Ai shtriu dorën drejt panelit dhe më pas pasoi përplasja
Kanë kaluar më shumë se shtatë ditë nga rrëzimi tragjik i avionit në Korenë e Jugut, ku humbën jetën 179 pasagjerë dhe ende nuk është sqaruar shkaku i aksidentit në fluturimin 7C2216, të kompanisë low-cost të Koresë së Jugut “Jeju Air”. Avioni u përplas me një mur gjatë uljes në aeroport.
Autoritetet e Koresë së Jugut ia transferuan kutinë e zezë të dëmtuar homologëve të tyre amerikanë për hetime të mëtejshme. E ndërsa hetimet janë duke vazhduar, në internet është shfaqur një video që dyshohet se tregon momentet e fundit të pilotit në kabinë, i cili tentoi të parandalonte aksidentin.
Pamjet, të cilat janë bërë virale me titullin “Momentet e fundit të pilotit”, tregojnë një nga pilotët që përpiqet të rimarrë kontrollin teksa avioni përplaset me një mur betoni me shpejtësi të madhe, duke u shpërbërë në flakë.
“Deri në sekondën e fundit zgjati dorën te paneli. Mendoj se bëri më të mirën”, ka shkruar autori i videos.
Gazeta Korea Times shkruan se kjo video ngjalli një emocion të fortë tek shikuesit. Shumë komentuan mbi frikën dhe dëshpërimin e tmerrshëm që duhet të ketë ndjerë piloti, ndoshta i vetëdijshëm se avioni do të godiste murin dhe me shumë mundësi të gjithë do të vdisnin. Të tjerë janë të bindur se ai ka aktivizuar të gjithë guximin e tij për të zbutur goditjen dhe për të shpëtuar kështu të gjithë.
“Ai u ul në mënyrë perfekte, por papritur e gjeti veten përballë një muri betoni. Imagjinimi i mendimeve të tij në ato momente të fundit më sjell lot në sytë e mi”, shkroi një përdorues. Një tjetër tha: “Të shikosh murin që afrohet ndërsa avioni vazhdon të rrëshqasë… frika dhe pafuqia duhet të kenë qenë të paimagjinueshme”.
Ministria e Tokës, Infrastrukturës dhe Transportit e Koresë së Jugut tha se, nëse të dy motorët dështojnë, edhe sistemet hidraulike mund të dështojnë, duke ndikuar potencialisht në pajisjen e uljes.
“Megjithatë, në rast të një dështimi total të sistemit, ekziston një levë manuale që mund të përdoret,” tha një zyrtar i ministrisë.
Dyshohet se pilotët ndoshta iu drejtuan kontrollit manual gjatë rrëzimit të aeroplanit. Jeong Jun-sik, profesor i operacioneve të fluturimit në Universitetin Kwandong, shpjegoi në një intervistë me CBS se skenarë të tillë kërkojnë përpjekje të jashtëzakonshme fizike.
“Nëse të dy motorët dështojnë dhe sistemet hidraulike dështojnë, piloti duhet të mbështetet në kontrollin manual”, tha Jeong Jun-sik. /tesheshi.com/