0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Tramp dhe Klinton afër fitores përfundimtare, tërhiqet Kruz

Më të lexuarat

Indiana i dha goditjen përfundimtare Kruzit dhe forcave anti-Tramp. President i ardhshëm i SHBA-ve do të jetë Tramp ose Klinton.

Republikanët – Indiana. Pas fitoreve të njëpasnjëshme të Trampit në Nju Jork dhe verilindje të SHBA, ai kishte krijuar avantazh të konsiderueshëm në delegatë ndaj kandidatëve të tjerë. Kruz dhe Kasiç edhe matematikisht humbën gjasat për të fituar, por mbetej dilema nëse Tramp do të arrinte shifrën magjike prej 1237 delegatësh që i jepte fitore që në rrethin e parë. Shpresa e vetme e forcave anti-Tramp ishte pikërisht që të ndalnin atë nën këtë shifër, për të dërguar garën në konventë. Në këtë projekt nyjë kyçe u bë shteti i Indianës. Nëse Tramp mund të ndalej në Indianë dhe të humbte 57 delegatët e saj rruga drejt 1237-ësh do t’i bëhej tejet e vështirë. Mirëpo në të kundërtën Tramp do të çimentonte avantazhin dhe do t’a kishte më lehtë në 9 shtetet e mbetura për votime.

Pikërisht kjo e dyta ka ndodhur në zgjedhjet e djeshme në Indianë. Tramp arriti të fitojë pa ndonjë problem duke marrë 53% të votave, përkundër 37% të Kruzit dhe 8% të Kasiçit. Hë për hë ai ka marrë 51 nga 57 delegatët e shtetit dhe ka çuar totalin e tij në mbi 1000 delegatë.

TrampsDonald-Trump KruzsTed-Cruz KasiçsJohn-Kasich
Vota Indiana 589.416 405.581 83.801
Vota total 10.646.106 7.259.792 3.756.633
Delegatë total 1.007 546 153

 

Tramp afër fitores përfundimtare. Pas fitores në Indiana Trampit i duhen vetëm edhe 230 delegatë nga 445 sa janë në lojë. Nëse marrim parasysh se ai me siguri do të fitojë Nju Xhersin, i mbetet të fitojë vetëm 45% të delegatëve në shtetet e mbetura. Kjo është një kthesë e madhe për Trampin i cili vetëm 2-3 javë më parë duhej të fitonte afër 60% të votave. Situatën në tërësi e kanë ndryshuar shtetet e verilindjes dhe ata janë më meritorët që Tramp do të jetë kandidati republikan për president.

Kruz tërhiqet nga gara. Indiana ishte shteti ku Kruz dhe kampi anti-Tramp kishin shansin e tyre të fundit. Në pamje të parë Indiana është demografikisht e përshtatshme për Kruzin. Ajo ka një popullatë të madhe rurale dhe një numër të konsiderueshëm evangjelistësh. Në shtetet e ngjashme përreth si Uiskonsin, Kruzi kishte shënuar fitore të thella dhe mu për këtë dukej sikur do të korrte fitore të lehtë edhe në Indiana. Por si duket gara në ndërkohë kishte ndryshuar. Ka mundësi që edhe elektorati republikan ishte lodhur nga rezistenca ndaj Trampit dhe ka patur dëshirë të përfundojë njëherë e mirë garën.

Sido që të jetë Indiana gozhdoi përfundimisht Kruzin. Për të humbja në këtë shtet nuk është vetëm humbje e 50 e ca delegatëve, sa është një indikacion se sa vështirë do t’a ketë në shtete tjera më pak të favorshme, sidomos Kalifornia. Mu për këtë të martën në mbrëmje Kruz përfundimisht u dorëzua nga gara. Me këtë është virtualisht e sigurtë se fitues i nominimit republikan do të jetë Tramp.

Indiana – demokratët. Përveç Trampit, një seri të ngjashme suksesesh në verilindje pati edhe Klinton. Me 5 fitore nga 6 votimet e mbajtura Klinton ndali hovin e Sandersit që paraprakisht kishte fituar 7 shtete më rradhë. Edhe më tepër se Tramp, Klinton thuajse kishte siguruar edhe matematikisht fitoren në garën demokrate.

Por për dallim nga republikanët, demokratët e Indianës ofruan një surprizë të rradhës. Fitues i shtetit Indiana në rradhët e tyre është Berni Sanders. Ai ka shënuar një fitore të ngushtë, 52%-47% ndaj Klintonit, me dallim afër 30.000 vota. Por ndryshe nga republikanët demokratët ndajnë delegatët proporcionalisht, e kjo do të thotë se Sanders ka marrë vetëm 6 delegatë më tepër se Klintoni. Megjithëse fitorja e Sandersit ka simbolikën e vet, atij i duhen fitore më të thella për të arritur Klintonin. Prandaj fitorja e tij është fitore pirike, një rast tjetër i humbur për të ngushtuar epërsinë e Klintonit në delegatë.

KlintonsHillary-Clinton SanderssBernie-Sanders
Vota Indiana 302.676 334.348
Vota total 12.437.785 9.301.749
Delegatë total 2.220 1.449

 

Për të fituar nominim te demokratët, shifra magjike është 2.383 delegatë. Klinton ka fituar 1.700 delegatë me votime, por ka edhe 520 superdelegatë në anën e saj. Kështu ajo ësthë shumë afër fitores përfundimtare, sepse i duhen vetëm edhe 163 delegatë për të fituar nominimin. E në garë janë edhe 1.114.

Thënë ndryshe, Klintonit i duhet të fitojë vetëm 15% të votave nga votimet e mbetura, ndërsa Sandersit mbi 85%. Në këtë moment duket se gjasat e Sandersit për të bërë befasi janë edhe më të vogla se gjasat që kishte Leicester për t’u bërë kampion i Anglisë. Me siguri të plotë mund të thuhet se te demokratët nuk ka ndonjë befasi dhe se kandidat demokrat për president do të jetë Hillari Klinton.

Fundi i fushatave. Me tërheqjen e Kruzit gara republikane ngadalë merr epilogun e vet. Tramp do të duhet të fitojë edhe 2-3 shtete tjera për të siguruar edhe matematikisht nominimin. Në anën demokrate Klintonit mund t’i mjaftojë madje edhe një fitore e vetme. Me këtë të dy fushatat ngadalë do të përfundojnë dhe dy kandidatët do të nisin fokusin drejt zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor. Atëherë përfundimisht do të njihet edhe presidenti i ardhshëm i SHBA-ve, Tramp ose Klinton.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit