të cilët numërohen me gishta përsa i përket dijes. Ai ka transmetuar 2630 hadithe nga profeti (a.s) Ibnu Sa’adi ka thënë: “Nuk ka pasur sahabij më të kujdesshëm se Abdullah ibnu Umer në mësimin përmendësh të haditheve të profetit (a.s)” Amër ibnu Dinar ka thënë: “Abdullah ibnu Umer njihet si një prej dijetarëve të hadithit”. Ndërsa imam Maliku thotë: “Në çdo rast e evenimet Ibnu Omeri jepte fetva tek njerëzit deri 60 –të vjet pas vdekjes së profetit. Ai konsiderohej prej imamllarëve të muslimanëve në dije. Ka qenë ndjekës i mirë i traditës së profetit (a.s), saqë thuhet se ai ulej aty ku ka qenë ulur profeti (a.s) apo falej aty ky ishte falur profeti (a.s), madje tregohet se profeti (a.s) ka qëndruar nën hijen e një peme dhe kështu vepronte edhe ai, duke e ujitur pemën që mos të thahej”.
Tregohej për shembull dhe model në adhurim, madje vetë profeti (a.s) ka thënë për të: “Sa njeri i mirë është Abdullahu. Kur falet natën, falet aq shumë sa shumë pak fle gjumë”.
Ka vdekur në vitin e 73 të hixhretit në Meke tre muaj pas vrasjes së Abdullah ibnu Zubejrit. Është varrosur në Dhi Tuva në varrezën e muhaxhirëve. Ai vdiq, sepse Haxhaxhi urdhëroi dikë që ta vriste atë. Personi në fjalë e helmoi atë, duke i vendosur një majë shigjete të helmosur në shputën e këmbës, nga ku u sëmur për disa ditë e pastaj vdiq në moshën 86 –të vjeçare.
Allahu e mëshiroftë.
 
Shpjegimi i hadithit:
Ky hadith profetik flet për domosdoshmërinë e nijetit të sinqertë, duke e përkthyer atë me vepra të mira. Ky mësim profetik edukativ na shfaqet nëpërmjet një historie, sepse kështu përfitimi është edhe më i madh.
Ky hadith profetik ka një synim të qartë, që buron nga vizioni largpamës i fesë islame i bazuar në ndodhitë e vërteta. Ky hadith personifikon konfliktin ndërmjet forcës së të mirës dhe asaj të keqe, që ndodhet në brendësi të qënies njerëzore. Ky hadith i jep krah anës pozitive dhe nxit për nga e mira nëpërmjet kësaj historie. Po ashtu ky hadith sqaron mjaft mirë shpërblimin e çdo personi për punën që ai bën.
Kjo histori flet për tre personazhe, emrat e të cilëve nuk përmenden, po ashtu periudha dhe vendi se kur dhe ku ka ndodhur kjo ngjare nuk është përcaktuar, sepse nijeti i sinqertë dhe kryerja e veprave të mira është qëllimi kryesor nga ky mësim profetik.
Kjo histori fillon me tre personazhet të cilët kishin dalë për të kërkuar riskun e tyre, ndërkohë që kur i zuri nata ata gjetën strehim për të fjetur vetëm tek një shpellë. Ata hynë brenda në shpellë, dhe papritur ndodhi një gjë që ata nuk e kishin parashikuar, një gur i madh bie nga mali dhe e zë hyrjen e shpellës. Le të meditojmë pak në shprehjen e profetit (a.s) i cili thotë: “i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë për të fjetur” kjo do të thotë se këta tre persona ishin lodhur aq shumë, saqë nuk kishin as kohë për të gjetur një vend për të fjetur, prandaj nga lodhja e tepërt ata u detyruan që të hynin brenda në shpellë për të fjetur.
Në këtë moment të vështirë, ku vdekja dhe shkatërrimi i tyre është i sigurtë, shfaqet besimi i palëkundur i besimtarit, që në rastet e vështirësisë i drejtohet vetëm Allahut të Lartësuar. Le të shohim se si u përballën të burgosurit e shpellës me këtë fatkeqësi. Ata iu drejtuan me lutje dhe përgjërim Allahut të Lartësuar, duke përmendur një punë të mirë nga arsenali i punëve të tyre të mira. Iu drejtuan Allahut me lutje, sepse lutja është programi i fesë Islame, për të cilën Allahu i Lartësuar ka thënë: “E nëse ty të pyesin robërit e Mi për Mua, Unë jam shumë pranë. I përgjigjem lutjes së lutësit kur ai lutet. Prandaj ata le të më luten dhe të më besojnë Mua që të jenë të udhëzuar.”[2]
E bukura në këtë ndodhi konsiston në faktin, se secili prej tyre e ka kryer nga një punë të mirë. Ata thanë: Nëse me të vërtetë duam që të shpëtojmë nga ky shkëmb, atëherë le t’i lutemi Allahut të Lartësuar nëpërmjet ndonjë pune të mirë që kemi vepruar. Kur e hodhën këtë ide, askush prej tyre nuk kundërshtoi, nuk u frikësuan dhe as që i humbën shpresat, sepse ata kishin besim tek mirësia, bujaria dhe mëshira e Krijuesit të tyre.
Çfarë vepre të mirë kishte kryer personi i parë?
Vepra e personit të parë është një ilustrim i pashembullt në respektimin e prindërve. Respekt, bamirësi, kujdes dhe vlerësim i plotë për prindërit. Në darkë, ai nuk pinte qumësht përpara se të pinin prindërit, po ashtu edhe nuk i jepte për të pirë dhe ngrënë pjestarëve të tjerë të familjes pa i ushqyer prindërit. Një natë, për disa rrethana që ju krijuan u vonua dhe i gjeti prindërit në gjumë. Në këtë gjëndje, vendosi që mos të ushqente asnjë prej pjestarëve të familjes, përpara prindërve. dhe kështu veproi, megjithëse fëmijët qanin dhe bërtisnin nga uria. Ai qëndroi i zgjuar përpara derës së tyre me gotë në dorë, derisa ata u zgjuan dhe më pas u dha për të pirë. Duke qenë se nijeti i tij ishte i pastër, Allahu iu përgjigj lutjes së tij. Shkëmbi u spostua nga hyrja e shpellës sa 1/3, por ata nuk mund të dilnin.
Çfarë vepre të mirë kishin kryer dy të tjerët?
Personi i dytë tregon se kishte pasur një kushërirë të cilën e ka dashur aq fort siç i duan burrat gratë. Shprehje më të hollësishme dhe më të qartë se kjo nuk mund të ketë, që dëshmon shumë qartë ndjenjën që lind ndërmjet dy të rinjve. Shejtani i mallkuar e nxit më tepër këtë ndenjë dhe e përhumb atë në këtë dëshirë të shfrenuar. Ai tenton që të kryejë aktin e shëmtuar me të, por ajo refuzon që të bjerë në greminën e shejtanit. Ajo refuzon që të bjerë në mëkat dhe që të mashtrohet nga shejtani. Pastaj shejtani lëviz për së dyti në gjakun e këtij të riu, duke shkëputur të gjitha lidhjet farefisnore. Djaloshi i harron të drejtat dhe detyrimet që ka ndaj farefisit. Saqë më në fund vajza është e pafuqishme që t’i rezistojë forcës së tij, formalisht dorëzohet përpara forcës së tij, por nijeti i saj është që të mbrojë nderin. Në këtë moment, ajo i drejtohet atij me këto fjalë: “Frikësoju Allahut dhe mos ma merr virgjërinë pa të drejtë”. Pasi djaloshi i dëgjon këto fjalë i frikësohet Allahut dhe e lë atë të lirë.
Allahu i përgjigjet lutjes së tij, shkëmbi lëviz me lejen e Krijuesit të tij, por ata përsëri nuk mund të dalin nga shpella.
Personi i tretë na e tregon se çfarë vepre të mirë kishtë bërë. Ai na parashtron një dukuri sociale e fetare: plotësimin e amanetit, përsosjen e punës dhe ruajten e pasurisë së rrogtarit, madje shumfishimin e saj. Në mungesë të rrogtarit, jo vetëm që e ruan pasurinë e tij, por edhe e shumfishon atë, derisa mbushet një luginë plot me deve dhe lopë. Kur rrogtari i paraqitet për të marrë hakun e vet, ai ia jep të gjithë luginën e mbushur plot me bagëti. Pasi rrogtari u sigurua që pronari nuk po tallej, e mori hakun e tij dhe u largua. Pas kësaj ky pronar besnik e lut Allahun, që t’i çlirojë nga kjo vështirësi, nëse nijeti i tij ka qenë i pastër.
Më në fund shkëmbi lëvizi dhe ata që të tre dolën nga shpella.
Realisht nga kjo ngjarje e mbushur plot me mësime, çdo mysliman ka se çfarë të përfitojë kudo që të jetë dhe në çfarëdo lloj periudhe që të jetë.
 
Rregulla dhe dispozita fetare:
Dispozita fetare në lidhje me respektin ndaj prindërve: Juristët muslimanë kanë rënë dakord, se respekti ndaj prindërve është obligim përderisa ata urdhërojnë për mirë. Nëse ata na ftojnë në mëkat, atëherë nuk kemi përse t’i bindemi. Mosbindja dhe mosrespektimi i prindërve konsiderohet prej mëkateve më të mëdha.
Dispozita fetare në lidhje me dhënien e hakut të punëtorit: Juristët muslimanë kanë rënë dakord, se punëdhënësi e ka obligim që t’i japë punëtorit atë që i takon në përfundim të punës. Nëse ai nuk ia jep apo ia vonon dhe punëmarrësi nuk është i kënaqur me këtë gjë, atëherë punëdhënësi ka kryer mëkat.
Dispozita fetare në lidhje me krimin e imoralitetit: Juristët muslimanë kanë rënë dakord, se prostuticioni është një prej mëkateve më të mëdha. Ndaj personit që e kryen një akt penal të tillë ka një masë ndëshkimore nga Allahu, qoftë ai beqar apo i martuar.
Dispozita fetare në lidhje me shitblerjen e mallit pa dijeninë e pronarit: Disa juristë janë të mendimit se ajo lejohet, me kusht që pronari të ketë dhënë leje për të më parë. Ndërsa disa juristë të tjerë janë të mendimit se një veprim i tillë konsiderohet i pavlefshëm.
 
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Tregimi i historive
2 – Strehimi dhe përgjërimi tek Allahu
3 – Vlera e punëve të mira
4 – Vlera e respektimit të prindërve
5 – Vlera e nijetit të pastër
6 – Ruajtja e nderit dhe frika ndaj Allahut
7 – Vlera e dhënies së hakut punëtorit
8 – Fuqia dhe madhështia e Allahut të Lartësuar
9 –  Ruajtja e Amanetit
10 – Allahu nuk e humbet veprën e mirë:
11 – Motivimi për të bërë vepra të mira.
 
1 – Tregimi i historive:
Nuk ka dyshim se tregimi i historive është një mjet i rëndësishëm i ftesës. Nëpërmjet tyre paraqiten personazhet; tiparet, karakteristikat, besimi, idetë që kanë mbizotëruar në atë kohë, sjelljet dhe veprimet e tyre. Po ashtu tregimi i historive e tërheq shumë dëgjuesin nga të papriturat e saj.
Historitë më të bukura që lënë gjurmë të thella tek njeriu janë historitë e Kuranit dhe të profetit (a.s) Historitë e Kuranit dhe të profetit (a.s) janë një përzierje e besimit, ideve, emocioneve, të vërtetës dhe magjepjes. Po ashtu ato nuk harrojnë pa përmendur urtësitë dhe mësimet e nxjerra prej tyre. Pikërisht për këtë arsye, thirrësi në thirrjen e tij duhet të tregojë histori, për shkak të mësimeve dhe përftimimeve që nxirren prej tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë në tregimet e tyre ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kurani) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i librave që janë shpallur përpara tij”.[3]
Historia e treguar në këtë hadith konsiderohet mjaft e rëndësishme në çështjen e ftesës islame. Nga kjo histori dallohet mjaft qartë rëndësia dhe vlera e nijetit të pastër për hir të Allahut, me të cilën duhet të karakterizohen veprat e mira që i kryen njeriu, sepse veprat që shoqërohen me nijetin e pastër janë shkak i shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër. Kjo histori e sqaron mjaft mirë rëndësinë e nijetit të pastër nëpërmjet ngjarjeve që tregohen në këtë hadith, ku secili prej personazheve  të kësaj historie afrohet tek Allahu nëpërmjet një vepre të mirë që ka kryer, duke shpresuar mëshirën e Allahut të Lartësuar, që t’ia lehtësojë sa më shumë gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin. Prandaj thirrësi duhet të përfitojë shumë nga historitë profetike në mejdanin e ftesës islame dhe në kurimin e sëmundjeve të shoqërisë.
2 – Strehimi dhe përgjërimi tek Allahu:
Një gjë të tillë e kuptojmë nga fjalët, me të cilat ata i drejtohen njëri-tjetrit “Shpëtimi nga ky shk­ëmb është vetëm që ta lusim Allahun e Madhërishëm” Realisht, që të tre iu drejtuan me lutje dhe përgjërim Allahut të Lartësuar. Nuk ka asnjë dyshim, se myslimani gjithmonë në çdo kohë duhet të drejtohet me lutje tek Allahu i Lartësuar sidomos në çastet e vështirësisë, sepse Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë na ka njoftuar se Ai është shumë pranë robërve të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur robërit e Mi besimtarë të pyesin për Mua, thuaju: Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të atij që më lutet”.[4] Jo vetëm kaq, por Allahu e pranon lutjen e atij që është në vështirësi. Allahu i Lartësuar thotë: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashigmtarë në Tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!”[5]
Kështu ka qenë gjithmonë gjendja e profetëve të Allahut, të cilët në rast vështirësie i drejtoheshin Allahut me lutje dhe përgjërim. Kur idhujtarët e hodhën profetin Ibrahim në zjarr, ai kërkoi strehim tek Allahu dhe Ai e shpëtoi nga zjarri. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata thanë: Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër. Ne thamë: O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin”.[6] Kështu ka qenë edhe profeti Musa, për të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thanë: Me të vërtetë na zunë! Ai tha: Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”[7] Profeti Junus kur e gëlltiti peshku nga errësira thirri: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i Lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar! Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët”[8] Allahu i Lartësuar është Ai i cili i shpëton robërit e Tij kur ata janë në vështirësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Kush ju shpëton nga errësira e Tokës dhe e detit, kur i luteni Atij haptazi dhe fshehtazi duke thënë: Nëse Ai na shpëton prej këtyre rreziqeve, vërtet do të jemi mirënjohës”[9] Prandaj edhe profeti (a.s) i mësoi djalit të xhaxhait, Abdullah ibnu Abasit, disa fjalë: “Ruaje Allahun nëse do që të të ruajë. Ruaje Allahun nëse do ta kesh gjithmonë krah teje. Kur të kërkosh diçka, lutju vetëm Allahut. Kur të kërkosh ndihmë, kërko ndihmë vetëm prej Allahut.”[10]
Imam Ibnu Rexhep El Hanbeli ka thënë: “Dije, se lutja që i bëhet vetëm Allahut e jo krijesave të Tij është synimi, sepse nëpërmjet lutjes demonstrohet përulësia, nënshtrimi dhe nevoja që ka lutësi. Po ashtu, lutësi njeh dhe vlerëson fuqinë dhe madhështinë e Allahut që ia largon të keqen, i jep atë që kërkon dhe i sjell dobi. Përgjërimi dhe përulja nuk i takon askujt tjetër përveç Allahut, sepse ky është thelbi i adhurimit. Allahu dëshiron që robërit t’i luten e t’i kërkojnë Atij ndihmë në rastet e vështirësive. Gjithashtu Ai dëshiron që robërit vazhdimisht t’i luten e asnjëherë mos t’i humbasin shpresat. Por nga ana tjetër Ai zemërohet shumë, kur robërit nuk e lusin, apo i luten dikujt tjetër përveç Atij. Ai është i Plotfuqishëm për t’i plotësuar çdokujt lutjen e tij dhe kjo nuk ia pakëson aspak Atij sundimin. Krejt e kundërta ndodh me krijesat; ata nuk kanë dëshirë që të tjerët t’u kërkojnë. Njeriu është i dobët dhe i paaftë që t’i sjellë vetes dobi apo t’i shmangë rreziqet që i kanosen, prandaj atë askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar nuk mund ta ndihmojë në çështjet e fesë dhe të kësaj bote. Atë të cilin e ka ndihmuar Allahu, ai ia ka arritur qëllimit. Ndërsa ai person i cili kërkon ndihmë te dikush tjetër përveç Allahut, atëherë Allahu e lë në mëshirën e atij, prej të cilit ka kërkuar ndihmë, por ai ka për të qenë i poshtëruar”.
3 – Vlera e punëve të mira:
Profeti (a.s) na tregon në këtë hadith, se secili prej shokëve përmend një vepër të mirë që e kishte vepruar dhe për këtë arsye Allahu ia largoi rrezikun. Imam En Neueuiju thotë: “Ky hadith është argument, se është e pëlqyeshme që njeriu në rast vështirësi, në lutjen e namazit të shiut dhe në raste të tjera të kërkojë ndërmjetësimin tek Allahu nëpërmjet veprave të mira. Tre shokët e bënë një gjë të tillë, Allahu ia pranoi lutjet dhe profeti (a.s) i përmend për mirë në këtë tregim”.
Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar vepërmirët, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira janë banorë të Xhenetit. Ata aty janë përgjithmonë.”[11] “Me të vërtetë, ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, Ne nuk ia humbasim shpërblimin vepërmirëve.”[12]  Profeti (a.s) na ka njoftuar, se gjëja më e mirë për njeriun është, se atij i krijohet mundësia për të bërë vepra të mira. Profeti (a.s.) thotë: “Në të vërtetë, nëse Allahu e do dikë, e përdor atë për mirë. Si e përdor Allahu atë për mirë – pyeti dikush? Përpara se të vdesë, Allahu i krijon mundësinë për të bërë vepër të mirë”.[13]
4 – Vlera e respektimit të prindërve:
Profeti (a.s) e fillon tregimin e tij me veprën e mirë të atij personi, që i kishte respektuar prindërit, ç’ka dëshmon për vlerën dhe rëndësinë e respektimit të prindërve. Hadithi flet për vlerën e respektimit të prindërve, flet për vlerën e shërbimit dhe dhënies përparësi atyre para çdokujt tjetër, qoftë edhe përpara fëmijëve dhe gruas. Në shumë ajete, Kurani Famëlartë na ka këshilluar dhe porositur që të sillemi mirë ndaj prindërve. Allahu i Lartësuar thotë: “Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë në adhurim; silluni mirë ndaj prindërve!”[14] “Thuaj: Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë në adhurim, që të silleni mirë me prindërit.”[15] “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij dhe, që të silleni mirë me prindërit.”[16] “Ne e kemi porositur njeriun që të sillet mirë me prindërit.”[17]
Duke qenë se Allahu i Lartësuar ka krijuar tek prindërit ndjenjën e keqardhjes që ata kanë për fëmijët e tyre, e ka urdhëruar fëmijën që t’ua shpërblejë atyre duke u sjellë mirë me ta. Fjala “Ihsan” që do të thotë “të sillesh mirë” është përdorur në trajtën e pashquar, për të treguar se njeriu duhet të sillet mirë me prindërit e tij me të gjitha format e mirësjelljes prej fjalëve dhe sjelleve të mira. Nëse njëri prej tyre apo që të dy janë të thyer në moshë dhe janë nën kujdestarinë tënde, atëherë duhet të jesh shumë i sjellshëm, i bindur dhe i përulur ndaj tyre. Njeriu gjithmonë duhet të sillet mirë e duhet t’i respektojë prindërit e tij, sidomos kur ata janë në moshë të thyer, pasi kjo është një moshë shumë delikate, që kërkon më tepër përkujdesje. Falenderimin dhe mirnjohjen ndaj prindërve, Allahu i Lartësuar e ka ngritur në gradën e dytë, pas falenderimit dhe mirnjohjes që njeriu duhet të ketë për Allahun. Allahu i Lartësuar thotë: “Më falendero Mua dhe prindërit e tu. Tek Unë do të jetë e ardhmja e juaj.”[18]
5 – Vlera e nijetit të pastër:
Në këtë hadith lexojmë sa më poshtë: “O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër” Me këtë shprehje karekterizohet secila prej punëve të mira të tre personazheve të historisë. Ky hadith flet shumë qartë për vlerën e madhe që ka nijeti i pastër. Çdokush që dëshiron t’i lutet Allahut, le t’i drejtohet Atij nëpërmjet një vepre të mirë që ai mendon se ka qenë i sinqertë, por duhet të bëjë shumë kujdes që të mos i drejtohet me një vepër, në të cilën nuk ka pasur sinqeritet.
Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që veprat e mira duhet të shoqërohen me nijet të pastër. Allahu i Lartësuar thotë: “Megjithatë, ata ishin urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër.”[19] “Kush shpreson në takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet.”[20]
Es Sejid Sabik thotë: “Të përshkruarit e njeriut me cilësinë e nijetit të pastër dhe sinqeritetit në vepra, i dhuron atij shpëtimin dhe triumfin. Ajo bashkësi (xhemat) që përbëhet nga individë të sinqertë, orientohet për nga rruga e hajrit, i përbuz fëlliqsirat, shmanget nga epshet e dynjasë dhe marshon drejt objektivit, nën hijen e dhembshurisë së individëve të saj për njëri-tjetrin dhe në mesin e tyre përhapet siguria, qetësia dhe paqja. Sahabët (shokët e profetit) ishin të pastër në shpirt prej syfaqësisë, hipokrizisë dhe gënjeshtrës, ngaqë ishin të sinqertë. Pikërisht për këtë arsye ata ishin të motivuar për të arritur synimin kryesor, që ishte vendosja e drejtësisë në vend. Ata kërkonin vetëm kënaqësinë dhe pëlqimin e Allahut, prandaj edhe Allahu i Lartësuar i bëri ata zotërues të Tokës, udhëheqës dhe prijës të kësaj bote. Nëse për ndonjë arsye të justifikueshme njeriu nuk e kryen një vepër të mirë, kjo arsye nuk e pakëson gradën e njeriut tek Allahu i Lartësuar, përderisa ai vazhdon të jetë i sinqertë”.
6 – Ruajtja e nderit dhe frika ndaj Allahut:
Personazhi i dytë i këtij tregimi shprehet kështu: “O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën…ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju Allahut dhe mos ma merr virgjinitetin pa të drejtë”. Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokënd tjetër..” Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me këtë veprim të personazhit të dytë thotë: “Ky njeri afrohet tek Allahu nëpërmjet ndershmërisë së pastër të papërzier me asgjë. Ky veprim dëshmon qartë për vlerën dhe rëndësinë që ka ruajta e nderit nga imoraliteti. Madje nëse njeriu e ruan nderin e tij nga imoraliteti, ndërkohë që ai ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë, kjo pa diskutim është vepra më e mirë”.
Ai person, i cili e ruan nderin e tij, në ditën e Gjykimit do të jetë nën hijen e Arshit të Allahut. Profeti (a.s.) thotë: “Shtatë grupe njerëzish do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut, në atë ditë ku nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij; ..personi të cilin një grua me pozitë dhe e pashme do ta ftojë për imoralitet, por ai do ta refuzojë duke iu përgjigjur: Unë kam frikë Allahun.”[21]
Kushdo që e ka frikë Allahun e Lartësuar, Allahu i ka premtuar se do t’i dhurojë një shpërblim shumë të madh. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai i cili ka frikë Zotin e tij dhe e ndalon veten e tij nga epshet, Xheneti është vendbanimi i Tij.”[22] “Ai i cili e ka frikë Allahun, ka si shpërblim dy Xhenete.”[23]
Ndërmjet frikës ndaj Allahut dhe njohjes sa më të thellë të emrave dhe atributeve të Allahut ka një lidhje mjaft të ngushtë. Frika dhe njohja janë të pandashme nga njëra-tjera në vazhdimësinë e rrugës për tek Allahu. Sa më shumë që njeriu të njohë emrat dhe atributet e Allahut, aq më shumë i shtohet frika ndaj Allahut. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, nga robërit e Tij më shumë frikë e kanë Allahun dijetarët.”[24] Një dijetar ka thënë: “Ai që e njeh më shumë Allahun, ai e ka më shumë frikë atë”.
Besimi i myslimanit nuk është i plotë, nëse ai nuk ka frikë nga ndëshkimi i Allahut për mëkatin që ka kryer. Në të vërtetë, besimtari e gjen veten e tij ndërmjet dy frikave; frikës ndaj një mëkati që e ka kryer dhe realisht nuk e di se çdo të bëhet me të dhe frikës ndaj exhelit që nuk e di se kur do t’i vijë dhe në çfarë gjendje të mjerueshme mund të jetë ai. Allahu na ruajtë nga përfundimi i keq.
Realisht, besimtari duhet të ketë frikë nga agonia e vdekjes, vdekja, ndëshkimi i varrit, vështirësitë e Ditës së Gjykimit dhe ndëshkimi i Zjarrit të Xhehenemit. Profeti (a.s) e luste gjithmonë Allahun e Lartësuar që ta ndihmonte në agoninë e vdekjes. Po ashtu, ai (a.s) kërkonte mbrojtje nga Allahu prej ndëshkimit të varrit dhe ndëshkimit të Zjarrit të Xhehenemit.
7 – Vlera e dhënies së hakut punëtorit:
Allahu i Lartësuar i ka krijuar njerëzit që të luajnë role të ndryshme në jetë, që çdokush prej tyre të mbartë mbi supe një përgjegjësi ndryshe nga të tjerët, në mënyrë të atillë që jeta në këtë tokë të vazhdojë normalisht. Allahu i Lartësuar i ka krijuar disa njerëz të pasur dhe të tjerë të varfër, ku secili prej tyre ka nevojë për palën tjetër. Një palë ka nevojë për para që t’i shpenzojë për nevojat e veta, ndërsa pala tjetër ka nevojë për shërbim. Feja Islame i urdhëron dhe porosit të pasurit, që të jenë modestë dhe të mos tregohen mëndjemëdhenj e arrogantë ndaj punëtorëve. Madje të pasurit kanë të drejta ndaj palës që u shërben. Pra, i pasuri ose punëdhënësi nuk duhet të tregohet mëndjemadh e arrogant ndaj punëtorit, sepse nuk është ndonjë çudi e madhe, që punëtori mund të jetë më i dashur tek Allahu se punëdhënësi. Të qenit më pranë Allahut nuk vlerësohet që ke pasuri të madhe apo trup të bëshëm, përkundrazi ajo vlerësohet me devotshmëri. Prandaj, Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin Famëlartë: “Me të vërtetë më i miri prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm”[25].
Tregimi, të cilin na e tregon profeti (a.s), është modeli ideal i zbatimit të së drejtës që punëdhënësi ka ndaj punëtorit. Ja se si i drejtohet Allahut të Lartësuar personi i tretë i kësaj historie: “O Zoti im, unë kam pasur rrogtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar përveç një njeriu i cili u largua para se ta merrte hakun.. Ai më tha: O robi i Zotit, m’i jep të hollat për hakun time të papaguar!” Unë i thashë: “Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devet dhe robërit janë prej hakut tënd që është shtuar..”
Profeti (a.s) ka thënë: “Jepjani rrogtarit hakun e tij përpara se t’i thahet djersa”[26]  Ndërkohë ai që nuk ia jep hakun punëtorit, në Ditën e Gjykimit, do të jetë kundërshtari i profetit (a.s), i cili thotë: “Allahu i Lartësuar thotë:Në Ditën e Gjykimit, tre persona janë kundërshtarët e Mi; personi i cili e jep besën në emrin Tim, por e thyen atë; personi i cili shet një njeri të lirë dhe i përvetëson për vete paratë e shitjes së tij; personi që merr një punëtor i cili ia kryen deri në fund punën, por ai nuk i jep atij hakun që meriton”[27].
Nëpërmjet kësaj historie, Profeti (a.s) dëshiton të na tregojë se dhënia e hakut të punëtorit është shkak i shpëtimit nga rreziku, lehtësim nga vështirësitë dhe njeriu është më pranë Allahut të Lartësuar. Personi i tretë i lutet me përgjërim Allahut nëpërmjet një pune të mirë, sepse ai kishte dhënë hakun punëtorit. Me këtë vepër ai shpresonte që bashkë me dy shokët e tjerë, Allahu t’i çlironte nga ajo vështirësi në të cilën ndodheshin. Prandaj, detyrë e thirrësit mysliman është që të trumpetojë me të madhe vlerën e këtij morali të lartë në mesin e njerëzve, sidomos në kohën e sotme.
Është për të ardhur keq, që në ditët e sotme punëtorit i bëhen shumë padrejtësi dhe haku nuk i dorëzohet një më një dhe kjo ndodh për disa arsye:
–          Mosfirmosja e një kontrate pune ndërmjet palëve që garanton të drejtën e punëtorit
–          Nëse kontrata është e firomosur, punëdhënësi nuk tregohet korrekt në zbatimin e saj
–          Mosvlerësimi në vlerë monetare i asaj që i takon punëtorit për punën që bën
–          Mbingarkesa e punëtorit përtej mundësive të tij
–          Përbuzja dhe nënçmimi ndaj punëtorit
–          Penalizimi përtej kufinjve të normales me masat ndëshkimore, sidomos ato në vlerë monetare.
Prandaj, është më e udhës që punëdhënësit të kenë frikë Allahun e Lartësuar dhe le të afrohen tek Ai duke ua dhënë hakun të tjerëve deri në fund dhe duke mos u sjellë padrejtësisht ndaj punëtoreve të tyre, sepse padrejtësia është një errësirë prej errësira të Ditës së Gjykimit.
8 – Fuqia dhe madhështia e Allahut të Lartësuar:
Allahu i Lartësuar ka krijuar, universin, qiejt, planetet, Tokën, ëngjëjt, xhindet, njerëzit, kafshët, pemët, bimët, oqeanet, detrat, lumenjtë, malet, kodrat e gjithçka tjetër që ndodhet mes qiejve dhe Tokës. I gjithë krijimi i Tij dëshmon qartë për fuqinë dhe madhështinë e Krijuesit.
Qielli i parë në krahasim me qiellin e dytë është si një unazë e hedhur në shkretëtirë, i dyti me të tretin si një unazë e hedhur në shkretëtirë, e kështu me rradhë. Ky krijim gjigand pa dyshim dëshmon fuqinë dhe madhështinë e Allahut
Allahu i Lartësuar e ka krijuar qiellin pa ndonjë shtyllë ku të mbështetet, ndërkohë që çdo ndërtesë pa kollona ku mund të mbështetet nuk mund të mbahet. Krijimi i qiellit pa kollona dëshmon qartë për fuqinë dhe madhështinë e Allahut.
Allahu i Lartësuar ka krijuar ndryshimin e natës dhe ditës. Nëse Ai do të kishte krijuar vetëm natën, kush tjetër përveç Tij do të kishte mundësi të krijonte ditën?! Nëse Ai do të kishte krijuar vetëm ditën, kush tjetër përveç Tij do të kishte mundësi të krijonte natën?! Ndryshimi i natës dhe ditës dëshmon për fuqinë dhe madhështinë e Allahut të Lartësuar.
Allahu ka krijuar diellin dhe hënën. Çfarë do të ndodhte, nëse dielli nuk do të lindte dhe hëna nuk do të shfaqeshin?! Si do të jetonim? Si do të mbillnim? Si do të hanim? Si do bënim llogaritje? Krijimi i diellit dhe hënës janë dëshmi e qartë e fuqisë dhe madhështisë së Allahut.
Allahu i Lartësuar e ka krijuar planetin e Tokës të përshtatshëm për jetë, ndërkohë që në planetet e tjera jeta është e pamundur. Jeta në planetin e Tokës dëshmon për fuqinë dhe madhështinë e Allahut të Lartësuar.
Kështu pra, çdo gjë që e ka krijuar Allahu dëshmon për fuqinë dhe madhështinë e Tij në krijim.
Në këtë univers, Allahu i Lartësuar ka vendosur ligje dhe rregulla që janë të pandryshueshme. Megjithatë, ka raste kur këto ligje dhe rregulla ndryshojnë me fuqinë dhe lejen e Allahut të Lartësuar.
Kur deti është i trazuar dhe dallgët janë shumë të mëdha, sidomos kur ato arrijnë lartësinë e një kodre, anijet mbyten, por anija e Nuhut (a.s) shpëtoi me fuqinë dhe lejen e Allahut të Lartësuar.
Vetia e zjarrit është që të djegë, por për Ibrahimin (a.s) ai ishte i ftohtë dhe shpëtimtar. E gjitha kjo ndodhi me fuqinë dhe lejen e Allahut.
Me anë të shkopit bariu drejton bagëtinë, por ai me fuqinë dhe lejen e Allahut mund të shndërrohet në gjarpër, të ndajë detin më dysh e të çajë gurin nga i cili rrjedh ujë.
Të gjithë njerëzit lindin me nënë dhe baba, ndërsa Ademi (a.s) lindi pa nënë dhe pa baba, Havaja lindi nga brinja e burrit të saj, ndërsa Isai (a.s) lindi pa baba. Lindja e tij dëshmon për fuqinë dhe madhështinë e Allahut.
Po ashtu ishte e pamundur, që tre shokët ta lëviznin shkëmbin, i cili u rrokullis dhe e zuri hyrjen e shpellës. Ata nuk kishin mjetet e duhura për ta lëvizur atë dhe nuk kishin njerëz nga jashtë shpellës që mund t’i ndihmonin. Lëvizja e tij për të liruar hyrjen e shpellës mund të bëhej vetëm me urdhrin dhe lejen e Allahut të Lartësuar dhe me të vërtetë shkëmbi lëvizi me fuqinë, urdhrin dhe lejen e Allahut të Lartësuar.
9 – Ruajtja e Amanetit:
Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky hadith flet për vlerën e Amanetit dhe se njeriu përveçse mundohet që punën e vetë ta përsosë, pse jo në të njëjtën mënyrë të kujdeset për punën e tjetrit. Personi i tretë në këtë tregim, shumë mirë mund t’i kishte dhënë ish punëtorit të tij hakun që i takonte dhe të mjaftohej me kaq, ndërsa pasurinë e shtuar e mbante për vete. Por duke qenë se ai ishte njeri me vlera; që e ruante amanetin, ishte njeri i besueshëm dhe i sinqertë me vëllain e tij, i dha atij të gjithë pasurinë që ishte shtuar”.
10 – Allahu nuk e humbet veprën e mirë:
Po, është e vërtetë, Allahu i Lartësuar nuk e humbet kurrë veprën e mirë, sado e vogël apo e madhe qoftë ajo, në çfarëdo lloj rrethane e situate që të jetë kryer, në çdo kohë, i madh apo i vogël, mashkull apo femër qoftë personi që e ka kryer atë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërmijë, do ta shohë atë”[28]. “Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve. Pikërisht atyre u përket Xheneti i Adnit, nëpër të cilin rrjedhin lumenj. Ata do të stolisen me byzylykë ari dhe do të vishen me rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë dhe armaçi, duke ndenjur të mbështetur në shtretër të lartë. Sa shpërblim i mrekullueshëm dhe sa vendbanim i bukur!”[29] “Çfarëdo lloj të mire që e bëni, Allahu e di.”[30] Profeti (a.s.) thotë: “Mos e përbuz anjë punë të mirë. Edhet`i buzëqeshësh vëllain tënd është punë e mirë”[31].
Për Allahun e Lartësuar është më e lehtë që të shkatërrojë universin, çka do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, se sa t’ia humbasë veprën e mirë besimtarit. Të tre personazhet e tregimit, në kohë dhe në vende të ndryshme kanë kryer nga një vepër të mirë. Dëshmi e qartë e mos humbjes së punëve të mira të tyre, është fakti se Allahu ua pranoi punën e mirë dhe i çliroi nga makthi që i kishte kapluar.
11 – Motivimi për të bërë vepra të mira:
Nuk ka dyshim, se metoda e motivimit për të bërë vepra të mira konsiderohet prej instrumentave të thirrjes islame, sepse motivimi e shtyn njeriun që të jetë sa më i përkushtuar në adhurim. Motivimi për të kryer vepra të mira bëhet duke i bërë njerëzit që të përmallohen për shpërblimin e Allahut dhe Xhenetin. Metoda e motivimit për të bërë vepra të mira dhe qortimi për t’u ndaluar nga kryerja e vepra të këqia është në përshtatje të plotë me gjendjen shpirtërore të njeriut në rrethana dhe situata nga më të ndryshme. Ajo është ilaçi kurativ dhe mburojë, që shfaqet si përgëzim për ata që bëjnë vepra të mira dhe si qortim për ata që bëjnë vepra të këqia. Ka prej atyre njerëzve, që kanë nevojë për motivim për nga rruga e hajrit, janë të përmalluar për dritën  dhe nxitojnë për tek udhëzimi.
Metoda e motivmit që përftojmë nga ky hadith, e nxit çdo besimtar që të rendë sa më shpejt për kryer këto vepra të mira, duke filluar me respektin ndaj prindërve, ruajten e nderit nga imoraliteti, frika ndaj Allahut, frika nga padrejtësia që mund t’i shkaktojë njerëzve, qofshin ata punëtorë apo çfarëdo lloj qofshin. Duke qenë se këto vepra të mira të shoqëruara me nijetin e pastër janë arsyeja për t’u çliruar nga vështirsitë dhe rreziqet që i kanosen njeriut, atëherë ato janë promotori kryesor, që njeriu të afrohet sa më shumë tek Allahu dhe ta meritojë mëshirën e Tij.
 
 
 
    
 
[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi. [2] Sure El Bekare:186 [3] Sure Jusuf: 111. [4] Sure El Bekare:186. [5] Sure En Neml:62. [6] Sure El Enbija: 68-69. [7] Sure Esh Shuara: 61-62. [8] Sure Esh Shuara: 88-89. [9] Sure El En’amë: 63. [10] Transmeton imam Et Tirmidhi. Imam Albani e ka saktësuar këtë hadith. [11] Sure El Bekare: 82. [12] Sure El Kehf: 30. [13] Transmeton imam Ahmedi në musnedin e tij. Zinxhiri i trannsmetimit është i saktë sipas kushteve të vendosura nga dy imamllarët. [14] Sure En Nisa: 36. [15] Sure El En’amë: 151. [16] Sure El Isra:23. [17] Sure El Ankebut: 8. [18] Sure Lukman: 14. [19] Sure El Bejine: 5. [20] Sure El Kehf: 110. [21] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi. [22] Sure En Naziatë: 40-41. [23] Sure Er Rahman: 46. [24] Sure Fatir:28. [25] Sure El Huxhuratë [26] Transmeton imam Ibnu Maxheh. Imam Albani e ka saktësuar këtë hadith. [27] Transmeton imam Buhariu. [28] Sure Ez Zelzele:7. [29] Sure El Kehf: 30-31. [30] Sure El Bekare: 191. [31] Transmeton imam Muslimi.

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit