Eurodeputetët: S’ka BE pa zgjidhje me Kosovën e sanksione kundër Rusisë
Serbia nuk mund të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian pa harmonizuar gradualisht politikën e saj ndaj vendeve të treta, përfshirë Rusinë, theksuan të martën deputetët e Parlamentit Evropian.
Në seancën plenare në Strasburg, kristiandemokrati sllovak Vladimir Bilçik prezantoi raportin e tij për Serbinë për vitin 2021, të cilin përfaqësuesit do ta votojnë të mërkurën.
“Rruga e suksesshme evropiane e Serbisë tani është më e rëndësishme se kurrë,” tha sllovaku, një anëtar i Partisë Popullore Evropiane, grupimi politik evropian të cilit i përket SNS e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
“Serbia i përket Bashkimit Evropian, por ende duhet bërë shumë,” shtoi ai, duke theksuar se agresioni rus kundër Ukrainës ishte “një thirrje zgjimi për përshpejtimin e integrimit evropian”.
Në raportin e Bilçikut thuhet se përparimi i Serbisë drejt BE-së do të varet drejtpërdrejt nga forcimi i sundimit të ligjit, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe harmonizimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, e cila përfshin sanksione kundër Rusisë. Rusia përmendet rreth tridhjetë herë në atë dokument, por po ashtu theksohet se BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën evropiane të Serbisë.
Rreshtimi gradual
Komisioneri i Komisionit Evropian për menaxhimin e krizave, slloveni Janez Lenarçiç, foli për “harmonizimin gradual” të politikës së jashtme të Serbisë me Evropën, që përfshin vendosjen e masave kufizuese ndaj Rusisë, siç kanë bërë anëtarët e BE-së, por edhe vendeve të tjera që duan anëtarësim në Union.
Lenarçiç tha se është e rëndësishme që Serbia të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus, në të cilën BE-ja e ndihmon, për shembull duke financuar ndërlidhjen me gazsjellësin në Bullgari.
Raporti, i cili pritet të miratohet, përsërit angazhimin e Brukselit për anëtarësimin e Serbisë dhe e kritikon atë për liritë e kufizuara të medias dhe sulmet ndaj kundërshtarëve politikë.
Autoritetet e Beogradit, ndër të tjera, thirren të hetojnë grupin kriminal të Veljko Belivuk dhe të zgjidhin ligjërisht shkatërrimin e paligjshëm të pronës private në lagjen Savamala, si dhe kritikohet mbyllja e arkivave historike të Jugosllavisë, veçanërisht atyre të UDBA-së.
Toni kontestues i raportit
Në diskutim, eurodeputetët kryesisht u pajtuan se Serbia duhet të bëjë ende shumë në rrugën drejt anëtarësimit, me theks në forcimin e institucioneve demokratike dhe dobësimin e marrëdhënieve me Rusinë.
Një pjesë e përfaqësuesve janë shqetësuar nga toni i raportit, të cilin e konsiderojnë patronues, me vlerësimin se mund të çojë në tjetërsimin e Serbisë nga rruga evropiane.
Deputeti bullgar Aleksander Jordanov, gjithashtu nga PPE, foli për “botën serbe”, një frazë e përmendur shpesh nga ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin, duke e krahasuar atë me politikën hegjemoniste të Kremlinit. /tesheshi.com/