Mitropoliti i Dioqezës së Dibrës dhe Kërçovës, ipeshkvi Timotej, thotë se gjysma e të ardhurave të kishave dhe manastireve të KKK-së janë nga Pashkët dhe se ato janë prekur seriozisht nga kriza, në një prononcim për “Nezavisen”, njofton Portalb.mk.
Sidoqoftë, ai njoftoi se për festën ata do të insistojnë në vendimin për të respektuar masat për përballje me epideminë e koronavirusit dhe nuk do të organizojnë liturgji masive, por vetëm në rrethin më të ngushtë.
Në lidhje me atë nëse KOM kërkon ndihmë financiare nga shteti, ashtu siç kërkoi dhe BFI, Timotej thotë se nuk është diskutuar ende në Sinodin e shenjtë të ipeshkvijve apo me Qeverinë. por kjo nuk përjashtohet.
“Do të shohim nëse ka mundësi për këtë dhe si janë ato. Priftërinjtë janë gjithashtu të dëmtuar ndërsa tani janë Pashkët, festë mbi të gjitha festat, prandaj ata nuk mund të lihen me tryeza boshe”, thotë Timotej.
I pyetur mbi çfarë baze ai do të kërkojë ndihmë kur KOM nuk paguan taksa ndaj shtetit, Timotej u përgjigj se kjo nuk është e vërtetë, sepse KOM paguan taksat për gjithçka që blen apo ndërton, dhe për këtë nuk i kthen taksat si të tjerët.
Përndryshe, edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Sulejman Rexhepi, e ka paralajmëruar zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani dhe Qeverinë se nëse BFI nuk merr ndihmë nga shteti, mund të ndodh që të tërhiqet thirrja për mbrojtje nga virusi korona, gjegjësisht vendimi për pezullimin e faljeve nëpër xhami.
Në një emision televiziv, Rexhepi tha se i ka dërguar kërkesë Osmanit, si koordinator i Shtabit të Krizës që të ndajë ndihma për BFI-në, por deri më tani ashtu siç tha reisi, nuk ka përgjigje.
“Ka ndihma prej jashtë. Të jetë e kujdesshme se çka bën Qeveria. Do t’i rikujtoj edhe me një kërkesë, pasi që nëse mos e dhëntë Zoti që ne ta tërheqim vendimin tonë, nuk ka fuqi që mund të luftojë me epideminë, ju garantoj. Atëherë këtu bëhet Bangladesh”, thotë Rexhepi.