AV.DENISA DAKA
Në shkelje flagrante të të drejtave të fëmijëve, të respektimit, dinjitetit dhe nderit të secilit prej tyre, duke vënë në rrezik integritetin e tyre gjithashtu. RTSH ka transmetuar dje në mesditë një film me metrazh të shkurtër, të quajtur “Joshua and Harry”, film i cili kish për subjekt dy djaloshë minorenë, në një lidhje sentimentale homoseksuale mes tyre.
Në film shfaqen dy fëmijë që puthen mes tyre, duke pohuar se ndihen krenarë për marrëdhënien dhe jetën e tyre sentimentale.
Këto pamje të rënda përmes këtyre transmetimeve, të cilat influencojnë e nxisin orientimin seksual mes minorenëve drejt marrëdhënieve homoseksuale, janë të rënda e të paprecedente.
Pa asnjë njoftim paraprak, në kundërshtim me standardet bazë të vendosura për këto raste, për sinjalizime të paralajmëruara e jo vetëm, një televizion publik me një impakt të konsiderueshëm këtu, transmeton një film, i cili keqedukon e kapërcen çdo pritshmëri negative të imagjinatës më të shfrenuar në çdo rast.
TVSH-ja, e cila mbijeton me taksat tona, duhet doemos të ofrojë programe edukative dhe për sa i përket edukimit seksual, ndërsa nuk është kurrsesi kjo mënyra e edukimit të të rinjve. Në çdo rast të transmetimeve të filmave me objektiv fëmijët, duhet të respektohen një sërë parimesh dhe kufizimesh të përcaktuara nga Kodi i Transmetimit “Për Median Audiovizive”, dispozitat statutore të “Parimeve Editoriale të RTSH-së” gjithashtu.
Një rast konkret shihet e konstatohet qartazi se u veprua në kundërshtim të plotë me interesin më të lartë të fëmijëve këtu.
Ligji “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës” sakaq, përcakton qartazi të drejtat dhe mbrojtjen e çdo fëmije, duke caktuar detyrime të mirëpërcaktuara dhe për mekanizmat dhe autoritetin përgjegjës në këtë rast, të cilat duhet të garantojnë doemos respektimin e këtyre të drejtave në favor të fëmijëve.
Çdo veprim a mosveprim me dashje, me anë të të cilit kryhet dhunimi i fëmijëve, fizikisht apo mendërisht, ku përfshihet dhe abuzimi seksual, është i dënueshëm me ligj.
Këshilli Kombëtar “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve”, ngritur enkas për mbrojtjen e fëmijëve, është pothuaj i padukshëm dhe pa zë prej vitesh, teksa shfaqjet e formave të dhunës karshi fëmijëve shfaqen jo veç në një formë.
Neglizhimi dhe mospenalizimi i rasteve të tilla legjitimon shëmtinë e dhunimin e të drejtave të secilit prej fëmijëve tanë, duke anashkaluar faktin se interesi më i lartë i fëmijës është e duhet të jetë konsideratë parësore në çdo rast.
Agjencia Shtetërore “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve”, ministri përkatës gjithashtu, me autoritetin që i jep ligji, duhet përveçse të konstatojnë dhe të marrin masa të menjëhershme, që ky material viziv me përmbajtje erotike të bllokohet menjëherë.
Ndryshe, dëmi paskëtaj apatie, amullie e neglizhence e me shumë gjasë dhe bashkëpunimi, kohë pas kohe do të jetë i pariparueshëm.
Për shkeljet përkatëse të kryera në këtë rast, secili prej personave përgjegjës duhet të mbajë përgjegjësi ligjore e morale njëkohësisht.
Fëmijët kanë nevojë të mbrohen nga të gjitha format e shfaqjes së dhunës, ndryshe nuk do të na e falin këtë shurdhëri e dëm secilit prej nesh, as atyre pak syresh të cilët për “qëllime të larta” a për llogari të ndonjë “supermeni” këtu, dëmtojnë ditë pas dite çdonjërin prej tyre.