1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Trafikimi me njerëz në Kosovë – për prostitucion dhe kërkim lëmoshe

Më të lexuarat

Trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të jetë një sfidë për institucionet e Kosovës. Autoritetet e rendit në Kosovë raportojnë se gratë që shfrytëzohen për prostitucion dhe fëmijët që detyrohen të punojnë, janë dy profilet më të shfrytëzuara. Sipas tyre, gjatë një viti, raportohen më shumë se 30 viktima të trafikimit.

 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se në nëntëmujorin e këtij viti, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka ngritur kallëzim penal në prokuroritë përkatëse për 16 raste të trafikimit me njerëz. Hoxha tha po ashtu se kategoria më e prekur që lidhet me trafikimin, janë femrat e moshës së re, duke përfshire edhe raste kur viktimat janë edhe fëmijë.

Trafikimi me njerëz që konsiderohet si dukuri kriminale e ndërlidhur me krimin e organizuar trans-kufitar, ka shtyrë autoritetet e rendit që të nënshkruajnë marrëveshje të shumta me shtetet e rajonit e më gjerë.

 

Policia e Kosovës, lidhur me këtë çështje ka nënshkruar 74 marrëveshje bilaterale në angazhimin për parandalimin e kësaj dukurie. Po ashtu, Policia e Kosovës në kuadër të vlerësimeve strategjike, të rreziqeve dhe kërcënimeve nga krimi i organizuar dhe krimet e rënda, ka radhitur dukurinë e trafikimit me njerëz si një nga kërcënimet kryesore.

Sipas vlerësimeve nga autoritet e sigurisë, faktorët kryesorë që nxisin trafikimin, janë gjendja socio-ekonomike, mungesa e kujdesit prindëror e familjar, në veçanti ndaj fëmijëve, si dhe braktisja e shkollimit.

Me rastin e shënimit të Ditës Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe fillimit të fushatës Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, prokurori Besim Kelmendi deklaroi se prokuroritë e Kosovës kanë goditur fuqishëm grupet kriminale të trafikuesve. Prokurori Kelmendi megjithatë tha se Prokuroria e Shtetit nuk është e kënaqur me politikën ndëshkimore dhe shtoi se sfidë më vete vazhdon të jetë ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në raste e trafikimit.

 

Nga ana tjetër, drejtoresha e organizatës “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve-Kosovë”, Valbona Çitaku, tha se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për parandalimin e kësaj dukurie.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova duhet të punojë më shumë për të parandaluar dhe luftuar trafikimin me njerëz. Sipas tij, duhet identifikuar dhe ndëshkuar bartësit e këtij krimi. Kurse, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore që është publikuar në muajin qershor, pati thënë se Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, por po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim. Raporti thekson se Qeveria e Kosovës, krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, ka identifikuar më shumë viktima dhe ka ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit