3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Trashëgimia e fushave të minuara në botë

Më të lexuarat

Shumë më pak mina vendosen sot se sa para një dekade, por një numër i madh i tyre mbeten në terrenet në vendet pas konfliktit në mbarë botën.

Organizata HALO Trust është e angazhuar në pastrimin e minave në Afganistan, Bosnjë dhe Kosovë.

Bashkëthemeluesi i kësaj organizate, Guy Willoughby, thotë se numri më i vogël i minave mund të shpjegohet me faktin se ka më pak konflikte të mëdha.

Në këtë aspekt, bashkëthemeluesi i organizatës HALO Trust, Guy Willoughby, thotë se në këtë moment, në mbarë botën, vendosen më pak mina se në vitet e 80 apo të 90-ta.

Ai shpjegon se zakonisht minat i vendosin ushtritë që ballafaqohen me humbje.

“Duhet ta mbani mend se minat tokësore, minat vdekjeprurëse, normalisht vendosen nga armatat që janë në tërheqje dhe ballafaqohen me disfatë. Ato vendosen nga armatat që kanë mbetur me më pak ushtarë ose nuk kanë trupa të mjaftueshme për t’i mbrojtur pikat e tyre kryesore strategjike. Prandaj, në të kaluarën, ata kanë vendosur mina vdekjeprurëse, si ushtarë që kurrë nuk flejnë dhe nuk u nevojitet ushqim”, thotë Guy Willoughby.

Sipas tij, me gjasë, numri më i vogël i minave, që vendosen aktualisht, mund të shpjegohet me atë se ka më pak konflikte të mëdha, që zhvillohen me armata relativisht statike, pra një ushtri përballë ushtrisë tjetër, ku njëra armatë ka më pak trupa, prandaj vendos mina.

​​Por, thotë Willoughby, tash kjo mënyrë pothuajse nuk përdoret.

“Ky aktualisht nuk është stil i luftërave në 5 ose 10 vitet e fundit, në shkallë globale”, thotë Willoughby.

Megjithatë shtrohet pyetja se çka mendojnë qeveritë në mbarë botën për minat? Megjithqë 80% e vendeve të botës janë pajtuar që t’i respektojnë kufizimet nga Marrëveshja për Ndaljen e Minave nga viti 1997, ato prapë prodhohen.

Çka mendon zoti Willoughby për këtë marrëveshje?

“Mendoj se njëri nga sukseset e Marrëveshjes për Ndalimin e Minave është stigmatizimi i minave tokësore, duke e pranuar se në situatën pas konfliktit, jeta e civilëve është e ndikuar shumë nga minat, pasi duhet kohë e gjatë për pastrimin e tyre. Nëse ju dëshironi që një vend ka ktheni në normalitet pas konfliktit, atëherë do të jetë shumë më lehtë nëse atje nuk ka mina tokësore”, thotë Willoughby.

Megjithatë, sa i përket prodhimit të minave, ai konsideron se ka pasur progres të mirë, pasi prodhuesit kryesor të minave, siç janë italianët, që kanë prodhuar dhe eksportuar një sasi të madhe të minave, tashmë nuk e bëjnë këtë.

Asnjëra nga fuqitë më të mëdha ushtarake nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen për Ndaljen e Minave. Megjithatë, ato kanë qasje krejtësisht të ndryshme lidhur me problemin e minave.

Shtetet e Bashkuara nuk e lejojnë eksportin e minave tokësore, ndërsa Rusia dhe Kina nuk e bëjnë këtë.

Meqë organizata HALO Trust merret me pastrimin e minave në vendet e pas konflikteve, prej nga vijnë pjesa më e madhe e minave?

“Nëse dikush i shikon dhjetëra mijëra mina që HALO Trust i pastron çdo vit, shumica e këtyre minave e kanë prejardhjen nga Rusia, Kina, Irani dhe Pakistani”, thotë Willoughby.

Ai shpjegon se modeli i punësimit në këtë organizatë i ish ushtarëve apo i ish luftëtarëve ose i njerëzve lokalë, që përpiqen të fitojnë për të jetuar, derisa vendi i tyre pastrohet nga minat, ka funksionuar mirë.

“Ky model funksionon shumë mirë dhe është mirëpritur nga qeveritë në Angolë, Mozambik, Kosovë e vende të tjera”, tha Gay Willoughby nga organizata HALO Trust. (f. b.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit