-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Trashëgimia e madhe e Muhamet Çamit (Kyçykut)

Më të lexuarat

Në qarqet e gjera të intelektualëve-atdhetarë çamë të zonës së Konispolit, shkëlqen figura e Muhamet Çamit, ose siç njihet në disa mjedise, Muhamet Hamza Kyçykut, përfaqësuesit më të shquar të letërsisë çame të shekujve XVIII-XIX, mësuesit dhe drejtuesit të Medresesë së Konispolit, poliglotit të gjuhëve të Lindjes, studentit të shkëlqyer të Al-Az’har-it, njërit prej universiteteve më të pëlqyer të shqiptarëve të shekullit XIX.

Jeta e Muhamet Kyçykut si intelektual, është në mënyrë të pareshtur impulsive. Kahet e saj janë në disa drejtime: ai bën jetën e një organizatori të shkëlqyer e pedagogu të zgjedhur në ngritjen në një nivel të ri të shkollës që drejton, bën jetën e një krijuesi artistik, i frymëzuar nga ndjenja fisnike, bën jetën e një idealisti dhe njëkohësisht atdhetari, duke e ngritur gjuhën amtare në gjuhë mësimi.

Të gjitha këto ai i bëri sepse deshi t’i rrisë lavdinë e vendlindjes së tij, Konispolit, duke e bërë shkollën që drejtonte një qendër kulture, që do të rrezatonte qytetërim dhe kulturë islame, sepse deshi që nxënësit e tij të edukohen me frymën e së drejtës, të së bukurës, të së mirës. I frymëzuar nga mësimet e Profetit a.s., ai punoi, hartoi dhe shqipëroi më se njëzet vepra, sepse deshi që nxënësit të kuptojnë më shumë, të dinë më shumë, të gjykojnë më shumë, duke u mësuar në gjuhën e nënës, në gjuhën amtare shqipe. Ai u la pasardhësve jo vetëm trashëgiminë letrare, por edhe shembullin e tij si udhëheqës e edukator shkolle, qëndrimin e tij ndaj punës, emrin e tij plot lavdi dhe premtime e shpresa të mëdha për të ardhmen.

Historiografia jonë e arsimit nuk e ka rrokur këtë fakt të rëndësishëm, që në medresenë e Muhamet Çamit mësimet zhvilloheshin në gjuhën amtare, se tekstet e kësaj shkolle kishin autorësinë e Muhamet Çamit dhe se ato ishin shkruar në shqip, se kjo gjuhë tingëllonte më e kuptueshme, më e afërt, më e përzemërt se çdo gjuhë tjetër dhe nxënësit filluan t’i kopjojnë veprat e mësuesit të tyre, drejtorit të tyre, paçka se me alfabetin turko-arab.

Të kujtojmë se në ato vite që vdiq Muhamet Çami (1844), u botua “Ëvetari” shqip i Naum Veqilharxhit. Veprat e Muhamet Çamit, si “Erveheja”, “Jusufi e Zylihaja”, “Tahiri dhe Zyhraja”, të shkruara në shqip qarkullonin dorë më dorë. Ato qenë bërë edhe ushqim për rilindësit, qysh kur Jani Vreto tentoi t’i përshtaste me kërkesat e reja të gjuhës së përpunuar. Në këtë aspekt, medreseja e drejtuar nga Muhamet Çami ishte më e mirë, më e dobishme dhe qëndronte më lart se medreseja dhe “Zosimea” e Janinës. Shumë nga nxënësit çamë të kësaj medreseje, si edhe ata të zonës së Fterrës, Tragjasit, Backës, Vëndreshës etj., propaganduan mësimin e gjuhës shqipe.

Edhe vetë fakti që kjo medrese e ngritur qysh më 1700-1720, mbijetoi deri më 1940, dëshmon se kishte formuar tiparet thelbësore të një institucioni arsimor të qëndrueshëm. Me gjithë kthesat që pati, edhe kur më 1917 ajo u shndërrua në dydegëshe (shkollë shqipe dhe medrese) dhe më 1924 u shndërrua e tëra në shkollë plotore shqipe, dëshmon se ajo kishte një traditë të pasur.

Vetiu lind pyetja: Cili, ose cilët intelektualë nga Konispoli kanë ndërmarrë një studim të gjerë për trashëgimin kulturore, pedagogjike, artistike, organizative e atdhetare të këtij burri të madh? Cili, ose cilët nga ne jemi shtyrë për të pasqyruar dhe hedhur dritë mbi këtë shkollë shqiptare më se dyshekullore, ku kanë studiuar personalitete të shquar si Osman Rushiti, Rushit Dine Haliti etj.? Cili nga ne ka bërë një studim për veprat që kanë lënë nxënësit e kësaj shkolle? Për fondin e bibliotekës së saj? Për format e punës të përdorura nga kjo medrese?

Konispoli është një qendër e lashtë iliro-epiroto-shqiptare. Gjurmët e teatrove të vjetër shtyhen në shekullin IV dhe të III para erës së re. Arkeologët shqiptarë kanë rënë në gjurmët e vendbanimeve të hershme, siç janë Bregu i Sterrës, Çuka e Ajtoit etj.. Çuka e Ajtoit, që i përket Kaonisë së Epirit, gjendet mbi kodrën që zotëron fushën e Vrinës ose Kestrinën antike. Pa u ndalur në emrin e ri Konispol, që mori kjo zonë, duhet thënë se në kohët më të reja, Konispoli dhe i tërë territori përreth mori zhvillim ekonomiko-kulturor dhe nxori shumë figura të shquara. Mjafton të përmendim Hasan Tahsinin nga Ninati e vite më pas “Klubin e shkrimit të gjuhës shqipe”, të ngritur në qendër të Konispolit më 1910.

Historia e letërsisë shqiptare të Rilindjes sonë kombëtare nuk mund të kuptohet pa përfshirjen e veprës së Muhamet H. Kyçykut.

Për të kanë shkruar Jani Vreto, specialisti i shkrimtarëve të alhamiadës, Osman Myderrizi, Aleksandër Xhuvani, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Ibrahim Hoxha, Muhamet Piraku dhe Muhamed Hysa. Unë, në vitin 1998, në monografinë “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë”, i kam kushtuar katër faqe veprës së Muhamet Kyçykut. Por nga të gjithë nuk është bërë ndonjë studim i veçantë dhe analitik përmbi veprat e shkruara prej tij. Ai ka vepra me përmbajtje fetare, siç ka edhe Fishta, Noli e Kristoforidhi, por ka edhe punime të tjera me karakter social.

Veprat me subjekt fetar trajtojnë tema nga historia islame, nga mësimet e Kur’anit, nga sentencat e profetit Muhamed a.s., elegjinë kushtuar vdekjes së profetit Muhamed a.s. etj.. Ndër veprat e tjera, meriton të vihet në dukje edhe “Gurbetlinjtë”, temë aktuale edhe sot. Emigrimi, kjo plagë e madhe shoqërore, që ka gërryer shoqërinë shqiptare vazhdimisht, gërryen edhe zemrën e poetit të Konispolit, gati 200 vjet më parë. Edhe poezia tjetër “Bekriu”, është temë aktuale.

Këtu kemi spektrin etik të tij, natyrisht në aspektin e edukimit islam dhe edukatës islame.

Për të ilustruar forcën e shprehjes së tij, bukurinë e fjalës dhe të stilit, po sjell më poshtë një strofë nga vargjet e poezisë “Gurbetlinjtë”:

Ç’ke moj zemër që bën figan (loton)

që s’bën karar natë e ditë (nuk gjen qetësi)

po kullon gjak edhe katran,

qan që t’u këpunë sitë.

Por vepra më madhore e tij është poema “Jusufi e Zylihaja”. Ajo ka natyrë tregimtare, gjuhë të pasur dhe stil të bukur, ka analiza psikologjike, vargje 8-rrokëshe të poezisë popullore trokaike, po edhe jambike dhe nota origjinaliteti. Dy protagonistët e kësaj novele të parë shqiptare përfaqësojnë dy tipa të veçantë, të cilët personifikohen me mjeshtëri nga autori.

Nëse do ta personifikojmë tani vetë autorin, me njohjen tonë jo të plotë dhe pa u njohur siç duhet me tërë opusin e tij, të cilin na e ka lënë si trashëgimi të çmuar të gjithë neve, bashkatdhetarëve të tij, mund të themi: Muhamet Kyçyku është një njohës dhe zbatues i folklorit shqiptar jugor, i gjuhës dhe i stilit të poezisë popullore, i figurave stilistike, që të përdorura me mjeshtëri, i vesh personazhet si Jusufin, Zylihanë, Ervehenë etj., i përdorimit të mënyrave mjeshtërore të dialektit çam në tërë pasurinë e tij, i futjes së gjuhës amtare si gjuhë mësimore, i shembullit të punës, të qytetarit, të edukatorit, të atdhetarit, të besimtarit mysliman.

Shefik Osmani

/Revista Drita Islame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit