1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Tragjedia e Parisit nxori në pah racizmin tonë të fshehur

Më të lexuarat

Një artikull i publikuar në australianen New Matilda i shkon në zemër problemit të vërtetë në lidhje me sulmet e natës së kaluar në Paris – ajo për të cilën askush nuk dëshiron të flasë. Ajo që ndiejnë perëndimorët në këto momente është një zemërim i fuqishëm dhe shumë selektiv, i cili identifikohet me vuajtjet e njerëzve “si ne”. Ne vajtojmë vdekjet në Paris, por i kalojmë pa i vëmë re ata që u vranë në Liban një ditë më parë, e me siguri nga të njëjtët fanatikë që ndërmorën sulmet në Paris.

Shumë perëndimorëve nuk u pëlqejnë vëzhgimet që nxjerrin në pah hipokrizinë. Është e natyrshme, thonë ata, që të interesohesh më shumë për njerëzit që njohim e që janë të ngjashëm me ne. Ky reagim instiktiv mund të jetë ngushëllues, por është njëkohësisht thelbi i problemit.
Tek e fundit, ajo që e nxit zemërimin tonë selektiv a nuk është dhembshuria jonë selektive? Është pikërisht dhembshuria jonë selektive që na ka futur në këtë telash. Si europianë, ne e kemi parë gjithmonë veten si tërësisht njerëzor, ndërsa ata në Lindjen e Mesme dhe në pjesën tjetër të botës i kemi parë si më pak njerëzor, të cilët nuk e meritojnë simpatinë tonë. Një ndjenjë e tillë bëri që Europa t’i kolonizonte, abuzonte dhe shfrytëzonte njerëzit me ngjyrë.
Ky racizëm historik, të cilin ne europianët jemi të gatshëm ta pranojmë dhe e kuptojmë se e ka ushqyer kolonializmin perëndimor, nuk është diçka e së kaluarës. Ai është ende i gjallë thellë në zemrat tona. Dikur kemi ndier barrën e njeriut të bardhë, tani ndiejmë zemërimin e tij. Të dyja vijnë nga e njëjta arrogancë dhe nga e njëjta mendësi për t’i përshkruar si më pak njerëzor ata që ne i shohim si të ndryshëm nga ne.
Akoma po përpiqemi “t’i civilizojmë” njerëzit me ngjyrë. Akoma mendojmë se kemi të drejtën t’i ndryshojmë ata, t’i nënshtrojmë ndaj vullnetit tonë, t’i “përmirësojmë” me forcë. Akoma duam t’u japim mend atyre, t’i dënojmë, kërcënojmë, t’ua përmbysim zgjedhjet, t’i armatosim liderët e tyre shtypës, të plaçkitim burimet e tyre.
Dhe pasi i kemi shkatërruar shoqëritë e tyre, duam edhe t’ua mbyllim kufijtë pas udhëtimit të tyre të dëshpëruar për të gjetur pak paqe, pak siguri larg zonave të luftës në Afganistan, Irak, Libi, Siri dhe vende të tjera ku kemi ndërhyrë direkt ose e kemi mbështetur me para dhe armë.
Racizmi ynë nuk ka ndryshuar. Është i gjallë e po gjen çdo ditë justifikime të reja për dhembshurinë tonë selektive.
Ajo që ka ndryshuar është vetëm përparimi teknologjik, i cili ka bërë që armët e vdekjes e të shkatërrimit në masë të jenë më të lehta dhe më të lira për t’u blerë. Ata që dikur i kemi shtypur dhe ndëshkuar shumë larg shtëpive dhe shikimit tonë, tani mund të na gjejnë e të na bëjnë të provojmë shijen e ilaçit tonë.
Nëse duam t’i ndalojmë këto sulme, e të mos lejojmë që shoqëritë tona të shndërrohen në diktatura shtypëse të cilat i kemi mbështetur gjithandej nëpër botë, atëherë duhet të ndalojmë ndërhyrjen, shkatërrimin, manipulimin dhe abuzimin. Këtë duhet ta fillojmë duke refuzuar të identifikohemi më shumë me viktimat e Parisit se ato të Bejrutit. Nëse vërtetë jemi aq të civilizuar sa pretendojmë, do ta kuptonim se të dyja palët meritojnë njësoj dhembshurinë tonë.

Nga Jonathan Cook, Nazaret

Autori është gazetar nga Nazareti dhe fitues i Çmimit Martha Gellhorn për gazetarinë dhe autor i disa librave.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit