12.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Transformimi cilësor në jetën e arabëve

Më të lexuarat

Nga: Dr Aid El-karnij

Transformimi cilësor në jetën e arabëve

Në një moment vendimtar dhe historik në jetën e tyre, arabët u shndërruan nga barinj devesh e delesh, në liderë të njerëzimit, nga fise të përçara, nga banda rrugësh që plaçkisnin e vrisnin, nga njerëz që adhuronin idhujt, hanin cofëtinat, shkonin keq me të afërmit … në një umet monoteist, që kishin një orientim, që i përuleshin vetëm Krijuesit të plotfuqishëm, që vendosi drejtësinë në tokë, që shenjtëroi vlerat, që respektoi të moralshmen, që ngriti tempujt e dijes etj… Po, ky ishte momenti historik dhe vendimtar i shpalljes “Lexo me emrin e Zotit që krijoi”, shpallje nga Zoti, nëpërmjet engjëllit Xhibril a.s, tek profeti Muhamed a.s, në shpallën Hira. Në këtë çast, ndodhi transformimi cilësor në jetën e arabëve, të cilët nga beduinë të ngurtë, vrasës, të prapambetur, idhujtarë etj… u transformuan në një brez besimtar, luftëtar, të paepur, përcjellës të dritës në mbarë botën dhe njerëzimin, përgëzues të mëshirës hyjnore. Ata u shndërruan në dëshmitarë për veten dhe popujt e tjerë. Lavdia dhe krenaria e tyre filloi nga shpella Hira, me fjalën e parë të Kuranit “Lexo”, nga ai takim historik mes Muhamedit a.s dhe Xhibrilit a.s, takim i paprecedent në histori. Që atë natë, filloi të shkruhet historia e ndritur e arabëve. Arabët nuk i ndryshoi ndonjë ngjarje e caktuar në historinë e tyre të gjatë, ashtu siç i ndryshoi nata e shpalljes së fjalës së parë hyjnore “Lexo”. Ata nuk i ndryshuan kuvendet poetike, as poetët më të lavdishëm të tyre, nuk i ndryshuan luftërat që zhvilloheshin mes tyre… por ata i ndryshoi shpallja hyjnore që iu shpall profetit të tyre që nuk dinte shkrim e këndim. E kush e beson, që beduinët e Gadishullit Arabik, që adhuronin gurët e drurët, që silleshin rreth pemëve në formë adhurimi, që besonin tek yjet, që mbanin hajmali e nuska, befasisht, të shihen mbi anije duke përmendur dhe madhëruar Zotin, duke çliruar vende e territore. Kush e besonte se njerëz injorantë dhe paganë, të transformohen befasisht në prijës të Bagdadit, Damaskut, Kajros, Alhambras, Alzahra-s dhe prej tyre të dalin shkencëtarë, studiues, predikues, doktorë, inxhinierë, të mençur, adhurues të Zotit dhe ftues drejt të mirës! Vallë a do të kishte ngjarë kjo nëse nuk do të ishte shfaqur mesazhi hyjnor i përcjellë mjeshtërisht nga Muhamedi a.s, mesazh i cili shkundi botën mbarë? A mendoni se nëse nuk do na kishte nderuar Zoti me dërgimin e profetit Muhamed a.s, do të ishte ngritur kalifati i lavdishëm, dinastia e Omejadëve, Abasitëve, Osmanëve, Almoravidëve, Almohadëve etj…? A mendoni se e gjitha kjo, do të kishte ndodhur po të mos ishte fjala e parë “Lexo”, e shpallur atë natë të bekuar?
Falë këtij momenti historik, doli në skenë Omer ibnul Hattabi, Halid ibnul Velidi, Salahudin Ejubij, Mehmet Fatih, Malik ibnu Enes, Ibnu Halduni, Ibnu Sina dhe shkencëtarë, mjekë, juristë, mendimtarë dhe filozofë të tjerë pa fund. Prandaj dhe lipset që ti kthehemi burimit të krenarisë tonë, burimit të lavdisë tonë. Ne duhet ti kthehemi në mënyrë të sinqertë, që të ripërtërijmë trashëgiminë, të ringjallim zemrat dhe të çojmë në vend amanetin.
E them me plot bindje dhe guxim, se nuk ka ngjarje që ka ndodhur në histori dhe që ka ndryshuar besimin, politikën, shkencën, mendimin, letërsinë, ekonominë etj… si ngjarja e dërgimit të Muhamedit, të birit të Abdullahut, paqja e Zotit qoftë me të, si profet. “Ne nuk të dërguam veçse si mëshirë për botërat”.
Të gjitha ngjarjet historike që u pasuan nga ndryshime, e bënë këtë në një fushë dhe profil të caktuar. Shumica e tyre ishin ndryshime tokësore, pa lidhje me qiellin dhe Zotin, ato ishin me ndikim të kufizuar, në një kohë, vend dhe me njerëz të caktuar. Përjashtim bën vetëm mesazhi i profetit Muhamed a.s, i cili është i vlefshëm dhe me ndikim në çdo kohë, vend dhe për të gjithë njerëzimin mbarë, për të gjitha aspektet e jetës. Prandaj dhe shumë studiues e kanë renditur në kryen e listës së reformatorëve më të mëdhenj në historinë njerëzore, si në rastin e Majkëll Harth, në librin e tij:”100 personalitetet me ndikimin më të madh në Botë”.
Këtë artikull unë ua drejtoj politikanëve tanë, shkencëtarëve, mendimtarëve, shkrimtarëve, intelektualëve etj… që ti kthehen fuqishëm islamit, ta kuptojnë drejt, të studiojnë Kuranin dhe traditën profetike me sinqeritet dhe përkushtim, të shoqëruar me punë dhe vepra të mira. Pashi Zotin, kur na e ka vënë veshin bota për hir të fiseve dhe traditave të lashta? Kur na ka respektuar bota për hir të naftës që rrjedh si lum, metaleve dhe maleve shkëmbore? Kur na kanë respektuar njerëzit për hir të gjeografisë, trashëgimisë poetike dhe letërsisë? Asnjëherë. Ne kemi marrë vlera dhe jemi respektuar vetëm kur kemi respektuar mesazhin e dritës hyjnore, vetëm kur i shkuam pas profetit të paqes, vetëm kur shpallja hyjnore frekuentoi çdo skaj të vendeve tona. Çelësi me të cilin hymë në Kordoba, Sind, Kajravan, Buhara, Nisabur, Qipro etj… ishte çelësi “La ilahe ilallah”. Kur u ligështuam para mbajtjes së mesazhit të drejtësisë, paqes dhe mëshirës, na kaploi prapambetja në çdo fushë, shkencore, politike, ekonomike, letrare, intelektuale etj… Umeti islam u nda në grupacione, në parti dhe në sekte të vetëkënaqura. Zoti nuk do na e veshë kurorën e lavdisë, derisa ti kthehemi origjinës tonë, të fshijmë pluhurin e imitimit, përngjasimit dhe rendjes pas të tjerëve, derisa të jemi të sinqertë me vetet tona në përcjelljen e mesazhit të “La ilahe ilallah”. Kam shëtitur në dyzet vende të botës dhe betohem në Zot, që nderi më i madh që na kanë bërë ka qenë kur na drejtoheshin me fjalët:”Bujrum o bijtë e tokës së dy xhamive të shenjta, o bij të vendit të bekuar ku u shpall mesazhi hyjnor…” Lipset që të jemi në nivelin e përgjegjësisë dhe amanetit. Le të frymëzohemi nga ai moment historik, moment i takimit të Xhibrilit a.s me Muhamedin a.s.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit