0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Tre shqiptarë të Plavës bien në minat e vendosura nga serbët

Më të lexuarat

Tre persona kanë mbetur të plagosur në kufirin Shqipëri-Mali Zi, në zonën e Tropojës. Minat e mbjella nga ushtria serbe në brendësi të territorit të Shqipërisë në vitin 1999 vazhdojnë të shkaktojnë ende viktima në mesin e shqiptareve në të dyja anët e kufirit, ku kësaj radhe viktima kanë qenë tre shqiptarë të Malit të Zi, njofton korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Kukësi.

Smajl Prelvuka, 37 vjeç, dhe Arben Muja, 25 vjeç, dhe një tjetër person ende i paidentifikuar janë personat e plagosur paraditen e së dielës. Ngjarja ka ndodhur në rajonin e piramidës 23, në bjeshkët e Çeremit, midis këtij rajoni dhe Plavës e Gucisë. Tre shtetasit e Malit të Zi me kombësi shqiptare kanë qenë duke kaluar me automjetin e tyre në një rrugë automobilistike që lidh bjeshkët e Plavës me ato të Çeremit, kur sapo automjeti ka hyrë në territorin e Shqipërisë ka rënë në një minë, ku si pasojë e shpërthimit të saj janë plagosur tre personat që gjendeshin në automjet, njeri prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Pas këtij incidenti, barinjtë që ndodheshin në bjeshkët e Çeremit kanë njoftuar policinë lokale, e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes bashkë me një autoambulancë të Spitalit të Bajram Currit.

Policia ka bërë të mundur transportimin e të plagosurve për në Spitalin e Bajram Currit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa njeri prej tyre, që ishte në gjendje të rëndë, është transportuar me helikopter për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Mësohet se të plagosurit ishin nisur të vizitonin të afërmit e tyre në Tropojë, ndërsa dyshohet se mina ku ka ndeshur makina ka mbetur që prej luftës në Kosovë në vitin 1999.

Incidenti me minat e vendosura nga ushtria serbe në kufirin Shqipëri-Mali i Zi ka ndodhur në një zonë të certifikuar si të pastruar nga minat.

AMAE (Aksioni i Veprimit ndaj Minave) në Shqipëri dhe Qendra e Çminimeve Humanitare në Malin e Zi kanë pastruar kufirin shtetëror Shqipëri-Mali i Zi në rajonin midis Plavës së Malit të Zi dhe Tropojës. Pavarësia e Malit të Zi ka krijuar mundësinë e pastrimit të kufirit në mes të kësaj republike dhe Shqipërisë lidhur me zonat e minuara në kufirin Shqipëri-Mali i Zi vetëm në korrik të vitit 2006.

Të gjitha zonat e kontaminuara kanë qenë në brendësi të territorit shqiptar. Minat janë vendosur nga ushtria serbe kur Mali i Zi ishte në Unionin Serbi-Mali i Zi.

Ndërkohë, autoritetet e ushtrisë serbe nuk kanë vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare asnjë lloj materiali apo harte që ka të bëjë me vendosjen e minave në territorin e Shqipërisë. Sipas zyrtarëve të Malit të Zi, asnjë përfaqësues i shtetit apo ushtrisë serbe nuk ka deklaruar asnjëherë dhe në asnjë vend se kanë vendosur mina në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë që në bazë të listave që ka AMAE dhe nga IRC-ja, që nga 25 marsi i vitit 1999 dhe deri tani në Shqipëri janë regjistruar 273 persona të plagosur e të vrarë nga minat, që serbët kanë vendosur në brendësi të territorit të Shqipërisë. 34 të vdekurit dhe 239 të plagosurit u përkasin rretheve të Tropojës, Hasit dhe Kukësit me një popullsi të përgjithshme prej 120 mijë banorësh dhe me një sipërfaqe të minuar prej 1400 hektarësh, ose 15 milionë e 250 mijë metra katrorë, në 117 km vijë kufitare tokësore midis Kosovës e Shqipërisë.

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi kanë firmosur marrëveshjen për hapjen e pikëkalimit kufitar Çerem-Vranic(Plavë) që do të funksionojë si PKK lokale për qarkullim ndërkombëtar të banorëve të zonës, me orar të reduktuar. Pikëkalimi kufitar në zonën e Çeremit në Tropojë nuk presupozon ndërtimin e një godine, por vetëm autorizimin në një vend ku njerëzit, në orare të caktuara, do të kalojnë në të dy krahët e kufirit, nisur nga kërkesat e shumta të zonës dhe sidomos nga kërkesat e shumta të turistëve të huaj që e përdorin shpesh atë zonë. Parlamenti i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen mes dy vendeve për hapjen e këtij vendkalimi, por që ende nuk është konkretizuar kjo marrëveshje, ku kalimi i njerëzve dhe i automjeteve bëhet në mënyrë ilegale./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit