4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Tre kandidatë për rektor të UP-së

Më të lexuarat

Ibrahim Gashi ka lënë postin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe të nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re me synim që të bëhet rektor në Universitetin e Prishtinës. Emri i tij figuron në listën e tre kandidatëve, të cilët deri të martën pasdite kanë qenë të vetmit që kanë konkurruar për postin e të parit të UP-së. Përveç Gashit, postit të rektorit ia kanë mësyrë edhe Berim Ramosaj e Valon Murtezaj. Konkursi është hapur më 20 qershor dhe mbyllet sot, më 4 korrik, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gashi nuk ka dhënë zyrtarisht ndonjë arsye për brakatisjen e posteve të deritashme, ndërsa gazeta nuk ia ka dalë ta kontaktojë të martën. Ai ka dhënë dorëheqje të hënën nga posti i zëvendësministrit të MPJ-së, kurse të martën nga të gjitha pozitat që i ka pasur në AKR.

AKR-ja, duke e konfirmuar dorëheqjen e Gashit, e ka vlerësuar punën e tij dhe i ka uruar suksese të mëtejme. Këto lëvizje të Gashit kanë pasuar disa ditë pasi që në Universitet dhe në medie të Kosovës ishte përhapur informacioni se Gashi po përgatitej për rektor të UP-së, me çfarë do t’i plotësonte zbrazëtirat e mbetura midis koalicionit aktual qevrisës në vend, PDK e AKR.

Kryetari i sektorit të arsimit në AAK, Jonuz Salihaj, ka thënë të hënën se në kohën e bërjes së koalcionit qeveritar Gashi ka qenë një kombinim për postin e ministrit të Arsimit, mirëpo, sipas Salihajt, ministri aktual, Ramë Buja, ishte treguar më i fuqishëm brenda subjektit të tij.

“Është fatkeqësi që Universiteti i Prishtinës edhe më po vazhdon të jetë i politizuar”, ka thënë Salihaj. Ai ka shtuar se nuk ka asgjë kundër Gashit, pasi ai mund t’i plotësojë kushtet, mirëpo çështja do të duhej ta kishte më shumë për bazë konkursin.

Se mundësia e zgjedhjes së Gashit rektor është pasojë e mospërmbushjes së marrëveshjes PDK-AKR e ka mohuar nënkryetari i AKR-së, njëherësh ministër i Diasporës, Ibrahim Makolli.

“Zoti Gashi ka përgatitje të bollshme akademike dhe mund të konkurrojë edhe për rektor. Ai mund edhe të zgjidhet nëse i plotëson kushtet e konkursit”, ka thënë Makolli. “Postet që kanë të bëjnë me konkurse publike nuk ndikojnë në marrëveshjet politike, gjë që nuk ka përjashtim as në këtë rast”.

Megjithëkëtë, përjashtim të lidhshmërisë Makolli ka thënë se marrëveshja e PDK-së me AKR-në për postet në Qeveri ende nuk është realizuar ashtu si duhet.

Nga ana tjetër, ish-shefi i Gashit në MPJ, ministri Enver Hoxhaj, ka thënë se “ajo që di është se zoti Gashi dëshiron t’i kthehet jetës akademike dhe se do të garojë për rektor të UP-së”.

Në Ministrinë e Arsimit, ndërkaq, këshilltari i ministrit Buja, Ragip Gjoshi, ka thënë se si ministri janë të interesuar që Rektorati në procedurën e përzgjedhjes së rektorit të ri të Universitetit ta zbatojë Ligjin për arsimin e lartë, Statutin e UP-së, si edhe aktet e tjera normative.

“Autonomia e Universitetit mendoj se duhet të jetë parësore për caktimin e organeve të saj, të cilat do ta drejtojnë atë me devotshmëri dhe me program të mirë”, ka thënë ai.

Ibrahim Gashi ka qenë pjesë e AKR-së që nga themelimi i saj. Ka qenë deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Një kohë të shkurtër ka mbajtur postin e shefit të kabinetit dhe të këshilltarit të parë të Behgjet Pacollit si president, e pastaj atë të zv.ministrit të Punëve të Jashtme.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit