“Zviceranët kanë shumë për të mësuar nga shqiptarët. Unë nuk njoh ndonjë vend me shumicë myslimane ku dominon toleranca fetare. Përzierja mes tre komuniteteve fetare është mjaft e përhapur.”
Janë këto vlerësimet që ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf ka dhënë përmes një intervistë për Lucerner Zeitung.
“Ne mund të mësojmë mbi ruajtjen e lidhjeve familjare, mikripritjen, tolerancën dhe artin e improvizimit. Të përbashkët kemi përpjekjen për pavarësi, bukuritë natyrore dhe burimet ujore që janë të mrekullueshme”, shprehet diplomati 57-vjeçar.
Graf pohon se për shkak edhe të veprimeve të një pjese të shqiptarëve që kanë jetuar në Zvicër, imazhi për ta nuk ishte shumë pozitiv. Por shton se fotografia e zymtë nuk tregon vendin e shndritshëm dhe me jetesë mesdhetare .
“Vizitorët janë të magjepsur sesa i qetë dhe i sigurt je këtu. Përveç kësaj shqiptarët janë mikpritës”, shton ai.
Diplomati, referuar asaj që duhet të bëjnë më shumë shqiptarët, rendit luftën ndaj korrupsionit, veçanërisht në Shëndetësi dhe Drejtësi; sikundër shton se Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe trafiqet.
“Gjatë kohës që isha në shkollë, Shqipëria në hartë paraqitej me një shenjë të bardhë, për shkak se ishte vend mjaft i izoluar.
Por kjo tashmë ka ndryshuar dhe Shqipëria pret mjaft investime nga jashtë, ku vetëm nga Zvicra ka 330 milion franga nga vitet 90-të”, shprehet ai, duke shtuar se tashmë është projektin i TAP, me 1.5 miliardë dollarë investim që do të hapë më shumë vende pune, por do të garantojë edhe rritje ekonomike.