Ergys Mërtiri
Në çdo vend të botës qeveritë mundohen të mbajnë marrëdhënie të mira me mediat. Kjo është e kuptueshme, pasi imazhi i qeverisë varet krejtësisht prej tyre. Asnjë kryeministri nuk do t’i merrte koka erë të futej në luftë me gazetarët.
Mirëpo, në vendin tonë ky realitet është përmbysur. Kryeministri shqiptar jo vetëm që i sulmon pa pikë droje gazetarët, i fyen e i përqesh në mënyrën më vulgare, por ai miraton edhe ligje për t’i penalizuar për atë që transmetojnë te publiku. Ai e bën këtë krejt i lirshëm, pavarësisht se është i zhytur në skandale dhe pavarëisht se gjendet në ditët më të zeza të mbështetjes publike.
Natyrisht që këtu ka diça që nuk shkon; ose Kryeministri ka luajtur mendsh, ose media e lirë dhe e pavarur nuk ekziston. Përndryshe, presioni i reagimit mediatik do ta kish bërë qeverinë të stepej. Fakti se Rama vetëm sa rriti agresivitetin e tij në daljen e fundit në parlament tregon se, në fakt, media ekziston vetëm si shërbëtore e qeverisë. Kryeministri mund ta përdorë e poshtërojë atë sipas oreksit.
Protesta e gazetarëve e nxori në pah në mënyrë flagrante këtë fakt. Ajo nuk u mbështet nga asnjë prej televizioneve kryesore, nga asnjë prej gazetarëve “të rëndësishëm” që i drejtojnë ato, dhe as nga “elita” e gazetarisë që transmeton në prime time. Ata nuk erdhën në protestë, madje nuk bënë asnjë prononcim publik, qoftë edhe sa për të larë gojën.
Kjo do të thotë se mediat kryesore nuk e ndiejnë si problem censurën, çka është në vetvete një lajm tronditës për çdo vend normal. Kur mediat nuk reagojnë ndaj një ligji që cënon lirinë e shtypit, do të thotë se ato nuk kanë nevojë për këtë liri. E që media të humbasë interesin për fjalën e lirë, duhet që në mes të kenë hyrë patjetër pazaret e qeverisë.
Dakort, kjo nuk është hera e parë që qeveritë blejnë media nëpërmjet koncensionesh, tenderash apo favoresh të tjera. Por nuk ka qenë kurrë një situatë e tillë që qeveria ta ketë monopolizuar krejtësisht tregun mediatik, siç po ndodh sot, prej më shumë se pesë vjetësh në Shqipëri. Sado të korruptuara të kenë qenë qeveritë, ka pasur gjithmonë media të rëndësishme në opozitë me të. Sot nuk ka më asnjë të tillë, përveç dy televizioneve të reja lokalej, një prej të cilëve është ende në “prova teknike”.
Në këtë mënyrë, e ashtuquajtura paketë ligjore kundër shpifjes vërtetoi se kazani, ku pështyn gjithë ditën Edi Rama, gatuan vetëm gjellën e qeverisë. Kjo është arsyeja përse ajo merr guximin të kryejë çfarëdo poshtërsie, pa iu druajtur aspak reagimit publik. Një moskokëçarje e tillë për pasojat mund të ndodhë vetëm kur qeveria e kontrollon reagimin publik, dhe këtë mund ta bëjë vetëm kur ka në kontroll të monopolizuar mjetet e komunikimit.
Ligjet censuruese vijnë në një situatë kur, pasi ka kapur të gjithë spektrin e mediave të rëndësishme, qeverisë i ka ngecur tashmë sharra vetëm te portalet. Pra, kaq e telendisur është ajo nga skandalet dhe keqqeverisja, sa mjaftojnë disa hapësira mediatike fare periferike për ta vënë në hall.
Nga ana tjetër, kjo është edhe një arsye përse duhet luftuar fort që këto dy ligje të rrëzohen edhe pas miratimit në parlament. Nëse do t’i lejojmë qeverisë të ushtrojë kontroll e censurë deri në këtë pikë, kjo do të thotë të dorëzojmë plotësisht edhe siguresën më të fundit të sistemit. Qeveria po kërkon të marrë atributet e një gjykate, për t’i dhënë autoritet agjencive në varësi të saj të gjykojnë në konflikte ku qeveria është palë kundër mediave. Kjo është njësoj sikur në një ndeshje futbolli njërës prej dy skuadrave t’i jepet e drejta ta përcaktojë ajo arbitrin.
Demokracia mbahet në këmbë kryesisht nga gjykatat e pavarura dhe shtypi i lirë. Shtypi konceptohet si barrierë për të penguar qeverinë të bëhet tiranike dhe, sado i papërgjegjshëm të jetë ai, pengesa e lirisë së tij është diçka edhe më e keqe. Liria e shtypit prevalon mbi nevojën për të rregulluar problemet e tij.
Edhe nëse media është vërtetë abuzuese dhe problematike, nuk është qeveria ajo që ka tagrin ta rregullojë atë. Aq më tepër kur kjo qeveri nuk ka më takat të rregullojë as veten.