Tirana është gati për Samitin BE – Ballkani Perëndimor, i pari që do të zhvillohet në rajon.
Kjo është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë evropiane, thuhet në njoftimin për shtyp të BE-së.
Ndërkohë, BE ka publikuar agjendën e samitit.
Temat kryesore të diskutimit do të jenë: pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik dhe të politikave, përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, adresimi i sfidave të paraqitura nga emigrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Liderët pritet të lëshojnë një deklaratë në fund të samitit. Të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor janë ftuar në samit.
Udhëheqësit do të diskutojnë bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Ata do të shikojnë më konkretisht se si të trajtohen efektet e tij negative në energjinë dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor.
Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mënyrat e thellimit të angazhimit politik, me një fokus të veçantë te të rinjtë.
Ata gjithashtu do të bëjnë vlerësimin e progresit të bërë: drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor me tregun e brendshëm të BE-së, për modernizimin e sistemeve të tyre të pagesave në përputhje me standardet e BE-së, në fushën dighitale, në zbatimin e korsive të gjelbra BE-Ballkani Perëndimor, një nismë për të lehtësuar logjistikën ndërkufitare dhe rrjedhën e vazhdueshme të mallrave.
Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike.
Udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numrat në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.
Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi kundër-terrorizmin dhe parandalimin e radikalizimit.
Agjenda:
*10:15 – Mbërritjet dhe mirëpritja zyrtare
*11:00 – Shkëmbim pikëpamjesh
*11:45 – Foto familjare
*12:15 – Seancë plenare dhe drekë pune
*14:30 – konference per shtyp. /Telegrafi/