Njeriu i “botës serbe” që tmerrohet nga bota shqiptare
Diplomacia e Tiranës bën me dije me anë të një deklarate për mediat se ka thirrur një ditë më parë ambasadorin serb në Tiranë, të cilit i janë kërkuar sqarime për deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vulin.
Dy ditë më parë, Vulin u shpreh se “Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”, si reagim ndaj tubimit në Athinë të kryeministrit Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi, lexuar prej tij me syze nacionaliste.
“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë”, tha Vulini duke kërkuar nga Greqia që të formojnë një aleancë antishqiptare.
Në njoftimin e Ministrisë tonë të Jashtme theksohet se “deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.
MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit euvropian”.
Vulin njihet për deklarimet e tij të trasha nacionaliste, edhe të rrezikshme madje, duke qenë një nga promovuesit kryesorë të së ashtuquajturës “botë serbe”, pra bashkimin në një të të gjithë serbëve të rajonit. E ndërsa synon këtë, i trembet një bashkimi shqiptar. Kjo pasi Serbia e sheh Shqiptarinë në rajon si rivalin, pse jo armikun nr. 1 në Ballkan. /tesheshi.com/