Zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, ka theksuar rëndësinë që ka për shqiptarët mësimi i historisë së Shtetit Osman
TIRANË (AA) – Është prezantuar sot në Tiranë libri me titull “Historia osmane dhe institucionet”, i autorit turk, Prof. Dr. Mehmet Maksudoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e prezantimit të organizuar nga Fondacioni ALSAR merrnin pjesë zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Cem Sinan Baş, zëvendës kryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, kryetari i Fondacionit Alternativa e së Ardhmes, (ALSAR), Mehdi Gurra, përfaqësues të institucioneve të ndryshme turke të akredituara në Tiranë, historianë, studentë, etj.
Në këtë aktivitet kanë mbajtur fjalime rreth kësaj vepre, Prof. Dr. Ferit Duka, Prof. Dr. Bajram Xhafa, Dr. Ardian Muhaj si dhe vetë autori i librit, Prof. Dr. Mehmet Maksudoğlu.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, tha se për historianët shqiptarë kjo vepër ka vlera të veçanta. Ai ka vënë në dukje se ALSAR ka botuar deri më tani 111 vepra gjatë një periudhe 10 vjeçare. Duke theksuar se vepra e sotme është e ribotuar dhe me këtë rast po bëhet edhe promovimi, Gurra ka shtuar se libri është i rëndësisë së veçantë dhe se ai është lëndë mësimore në disa universitete si në Prishtinë, Tetovë, Malajzi, etj.
Gurra ka thënë se synimi i tyre është ardhja në ndihmë akademikëve shqiptarë dhe sjellja në dorën e tyre të disa veprave të cilat nuk kanë patur mundësi që ti kenë për arsye të ndryshme, duke përfshirë edhe ato që flasin mbi Perandorinë Osmane.
Ndërsa zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, duke vënë në dukje rëndësinë e pranisë së një vepre të tillë në duart e lexuesit shqiptar, ka theksuar rëndësinë që ka për shqiptarët mësimi i historisë së Shtetit Osman.
“Në Shtetin Osman ka patur 32-35 Sadrazamë me detyrë. Në këtë mënyrë shqiptarët kanë sunduar botën përmes këtij shteti”, tha Baş. Ai duke cekur kontributin e dhënë nga shqiptarët për Shtetit Osman, ka veçuar arkitektin Sedefkar Mehmet Aga nga Elbasani i cili ka ndërtuar Xhaminë Blu në Stamboll, rektorin themelues të Universitetit të Stambollit, Hoxha Hasan Tahsin, Sami Frashërin i cili njihet si shkrimtari i romanit të parë në gjuhën turke dhe fjalorit të pare enciklopedik, autorin e himnit kombëtar të Turqisë, Mehmet Akif Ersoy, etj.
Baş ka thënë gjithashtu se shpreson që libri i Maksudoğlu të jetë një reference për studiuesit shqiptarë, duke vënë theksin tek të përbashkëtat e shumta mes dy popujve.
Autori i librit, Maksudoğlu, në fjalën e tij në këtë aktivitet tha se gjithmonë është i gatshëm për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që bëhen në lidhje me librin e tij. Ai duke vënë në dukje se ato që ai shkruan në librin e tij janë risi edhe për shumë studiues në Turqi, ka theksuar se historia ka nevojë për rifreskime. Nisur nga kjo Maksudoğlu shton se edhe historia osmane ka nevojë për rifreskime.