1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Tkurren hektarët e mbjellë me grurë në Kosovë, pritet rritje e importit nga Serbia

Më të lexuarat

Nga Bashkim Kastrati

Importi i produkteve bujqësore nga Serbia është një nga mangësitë e ekonomisë së Kosovës. Në këtë aspekt ka pasur trend të lartë të importit të grurit në vitet e fundit. Por cilësia e këtij gruri është kontestuar në vazhdimësi, pasi që janë prezantuar edhe dokumente se ky grurë ka ardhur nga rezervat shtetërore të Serbisë dhe si e tillë duhet të përdoret vetëm për kafshët.

Edhe pse investimet në fushën e bujqësisë në Kosovë kanë shënuar rritje, sipërfaqet me grurë të mbjellë po zvogëlohen dhe rrjedhimisht nënkupton rritje të importit nga Serbia.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, në këtë vit në tokat e Kosovës janë mbjellë 70 mijë hektarë me grurë, 14 mijë ​ më pak sesa vitin e kaluar.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë deklaruar se çdo vit këto sipërfaqe janë duke u tkurrur për shkak të çmimit të ulët dhe sasisë së madhe të importit nga Serbia.

Aktualisht, çmimi për një kilogram grurë të prodhuar në Kosovë, kushton nga 0.10 deri në 0.14 centë.

Ndërkaq në bazë të analizave dhe mostrave të para nga terreni, mesatarja e rendimenteve të grurit për sivjet pritet të jetë rreth 3500 kilogramë për një hektar. Vitin e kaluar ishte 4140 kilogramë rendimenti mesatar i grurit, që ka qenë rendiment i kënaqshëm bazuar në rendimentet nëpër vite në Kosovë.

Qeveria duhet të ndalojë importin e grurit nga Serbia

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka thënë për tesheshi.com se kjo tkurrje e sipërfaqeve të mbjella me grurë po ndodhë me fajin e qeverisë e cila nuk krijon kushte për prodhim të bukës në Kosovë.

“Qeveria duhet ta ndalojë importin e grurit nga rezervat e shtetit të Serbisë, ngase ai grurë nuk ka vlera ushqyese. Qeveria duhet të kontrollojë tregun e brendshëm dhe mos të lejojë të shitet fara, plehrat, pesticidet false, duhet që naftën për traktorë ta lirojë 50% më lirë, duhet të formojë një agro-bankë për kredi me kamata 2-3%  për mekanizim bujqësore”, thotë Tahiri.

Ai pret që kërkesat në treg me prodhimin vendor të plotësohen jo më shumë se 20-25 për qind. Tahiri përmendi se në këtë sezon do të ketë edhe rendimente më pak të grurit me cilësi jo të mirë për shkak të farërave të importuara jo cilësore.

Ai thotë se institucionet kompetente qeverisëse duhet të marrin edhe një varg masash për të përmirësuar këtë situatë.

“Qeveria duhet t’i rritë subvencionet për grurin në 350-400 euro për 1 hektar, duhet ta luftojë korrupsionin në Ministrinë e Bujqësisë dhe në të gjitha instancat shtetërore, të sundojë ligji e jo krimi i organizuar, për t’i josh investitorët e huaj dhe bashkatdhetarëve nga diaspora, për të investuar në Kosovë në prodhimtarinë bujqësore, t’i obligojë apo t’i stimulojë pronarët e mullinjve që së pari ta blejnë prodhimtarinë vendore të grurit me çmime të volitshme. Këto do të ishin disa faktorë që do ta ndalnin tkurrjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë dhe do stimulonin rritjen e sipërfaqeve që do të mbillen me grurë. nga Tahir Tahiri Kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës”, theksoi Tahiri.

Sipas tij, importuesit e mëdhenj të grurit po ndikojnë në uljen e çmimit të grurit vendor dhe kjo po shkakton bujqit e Kosovës të mos kenë leverdi, të cilët nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e prodhimtarisë së grurit.

Tahiri ka ngritur edhe çështjen e makinerisë së vjetruar për korrjen e grurit, ku sipas tij po shkaktohen humbje të mëdha të grurit nëpër ara dhe mesatarja e humbjeve ose derdhjes së drithit është rreth 20 për qind.

Ndryshe, tek gruri për tri vjet prej 2013 deri me 2015 u investuan në formë të subvencioneve mbi 17 milionë euro. Më 2013 u investuan në këtë kulturë 5.8 milionë  euro, në 2014 5.5 milionë  euro dhe më 2015 investimi është më i madh për gati 1 milion euro, saktësisht 6 milionë e 412 mijë e 884 euro.

Sa i përket eksportit në vitin 2013 nuk ka pasur fare eksport të grurit. Në vitet vijuese, 2014 dhe 2015 ai ishte shumë i vogël përkundër rritjes në vitin 2015.  Më 2015 eksporti është rritur në 203 mijë kilogramë me vlerë prej  57 mijë e 855 euro.

Te importi gjendja qëndron ndryshe, në vitin 2013 u importuan 53.5 milionë  kg në vlerë prej  11.8 milionë euro. Më 2014, pati një rënie  për 13.8% . Më 2015 importi është rritur në  61.6 milionë kg, në vlerë prej 12.7 milionë euro.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015 sasia e grurit të importuar është rritur për 15%, ndërsa gjatë kësaj kohe shpenzimet për import të grurit janë rritur për 7.6%

Dallimi në mes importit dhe eksportit të këtij produkti për tri vite është mjaft i lartë. U eksportuan 252 mijë kg  grurë në vlerë 67 mijë euro. Ndërsa importi ishte 161.3 milionë  kg grurë në vlerë prej 34.8 milionë  euro.

Sipas të dhënave të ASK-së, nuk ka rritje as të prodhimit të grurit. Në vitin 2013 janë prodhuar 391,727 ton grurë, ndërsa në vitin 2014 ka pasur një rënie të vogël të prodhimit pasi  janë prodhuar 331, 296 ton grurë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit