Disa qytete të Shqipërisë janë përfshirë nga përmbytjet gjatë ditës së sotme, ku si pasojë kanë humbur jetën tre persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Viktima e parë në vend u shënua në Bashkinë Klos, ku shtetasi me inicialet Xh.N, është marrë nga rrjedha e ujit, ndërsa kanë humbur jetën edhe dy persona të tjera gjatë ditës, në Tiranë dhe Këlcyrë.
Në një njoftim zyrtar nga Policia e Gjirokastrës bëhet e ditur se në Bashkinë Këlcyrë, shtetasi K.S rreth 50 vjeç, është rrëzuar nga tarraca e banesës së tij, duke humbur jetën. Nga informacionet parapake mësohet se ky shtetas është rrëzuar si pasojë e erës së fortë.
Ndërkohë, një person i paidentifikuar është nxjerrë nga rrjedha e lumit të Tiranës në zonën Babrru, në periferi të kryeqytetit.
Situata më e rënduar vazhdon të mbetet në qytetet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës, Dibër, Fushë Krujë, Gjirokastër, etj. Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar se ka evidentuar të gjitha rrugët problematike dhe me mundësi të lartë për t’u bllokuar gjatë reshjeve të dendura të shiut, si dhe prej ditës së djeshme 1800 punonjës nga ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policisë Bashkiake, Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune në terren, në shërbim të qytetarëve.
Reshjet kanë nisur që nga orët e natës, ndërsa sipas Instituti Hidrometeorologjik të Shqipërisë, reshjet e dendura do të vazhdojnë të jenë prezente deri ditën e enjte të kësaj jave.